AMARCORD vjen nga dialekti i Emilia Romagnas që do të thotë “io mi ricordo”, pra unë mbaj mend, ose mua më kujtohet. Sot, më shumë ka kuptimin e nostalgjisë.
Prej javësh, AMARCORD mban emrin “rubrika më e re” e kryeministrit Edi Rama në rrjetin social Facebook. Imazhe të rralla, kishash, vendesh, personazhesh, emrash me rëndësi për kombin shqiptar, a foto historike, janë shfaqur për të kujtuar përvjetore, ngjarje, për të përshëndetur artistë a data, por edhe për tu përgjigjur debateve të ditës, në një formë krejt tjetër, përmes nostalgjisë, që rivjen në një format tjetër, si kujtesë ndaj atyre që kemi lënë pas, ata që na kanë paraprirë.
së fundmi, pikërisht përmes një imazhi të AMARCORD, Rama iu përgjigj Greqisë mbi protestat për Himarën, duke u kujtuar se Akropoli u shpëtua nga një shqiptar, i familjes Dushmani.
Po aty, është kujtuar edhe persekutimi komunist, shembja e kishave e xhamive, janë kujtuar Sarajet e Vrionasve, është kujtuar At Gjergj Fishta, e është kujtuar Jordan Misja, emrin e të cilit mban Liceu Artistik. Është kujtuar Prenk Bibë Doda, princi i Mirditës, ka shprehur ngushëllime për tërmetin në Itali përmes një imazhi të kishës së Oroshit në Mirditë, ndërtuar sipas stilit benediktian, siç ishte edhe Katedralja e Norcias, që u dëmtua nga tërmeti.
Po aty, ndërsa kujtonte Nikollaq Zoraqin dhe dekoratat e tij të marrë së gjalli, Rama reagonte edhe ndaj debatit për dekorimin e ballistëve, kur thoshte se “Në asnjë vend tjetër, përveç Shqipërisë së çoroditur nga liria pa demokraci dhe institucionet pa shtet, nuk është parë ndonjëherë të vrapohet njëzet e kusur vite me radhë, për të dekoruar në mënyre arbitrare njerëz të cilët nuk janë më gjallë prej dekadash apo prej shekujsh”.
Për tu rikthyer tek vëmendja ndaj arkitekturës, e më tej bashkimit të stilit të lindjes me atë të perëdimit, ai sjell këtë shembull: “Manastiri i Shën Mërisë në Apolloni është një xhevahir historik dhe artistik që meriton të zbulohet imtësisht; bëhet fjalë për një nga shembujt ndoshta më të veçantë të ndërthurjes së artit bizantin në Shqipëri me artin roman. Kollonata romanike e hajatit, me statuarin e kafshëve dhe figurave groteske është jo vetëm magjepsëse në vetvete, por një martesë e lumtur në tokën shqiptare e dy traditave teologjikisht të papajtueshme prej shekujsh gjithkund tjetër.
Disa herë, Rama, i është kthyer historisë në këtë rubrike si këtu përshembull: “Historia e Gjirokastrës ka shquar njerëz gjithmonë, por pak është dëgjuar për Kostandin Vasilin (1809-1884), gjirokastrit i rrënjosur, të cilin kurbeti e çoi pas të atit në Rusi, ku u shkollua dhe u miqësua me shkrimtarin e madh Nikolai Gogol! Guvernator i domeneve ruse në Tokën e Shenjtë, Kostandin Vasili foli tërë jetën e tij shqip, gjë që e bëri të padëshirueshëm në disa rrethe shoviniste fqinje…”
Po në AMARCORD, ai ka ofruar edhe shembuj përulësie duke marrë shkas nga At Gjergj Fishta o.f.m.. “Ndërkohë që sot patriotët profesionistë të vërsulen sa herë që i zgjat dorën për pajtim dhe paqedashje fqinjit, Ai, Ati i Luftës kundër çdo shovinizmi të huaj nga veriu në jug, shfaqet pa komplekse me dekorata të fuqive të huaja: Krahas shqiponjës së kalorësit të Urdhërit austro-hungarez të Franc-Jozefit dhe medaljes Benemerenti të Piut XI, françeskani i madh mban rreth qafës komandarin e Feniksit të Greqisë dhe medaljen Mearif të Turqisë”.
As Skënderbeu, nuk ka mbetur jashtë vëmendjes, si këtu ” Shumë është folur për portretin e famshëm të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut në galerinë Uffizzi të Firences, autorësia e të cilit i është njohur gabimisht Gentile Bellini-t”.
Rama shton, se “Kur e sheh të ekspozuar kupton në fakt simbolikën e tij, sepse Mediçët, sundimtarët e Firences e kanë vendosur të fundit në linjën e princave orientale dhe të parin në linjën e princave europianë, hundë më hundë me dukën e parë të Toskanës, Hugon, mu sikur dialogon me të.
Gjithë kjo skenografi përmbyllet me apoteozën e hutinit të Minervës në kulmin e tavanit, simbolin e urtësisë dhe qytetërimit të lashtë që zu fill prej Ballkanit, duke shenjuar kështu natyrshëm orientimin europian të shqiptarëve”.E.H/ Pasqyre.al