Rrëfehet Justina Aliaj: Ja si na ngacmonin seksualisht drejtuesit e Sigurimit, shumë artiste dorëzoheshin!

Këngëtarja Justina Aliaj, e cila ka përjetuar ferrin komunist, pasi u dënua për festivalin e famshëm të 11 të RTSH-së, tregon ngacmimet seksuale në kohën e diktaturë.

Duke folur në një intervistë për “Panorama”, ajo thotë se shumë artiste jepeshin.

A e spiunonin artistët njëri-tjetrin?

Sigurisht që po. Ishte e zakontë.

Si ruheshit ju, kishit frikë?

Nuk duhej të flisja. Në qoftë se flisja, nuk flija rehat pastaj.

I keni njohur ju ata artistë që kanë spiunuar?

Ato ishin gjëra që ne i kuptonim, i dinim.

Sa e vështirë ishte të jetoje në atë realitet?

Nuk ishte realitet, ishte një jetë rrenash. E neveritshme. Do të dilje që nga mëngjesi deri në darkë për të gënjyer dhe jo për të qenë vetvetja. Ndodhte që të shkoje dhe të thoshe se kam dëshirë të këndoj një këngë angleze dhe ata çohen dhe bëjnë mbledhje partie. Nuk e kuptoja, sepse nuk po kërkoja diçka thua se çfarë.

Ju e përmendët që femrat përdorin hiret për të bërë karrierë. Juve në atë kohë ju lakmoi dikush nga udhëheqja hiret, për t’ju ofruar më pas një karrierë e jetë më të mirë?

Patjetër që kishte lakmime apo gjëra të tilla. Është e vërtetë, por njeriu e di vetë çfarë bën. Njeriu duhet të shohë në sy drejt gjithkënd, kjo për mu është lumturi. Duhet t’i lëmë të kalojnë, por në atë kohë ishin si bukë me djathë.

Edhe me ju ka ndodhur?

Po, ka ndodhur edhe me mua, edhe unë nuk mund t’i shpëtoja atij sistemi.

Si reagonit?

Bëja sikur nuk kuptoja, por pastaj kisha marrë dënimin. Nuk këndoja për kohë e kohë, më hiqnin nga një koncert, nga një tjetër, e kështu me radhë. Është një gjë që më vjen keq që më pyetët, por edhe më vjen keq të gënjej.

Pra kishte ngacmime seksuale?

Po, kishte. Madje, kur flisnim ngushtë me dy-tri shoqe që kishim, thoshin se “e kanë për detyrë”. Ishte e dhimbshme, por secili din vetë çfarë bën dhe e ka për vete gjithsekush.

Pra, refuzuat ngacmimet për të qenë sërish në skenë e suksesshme?

O Zot i madh! Normal që kam refuzuar. Unë s’kisha nevojë asgjë prej tyre, sepse në radhë të parë është gjaku që nuk shprishet dhe në radhë të dytë, kisha aftësitë e mia dhe nuk doja asnjë lloj ndihme veç t’më linin të hypja në skenë dhe në skenë unë nuk hypa për 18 vite.

Një debat i madh për shkrimtarin Dritëro Agolli, akuza, kundërakuza, debate, kundërshti. Ju e keni jetuar atë kohë, cili është perceptimi juaj për të?

Këto janë fenomene që hasen dhe që është e pamundur t’i rrëshqasësh. Për sa i përket Dritëro Agollit, unë nuk i them në emër, por i them “I Ndrituri”. Ai është një gjigant i letrave shqipe. Unë nuk guxoj të them një gjë që është e pakëndshme për të, sepse Dritëro Agolli është i vetmi njeri që në kohën kur mua m’u mbyllën të gjitha rrugët, më ka hapur derën e shtëpisë së tij, së bashku me bashkëshorten e tij, Sadije Agollin, që është një vajzë e Shkodrës.

Dritëroi është një fuqi, një potencial, që unë ndihem krenare që jetoj në epokën e tij. Dritëroi është një filozof i poezisë, i mendimit, është një njeri që baltën e vesh me melodi poetike. Poezia e tij më ka mrekulluar gjithmonë. Është gjenial. Te thjeshtësia e tij qëndron madhështia. Si njeri ka qenë dhe është një pupël, nuk e rrëzonte me brutalitet, por me pendën e artë të tij.

A kishte lidhje me sistemin monist, siç ka nisur të akuzohet apo siç mendojnë disa?

Jo. Unë që kam hasur realitetin, them se jo. Madje koniunkturat kanë ekzistuar gjithmonë. Unë nuk e kam parë asnjëherë që ai të rrëshkasë ose unë të mendoj që në një moment po vepron keq. Kishte privilegje për Dritëro Agollin nga sistemi diktatorial? Jo, nuk mendoj. Nuk ishte në të mirën e asnjërit, qoftë edhe të elitës që ta përjashtonin apo dënonin, sepse ishte shumë i madh, shumë gjigant.

Nuk mendoj se është një ide e mirë për të thënë atë çfarë nuk duhet, por ai ishte një njeri shumë i butë dhe shumë i arsyeshëm. Ka mbërritur dhe ka shkuar në Komitet Qendror dhe ka thënë “Justina Aliaj më është kthyer në fantazmë dhe dua vetëm një fjalë t’ju them: kam kurajën civile t’ju them se talentet nuk lindin çdo ditë”. Kështu ka thënë për mua dhe nuk ka pasur asnjë interes. Unë isha e dënuar dhe, megjithatë, e ka shprehur. Sa i përket artit, është një fat i madh që e kemi.

Është një njeri që i sheh gjërat në një mënyrë të tillë apo në atë këndvështrim për sendet, për kafshët, për pyllin apo për drunin. I sheh në një dashuri platonike. Ata janë personazhe, ata flasin, qan pylli për sorkadhen thotë. Po t’i dëgjosh, mbase as në përralla nuk i gjen, aq bukur i shkon imagjinata. Për breshkën, është e bukur thotë, “e morën breshkën, erdhi në bulevard, i bukur bulevardi, por s’ka ferra”. Sa i bukur është si mendim. Kaq dhe e lë se është i urtë, është i ndritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *