Niels HAV
Kur jam i uritur, mendoj për gjinjtë e tu
që s’i kam parë kurrë –
dhe për vështrimin tuaj kalimtar rus.
Ndërsa ju shikoni paprerë përreth dhomës
si një nga tri motrat melankolike të Çehovit
që pijnë çaj tërë kohën dhe bisedojnë
për të udhëtuar drejt Moskës.
Oh, le të vallëzojmë së bashku sonte
në një klub nate në Moskë.
Jeta është bërë kaq komplekse.
Ju luani piano dhe keni ndërmend pamjen
e një varreze, ku dielli dimëror rrezon
duke medituar gjithë pasditen
ndërmjet gurëve të varreve.
Oh, le të vallëzojmë së bashku sonte
në një klub nate në Moskë.
Kur jam i uritur, mendoj për gjinjtë e tu
gojën tënde ruse, dritën e verdhë në kuzhinën tuaj
që s’e kam parë asnjëherë, as atë –
Dhe për kyçet e duarve tuaja të forta kur prisni
fetat e bukës dhe hani ngadalë në këmbë
duke shikuar e hutuar jashtë nga varrezat
dhe dëgjuar një simfoni ruse të Rachmaninov.
Oh, le të vallëzojmë së bashku sonte
në një klub nate në Moskë.
Por të ngurrosh është humbje kohe: Dua
të shoh gjinjtë e tu! Çehovi piu shampanjë
në shtratin e tij të vdekjes dhe Rachmaninov vdiq në SHBA
Gropa e zezë na pret të gjithëve, Prandaj hajde
ashtu siç je, le të shkojmë në Moskë!
Oh, unë dëshiroj të vallëzoj me ty sonte
në një klub nate në Moskë.
Përkthyer nga Kujtim Morina/ Shkëputur nga libri me poezi “Shpirti vallëzon në djep”