Nga Juxhin Abdiu
Kur mora materialin nga poeti Niels Hav, me skepticizëm nisa të shoh punët e këtij danezi. Që në kontaktin e parë ky poet më përcolli ndjenjë, ndjesi nga më të ndryshmet; më bëri të ndjej ato pasditet e vjeshtës; apo aromën e fortë të duhanit që depërton në mushkëritë e një nipi të devotshëm; më bëri të mendoj për flamën për të cilën shkruaj, për atë që më burgosi në botën e fantazisë, për poezinë.
Boshti ku do të vërtitem në këtë takim quhet poet. Por, fillimisht do doja të sillja një pikpamje të Frojdit dhe Jungut mbi artistin. Ky I fundit, për shkak të nevojave të fuqishme instinktive, është I paaftë të gjendet në realitetin praktik: ndaj I drejtohet botës së imagjinatës dhe në të gjen kompensimin për plotësimin e drejtpërdrejtë të dëshirave të veta. Artisti me anën e mekanizmit mbrojtës, domethënë me anë të aftësive të sublimimit, ndonëse ka pesuar disfatë në jetë dhe e ndjen veten të vetmuar, prapëseprapë gjen ngushëllim në faktin se u ofron ngushëllim jo artistëve.
Ky është pikërisht fati I poetit edhe sipas Havit, poeti është I destinuar të vuajë. Ka një jetë të vështirë sepse duhet të përplaset me mijra koncepte dhe të dijë të ruajë freskinë, bukurinë dhe ti përcjellë si një shpërthim planetar të diellit te vet. Por poezia është një vrimë e zezë. Atëherë çfarë është poeti? Një I burgosur apo një Zot/Satan në këtë univers brenda universi. Poeti është fëmijë dhe qan me atë zërin e ëmbel por që të ngre përpjetë dhe të qetëson tëmthat. Ai është një adoleshent që do të udhëtojë dhe të provojë gjithçka. Më pas evolon dhe nuk arrin të vdesë, sepse vargjet e veta fluturojnë si lejlekë.
Në një përkthim të oksigjenit tim simbolist, Charles Baudelaire, përkatësisht të veprës ‘ Le Spleen de Paris’, në shqip Brenga e Parisit, (Thjesht për informacion Spleen vjen nga anglishtja e vjetër dhe do të thotë vend ku strehohet mërzia), u intrigova nga një tjetër pozitë vrojtimi paksa ndryshe me idetë e sipërpërmendura . Sipas Baudelaire ,ai që nuk di të popullojë vetminë e vet nuk di as të jetë I vetmuar në mes të një turme të trazuar. Poeti pikërisht e gëzon këtë privilegj të pakrahasueshëm që i jep mundësinë në jetë të jetë, sipas qejfit, ai vetë dhe dikush tjetër. Si ata shpirtrat endacakë në kërkim të një trupi, ai hyn ku ti teket në personazhin e çdokujt.
Pra poeti ky skllav ose zot ka disa aftësi magjike për këtë univers larg reales. Ky individ mbështillet nga dy mantele. Manteli I jashtëm është ai I ziu që mbulon lëkurën e mavijosur nga të nxirat e betejes me unin/unet. Kurse ai nënmanteli është një ngjyrë vërtet e bukur që njerëzit e thjeshtë nuk e perceptojnë dot. Ju siguroj vetëm diçka, të dy mantelet tanë janë më të bukur se ai I Akaki Akakieviçit, në realitetin gogolian rus.
Përqasa vetëm të huaj me këtë të huaj mes nesh. Por ja që mendova se do ishte mirë të tregoja se në malesinë e Dukagjinit lindi një hermetik i cili shkroi për poetin gjithashtu : Martin Camaj ; poezia e tij titullohet ‘Një poeti të sotëm’. Nga kjo poezi shkëputa disa vargje :
Rruga jote e mirë
Parkat janë fytyrat mâ të shëmtueme
Të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,
Por për rrasa guri e ballë njerezorë
Me rrudha shum e për dashurinë.
Vargjet e tua janë për t’i lexue në heshtje
E jo para mikrofonit
Si të cetës së poetëve të tjerë.
Zemra
Ndonëse nën shtatë lëkura
Akull
Akull
Ndonëse nën shtatë lëkura.
Është e vërtetë ; synimi ynë si lexues është që të arrijmë nën shtatë lëkurat,të gjejmë zemrën,bërthamën nga nis zanafilla e artit.
Duke falenderuar përzemërsisht poetin Niels Hav që më zgjoi nga kjo monotoni vjeshte, dua ta mbyll me një mesazh.
Është ora të deheni ! Për të mos qenë më skllevërit e martirizuar të kohës, dehuni ; dehuni pareshtur ! Me verë, me poezi ose me virtyt si t’jua dojë zemra !
Në mbrojtje të poetëve- POEZIA NGA NIELS HAV
Çfarë të bëjmë me poetët?
Jeta është e ashpër me ta,
duken kaq mëshirues te veshur në të zeza
lëkura e tyre e mavijosur nga stuhitë e brendshme.
Poezia është një sëmundje e keqe
rendje e shoqëruar me kokëçarje,
ulërimat e saj ndotin atmosferën si rrjedhjet
nga stacionet e energjisë atomike të mendjes, është psikopatike.
Poezia është nje tirane,
I mban njerëzit zgjuar natën dhe prish martesat
I tërheq njerëzit drejt kasolleve të shkretuara
në mesin e dimrit
ku ata ulen të dëshpëruar duke i mbështjellë veshët
me shall të trashë.
Imagjinoni ç’ torturë!
Poezia është flamë
Me e keqe se gonorréa , neveri e vërtetë
Por kuptoji poetët, është e zorshme për ta,
duroji poetët.
Ata bëhen histerikë sikur po presin binjakë
Ata skërmitin dhëmbët edhe kur flenë,
hanë ushqime bajate dhe bar.
Ata rrinë jashtë nën erën e acartë me orë të tëra
duke u torturuar për të gjetur metafora tronditëse.
Çdo ditë është e shenjtë për ta
Oh të lutem, ki mëshirë për poetët.
Ata janë të shurdhër dhe të verbër.
Ndihmoji kur i sheh të shtangur në trafik
në ato pengesat e tyre të padukshme
duke kujtuar çfarë u shkon ndër mend.
Herë pas herë ndonjë prej tyre ndalon,
të dëgjojë një sirenë të largët.
Trego konsideratë për ta
Poetët janë si fëmijët e prapë
të përzënë prej shtëpisë së tyre nga e tërë familja
Lutu për ta,
ata kanë lindur të palumtur.
Nënat e tyre kanë qarë për ta
kanë kërkuar ndihmën e mjekëve dhe avokatëve
derisa hoqën dorë
nga frika se po prishen mendsh edhe ato.
Oh, qaj për poetët.
Askush s’mund t’i shpëtojë ata
kërdisur me poezi si ata që fshehin lebrozën.
Ata janë të burgosur në botën e tyre të fantazisë,
një geto rrëqethëse plot me demonë
dhe fantazma hakmarrëse.
Kur dielli shkëlqen fort në një ditë të kthjellët vere
ju shihni një poet të mjerë
duke dalë nga shtëpia me këmbët që i kalamenden, i zbehtë
si i ngritur nga varri dhe i shfytyruar nga mejtimet.
Vrapo dhe ndihmoje atë.
Shtrëngoja lidhëset e këpucëve, çoje në park
ndihmoje të ulet në një stol
nën diell, këndo pak për të,
bleji një akullore dhe tregoja një histori
sepse ai ka shumë brenga
Ai është tërësisht i rrënuar nga poezia.