Nga Bardha Nergjoni
Profesori i aktrimit, personazhi i mbi 30 filmave artistikë, aktori që është fiksuar nga publiku me batutat e tij të famshme, së shpejti rikthehet në një film me metrazh të shkurtër. Këtë herë në një rol të përndjekjes së aktorëve, Birçe Hasko është i mendimit se njeriu është produkt i kohës së tij dhe i komunizmit. Mohimi që shumë aktorë, regjisorë dhe njerëz të skenës i bënë prodhimtarisë artistike në komunizëm ishte një padrejtësi e madhe që sipas tij solli shkatërrimin e kinematografisë shqiptare.
Në kohën kur jo vetëm për nostalgji, po i rikthehemi asaj kinematografie, pedagogu i vlerësuar i aktrimit, njeriu i “ligjit dhe Maliqit” sjell mendimet e tij për Tesheshi.com
Roli i fundit, ai i vitit 2009 në “Kronikë provinciale” nuk është i fundit për ju. Në çfarë roli do t’ju shikojmë së shpejti?
Jam bërë pjesë e një filmi me metrazh të shkurtër të një regjisori të ri për dosjet e sigurimit. Ende filmi nuk ka dalë. Filmi “Kontromano” ose “Kundër rrymës”, bën fjalë për ndëshkimin e artistëve për konceptet e tyre, për veshjet pra modën etj. Do të dalë së shpejti.
Duke qenë se jemi tek kjo temë dhe kinemaja është në ditët e saj më të zeza, si e shikoni trajtimin e kinematografisë së realizmit socialist në këto vitet e stërzgjatura të tranzicionit?
Së pari, pati njerëz të artit që e sulmuan keq këtë periudhë të kinematografisë. Madje do të thosha me mendime injorante deri në heqjen fare të filmave të asaj kohe. Tani kanë filluar të rikthehen sepse u kuptua që ishte gabim. Njeriu është produkt i kohës së vet. Kush harron këtë gjë, gabon. Kinemaja shqiptare gjithashtu ishte produkt i atij sistemi. Të gjithë kemi jetuar në kohë dhe i jemi përshtatur kohës ku kemi jetuar. Problemi është të mos bësh dëme, të mos marrësh të tjerët në qafë kot. Të jesh i drejtë në ato që bën.
Kam lexuar shumë vlerësime nga ish-studentë tuajt për një kulturë të domosdoshme në çdo fushë, dhe padyshim përkushtimin..
Të paktën një gjë ju kam ngulitur në kokë ish-studentëve të mi: punë, punë, punë, punë derisa të kesh fuqi fizike dhe intelekt. Kështu hapat e para të të mësuarit me punën i kanë marrë kur kanë qenë student. Si pedagog kam qenë kërkues, sidomos ndaj vetes. Edhe kur isha vetë student isha zhbirues në heshtje dhe bëja seleksionim të atyre që do më vlenin gjatë jetës.
Keni pasur role që keni refuzuar apo që i keni kërkuar dhe nuk jua kanë dhënë?
Aktori nuk është fletë vizatimi. Ai ndërton karaktere ku ka analizë dhe sintezë. Analizën e bën aktori së bashku me regjisorin dhe është mirë të kenë një ujdi mes tyre. Nëse nuk ka një marrëveshje atëherë edhe shfaqja dështon. Unë bëj pjesë në ata aktorë që kam përzgjedhur role. Vetë aktori duhet të dijë të zgjedhë. Sigurisht që kam pasur edhe role që i kam dashur por që edhe më kanë refuzuar.
Keni personazhe të dashur nga filmat tuaj?
Derisa aktori derdh djersë i dhimbset çdo gjë dhe më shumë i dhimbset dështimi i një roli. Sigurisht që vlerësimin nuk e bën dot aktori vet sepse ai i takon publikut. Nuk dua të përsëris atë që thuhet nëse është vajzë apo djalë, pasi aktori për rolet e tij është si një prind dhe nuk e ndan dot dashurinë.
Si e shikoni rikthimin e Matilda Makoçi në jetën artistike?
Ju e shikoni si rikthim, ndërsa unë jo. Në gjithë këtë periudhë nuk ka pasur krijimtari në përgjithësi. Jam i sigurt që do ishte në skenë nëse do kishte kinematografi si atëherë.
Në fakt arti është në ditët e tij më të vështira në Shqipëri…
Shfaqjet sa po vijnë e po rrallohen pasi arti nuk bëhet pa investuar. Ushqimi shpirtëror duket i shtrenjtë por në të vërtetë tek ne shitet lirë. Arti është rubineti i fundit që hapet tek ne. Nëse lenë pak ujë rubinetat më lart atëherë do të vijë edhe pak ujë edhe tek ne, në të kundërt uji do të jetë gjithmonë më i paktë në art.
Si e shikoni “ligjin dhe Maliqin” në realitetin e sotëm?
E keqja tek ne është se këtu politizohen të gjitha. Njerëzit duhet të luftojnë për të vërtetën pavarësisht ku militojnë. “ligj dhe Maliq” ka dhe do të ketë në çdo kohë. Kush mendon ndryshe gabon për mua. Nuk ka përsosmëri. Përsosmëria është larg. Ju kujtoj një rast që ka lidhje me këtë fakt. Në vitin 1993 erdhi në Akademinë e Arteve Evgjeni Jeftushenko, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve rusë. U ngrit një që kishte bërë burg politik, unë nuk e njihja në fakt, dhe e pyeti nëse do vendoset drejtësia tek ne? Jeftushenko recitoi përpara(recitonte shumë bukur) e më pas iu përgjigj atij që e pyeti me një tjetër histori: një plak rus e kishte ftuar në 100-vjetorin e tij dhe Jeftuzhenko kishte ftuar një bashkëpoet kuban. Kubani e pyet 100-vjeçarin: O gjysh tek ju u bënë ndryshimet po tek ne çfarë do bëhet? Plaku rus iu përgjigj duke iu hedhur dorën në sup: Njerëzimi lufton por drejtësi nuk ka. Pra drejtësia është teori apo utopi dhe vështirë të arrihet sidomos në Shqipëri.