Isabel Allende, në shqip “Ishulli nën det”

Romani i përkthyer nga Adrian Beshaj me Botimet “Dudaj” shkon në vitin 1770, Santo Domingo, sot Haiti. Teteja është nëntë vjeçe, kur i riu francez Tuluz Valmorein e blen që të merret me punët e shtëpisë. Përreth janë fushat e kallamit të sheqerit, vapa ligështuese e ishullit, puna e skllevërve. Teteja mëson shpejt se si është ndërtuar ajo botë: dhuna e padronëve, ankthi i lirisë, lidhjet e çmuara të solidaritetit. Kur Valmoreini zhvendoset në plantacionet e Luizianës, edhe Teteja duhet ta ndjekë pas, por tashmë ka filluar beteja për dinjitetin, për të ardhmen, për çlirimin e skllevërve. Është një betejë e ngadaltë që përzihet me zgjimin e dashurive dhe pasioneve, me lidhjen e marrëdhënieve dhe aleancave, me lëvizjen e ethshme të personazheve të ndryshëm – ushtarë dhe skllevër luftëtarë, priftërinj vudu dhe murgj katolikë, zonja të rënda dhe kurtizane, piratë dhe fisnikë të rënë nga dynjallëku, mjekë dhe bukuroshë dembelë. Në sfondin shumë të gjallë të Historisë, Zarite Sedela, e mbiquajtur Tete, spikat e bukur dhe guximtare, luftarake dhe e vetëdijshme, një heroinë shumë moderne që vjen nga larg për të na kujtuar besimin te liria dhe dinjitetin e pasioneve.

“Kemi mësuar të mos diskutojmë për budallallëqet, por vetëm për gjërat e rëndësishme.”
Isabel Allende ka lindur në Lima, në vitin 1942, dhe jetoi në Kili deri në vitin 1973. Pas grushtit të shtetit nga Pinoçeti, u vendos në Venezuelë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vlerësohet si një nga zërat më të rëndësishëm të narrativës bashkëkohore në gjuhën spanjolle.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *