Rrëfime nga Plava dhe Gucia në filmin më të ri të Isa Qosës

Projekti i katërt në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë-artistik, që u përkrah së fundmi nga Qendra Kinematografike e Kosovës, është “Skype”, me skenar e regji nga regjisori i mirënjohur kosovar Isa Qosja. Ky projekt me një rrëfim interesant por ende të pa përfunduar, kllapën e parë të xhirimeve do ta nisë në maj të 2017-ës. Regjisori Qosja, në një intervistë për KultPlus, shpalosi detaje lidhur me këtë projekt që rezulton ende në letër.

“Unë bëjë punën e regjisorit ndërsa Qendra Kinematografike e Kosovës atë të prodhuesit të pjesërishëm. Nuk e shoh ndonjë befasi në këtë kahe që kishte me ndezë shumë entuziazëm tek unë. Aq më tepër kur dimë që unë kam moshë dhe kohë për entuziazëm. Di vetëm që duhet punuar dhe vazhdoj ta bëjë këtë”, nisi kështu të tregoj regjisori Isa Qosja, për marrjen e lajmit të subvencionimit të projektit të tij.

“Skype”, do të sjellë disa përralla për një vend dhe për njerëzit që jetojnë atje. Për Plavën dhe Gucinë…Por edhe për të gjithë ne. Në fakt regjisori ka folur me gjuhën dhe ndjenjat e njerëzve nga realiteti jetësor aty. Për hallet e tyre karshi shpërnguljes së pandalur në Amerikë. Në “Skype”, regjisori ka folur për shitblerjen e grave në të dy anët e kufirit dhe për tri gjenerata të humbura të femrës shqiptare, pikërisht si pasojë e emigrimit.

Isa Qosja, tregoi për vështirësitë që ka pas me punën me skenar, dhe për atë se sa do të jetë i vështirë realizimi i këtij projekti.

“Gjithnjë është e vështirë puna me skenar. Ne e dimë që skenari është baza për një vepër të mirë apo për një dështim. Skenari është problem i kinemasë jo vetëm tek ne, kudo në Evropë. Unë e kam sjellë një ide ta pambyllur plotësisht si përrallë. Në bashkëpunim me aktorët dhe bashkëpunëtorët e tjerë, pas disa muajsh do e mbyllim këtë”, pohoi regjisori duke shtuar se për të kjo është faza më e vështirë.

“E kam parim që filmin e përgatiti në qartësi maksimale para fillimit të xhirimit dhe xhirimi është ekzekutim dhe manifestim i veprës së aktorëve. Unë atë manifestim vetëm e evidentoj përmes kamerës. Kjo më jep kënaqësi. Nuk e shoh aspak të vështirë këtë fazë për mua”, tregoi në lidhje me realizimin Isa Qosja.

Filmi “Skype”, do t’i ketë nëntë personazhe dhe disa të tjera të rëndësisë mbështetëse. Isa Qosja, nuk do të hap audicion për aktorë, për dy arsye të rëndësishme.

“Nuk e kam parim të hapi audicion. E para është për faktin që njoh shumicën e aktorëve. Ndërsa e dyta është se nuk dua të bëjë audicion ku t’i i teston 40 aktorë dhe merr vetëm një. Të tjerët do të ndihen të diskualifikuar apo të zhveshur nga vlerat prej aktori. Nuk dua të ndihen ashtu, sepse vërtetë ne kemi aktorë të mirë dhe personalisht me vjen shumë keq që nuk kam mundësi t’i angazhojë të gjithë ata me të cilët kam punuar edhe në projekte të tjera”, theksoi Qosja.

Producent i “Skype”, do të jetë Bajrush Kajtazi. Sipas regjisorit Qosja, ai është një menaxher shumë i mirë dhe energjik dhe që përcjell në çdo hap ritmin e punës së tij dhe e bën të ndihet i sigurt në planifikimin e projektit. “Skype”, kllapën e parë të xhirimeve pritet ta hapë në maj të 2017-ës, ndërsa premiera do të shfaqet në gusht të 2018-ës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *