#Takohemi për një libër u ‘mblodh’ në Gjirokastër në Shtëpinë Kadare, ku Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, studentë, nxënës të shkollave të mesme ishin miq në Odanë e Madhe të shtëpisë historike. Ata shkëmbyen mendime dhe diskutuan për librin, autorët, kulturën e leximit dhe preferencat për gjini të ndryshme. Të rinjtë u shprehën të emocionuar për këtë takim leximi, sepse “Të lexosh Kadarenë në gurët ku ka lindur është jo vetëm emocionuese, por një pikë takimi e rëndësishme me shkrimtarin, pasi aty gjen të ekspozuara edhe objekte origjinale të shtëpisë së Kadaresë, mes të cilave djepi i lindjes”.
Ministrja Kumbaro theksoi edhe njëherë rëndësinë e të qenit bashkë në një vend të rëndësishëm të Gjirokastrës, si “’Shtëpia Kadare’ , e cila nuk është thjesht një projekt rijetëzimi, jo thjesht një qendër muzeale dhe kulturore, por synon krijimin e një modeli të ri të suksesshëm, duke krijuar qeliza të reja administrimi dhe menaxhimi në kulturë dhe trashëgimi dhe duke zhvendosur polet e kulturës nga qendra në periferi”.
Ministrat u shprehën të gatshëm të ndihmojnë të rinjtë në projektet e tyre , duke nxitur njëherësh energjinë dhe dinamikën e brezit të ri, që ka rrënjët në një qytet me traditë, kulturë si Gjirokastra. Ne fund të leximeve, Ministria e Kultures dhuroi libra wordpress nxenesve dhe studenteve.
Ministria e Kulturës shpalli muajin tetor muaj të leximit duke organizuar Fushatën Kombëtare të Leximit, nën moton “Takohemi për një Libër”.
Kjo fushatë leximi synon të orientojë shoqërinë, në veçanti brezin e ri, drejt kulturës së të lexuarit.
Gjatë muajit tetor e gjithë Shqipëria është përfshirë në realizimin e shumë veprimtarive të programuara jo vetëm nga Ministria e Kulturës, por edhe nga të tjera institucione të artit, kulturës dhe edukimit. Nisma të reja jo institucionale iu bashkuan kësaj fushate duke e kthyer moton “Takohemi për një libër” në një takim ku shkëmbehen libra, autorë, mendime dhe ide për të gjitha grupmoshat.