Filipika e Edi Ramës

Nga Enver Robelli

E dëgjova dhe pastaj edhe e lexova fjalimin e rrufeshëm të Edi Ramës kundër degradimit të skenës mediale shqiptare. Në shumë pika kryeministri i Shqipërisë ka të drejtë. Por duke parafrazuar «Faustin» e Johann Wolfgang von Goethes duhet thënë: «Haberin, zoti Rama, po e dëgjoj, por zor të të besoj». Ju flisni kundër «analistëve e portalistëve», që profesionin e tyre e keqpërdorin për të prodhuar gënjeshtra e për të linçuar kundërshtarët në politikë apo biznes. Dhe bëni mirë që e hapni këtë temë. Për fat të keq ka shumë «analistë dhe portalistë» të tillë nga Saranda në Suhadoll.

Duke imituar filozofët antikë ju mbani një filipikë, pra një fjalim me pasion, kundër një murtaje publike. Por në filipikën tuaj, zoti Rama, ka një hile, një mungesë sinqeriteti. Ju si kryeministër dhe polemist i zoti flisni tek tani kundër murtajës mediale, pasi mediat kanë nisur t’ju dalin nga dora, madje edhe t’ju godasin ashpër me fakte dhe pa fakte. Flisni për gazetarët manipulues në fund të mandatit tuaj, tash kur në vendin tuaj po rritet presioni dhe po lulëzon marihuana. (Për këtë problem së fundi nuk shkruan portalet armiqësore shqiptare, por vetë revista «The Economist», e cila po ashtu ka një portal).

Për të prekur thelbin e problemit që ju zoti Rama keni me mediat: pikërisht kjo strukturë «analistësh dhe portalistësh» të cilët tani po i demaskoni e mallkoni është garda me të cilën ju keni bërë dhe bëni politikën, të cilët ekipi juaj i ndërsen kundër oponentëve politikë, qofshin ata brenda- apo jashtëpartiakë, me këtë soj «analistësh» ju bridhni në vizita brenda dhe jashtë vendit, i merrni për dore, shkoni në studiot e tyre, i përkëdhelni, shkëmbeni batuta me ta. Meqë ende jeni me përshtypjet nga vizita në Serbi, duhet përmendur se serbët e kanë një thënie: «Kasno Janko na Kosovo stiže». Pra, vonë Janko arriti në Kosovë. Bëhet fjalë për Jankon që s’mbërriti në Betejën e Dytë të Kosovës të vitit 1448. Këtë betejë e zhvilluan hungarezët dhe shqiptarët kundër osmanëve dhe nga historianët seriozë konsiderohet më e rëndësishme se ajo e vitit 1389, që keqpërdoret për mitin serb.

Edhe ju, zoti Rama, jeni shumë i vonshëm në këtë debat dhe po reagoni vetëm kur gjithnjë e më shumë njerëz edhe brenda partisë suaj po e humbin durimin me mënyrën se si qeverisni dhe si komunikoni me publikun. Megjithatë, problemi që keni prekur ekziston dhe është shumë e nevojshme që skena mediale të pastrohet prej hajdutëve. Këta hajdutë nuk do të kishin vend në skenën mediale nëse politika nuk do t’u kishte krijuar rrethanat për një simbiozë ku vegjetojnë politikanët, (b)analistët dhe mafiozët.

Publiku nuk është i verbër. Publiku pyet. Si u bë që në Shqipëri e Kosovë, ndër vendet më të varfra në Europë, të krijohet një strukturë «analistësh» që punojnë si dama të eskortit, krijojnë pasuri të paligjshme, kanë llogari të majme bankare, vila, vetura të shtrenjta, orë «Rolex» apo «Patek Philippe»? Kjo strukturë u krijua me ndihmën e politikanëve, të cilët vendosën të ndajnë një copë nga resurset shtetërore edhe për «analistët». Njëra dorë lan tjetrën. Një poshtërsi plotësohet me poshtërsinë tjetër.

Për fjalimin e fundit të zjarrtë kundër mediave Rama mori si shkas debatin që zhvilloi në Prishtinë. Por hallin e vërtetë Rama e ka në Tiranë. Andaj edhe sikur në Prishtinë t’i nxirreshin përpara tre gazetarë kinezë dhe tre holandezë – Rama prapë do të ofendonte. Në këso situatash ka vetëm një ilaç: ose je i përgatitur me fakte për çdo eskalim të situatës dhe ia kthen me tarifën e njëjtë, ose del nga studio.

Për fat të keq prej vitesh në ambientet tona mediale ka nisur periudha postfaktike dhe kafehania është zëvendësuar me studio televizive. Publiku më shumë u dashka t’i besojë ndjenjave dhe spekulimeve se sa fakteve. Qëllimi arsyeton çdo mjet. Mjeti nuk zgjidhet. Jetojmë në demokraci dhe secili ka të drejtë të thotë mendimin e tij, por askush nuk ka të drejtë që faktet e fabrikuara t’i prezantojë si të vërteta sublime, siç po ndodh shpesh në studiot tona televizive. Aty fillon dhe mbaron gazetaria të cilës nuk po i beson më gati askush. Pothuaj se nuk ka më gazetarë që kryejnë punën klasike: raportimin nga terreni. Kur keni lexuar një reportazh të mirë në ndonjë medium shqiptar? Apo një portret mësuesi nga ndonjë fshat i humbur i Kukësit? Korrespondentë nga provinca gati se nuk ka më. Bota sillet e rrotullohet në studiot televizive të Tiranës dhe Prishtinës, ku moderatori luan rolin e dominës me kamxhik në dorë duke iu grahur do burrave që blegërojnë si delet në fushë.

Kjo situatë bizare ka deformuar edhe pritjet e publikut. Është krijuar bindja se gazetaria bëhet pa financa dhe gazetarët jetojnë nga ajri, andaj shumë lexues e edhe më shumë klikues mendojnë se për t’u informuar nuk duhet paguar asnjë cent. Për shkak të këtij keqkuptimi gjithnjë e më shumë gazetarë të mirë mendojnë të largohen nga ky profesion ose janë larguar tashmë, ndërkohë që skena po mbushet me tyxharë të pistë, të cilët gazetarinë e shfrytëzojnë si trampolinë për t’u kacavjerrë diku në pushtet apo për t’ju vënë gjoba bizneseve.

Prodhim i këtij sistemi medial është edhe Edi Rama. E ka ushqyer dhe ushqehet nga ky sistem medial, i cili i tillë ka qenë edhe në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha. Për ta kopjuar këtë sistem u treguan shumë të zellshëm edhe turma tyxharësh medialë në Prishtinë. Kështu u dha edhe një dëshmi: jemi një! Por jo në punë të mbara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *