Rrëfimi i Vladimir Myrtezait: Për Tiranën, Shkodrë dhe Ramën

Vladimir Myrtezai në librin “Atdheu dhe Dasanta H”, një libër me rrëfime dhe refleksione, rikthim në gjendjen e gjërave që nuk lëvizin, për të errëtën e vështirë, shqetësimet e piktorit për të komunikuar përmes “fjalës”, vjen për herë të parë si botim në UET Press; ekstremiteti i rendit, kaosi dhe kodet që ndajnë periferinë nga qendra, raporte të ndeshura në kontekste marrëdhëniesh njerëzore; një piktor i angazhuar që ndjen nevojën e shprehjes, për qytetin, Tiranën, njerëzit e thjeshtë e politikanë si një kujtesë në dy kohë.

Intervistoi: Violeta Murati

Ka një asocim figurativ në rrëfimet “Atdheu si Dasanta H”. Si vjen mendimi me imazhin në paralele të njëra-tjetrës. Është intuita apo shqetësimi që ju nxiti të jepni këto refleksione e tregime?

Së pari, procesin e të shkruarit e kam si një film të cilin e shoh in perpetuum, dhe rend shpejt ta kapërdij me fjalë, e më pas ndaloj për t’iu rikthyer që të mos vras imazhin që më ngjitet si një lloj sundimi që më lodh e më argëton njëherësh. Duket si qejf, por më pas vjen një lloj analize që më bën të rikuadroj ndodhinë apo shkakun e parë. Më nxit një lloj memecllëku që bashkëshoqëron artistët në traditën e tyre për të qenë të fshehur pas veprës, dhe ky është një shkak ripërjetimi i disafishtë në jetën e tyre. Doemos që intuita është e para, ku më pas vjen disiplina, dija, kultura e kështu me radhë.

Rrëfimet si ontologji zbulojnë, përpiqen të shprehin të errëtën e njeriut. Ju i konsideroni këto si rrëfime të një njeriu, arratisje fantazie, diçka nga bota ëndërrimtare. E lehtë për ta thënë, por në këtë rast, pse kjo nevojë artistike tek ti?

Ndonjëherë ke nevojë të ndjesh jehonën e asaj çfarë ke krijuar apo bërë. Është një lloj lundrimi që nuk e ke në dorë ta ndash, sepse nëpër dhomat e mendjes instinktivisht asociojmë ndodhi, fenomene apo opinione me veti të caktuara mbi qenien. Pra, gjithnjë ka një shkak që bashkudhëton me njeriun e përditshëm. Unë shpërfaqem si pasojë e këtyre shkaqeve të panumërta, me një status të pashkruar dhe ashtu padashje jam i nënshtruar të ndjek reagimin tim të lirë ndaj këtyre shkaqeve, që në fakt mbushin jetën e një njeriu – përditshmërinë, humorin, ulje-ngritjet etj. Të qenurit në jetë apo ekzistenca nënkupton edhe rrëfim. Kujtoni, për shembull, Vivir para contarla të Marquez-it, ku rrëfimi si i tillë shestohet pikërisht për hir të rrëfimit.

Duket sikur keni përjetuar një betejë të heshtur midis imagjinatës dhe mendimit. Sa bëhet e vetëdijshme kjo në momentin që kërkoni ta zbuloni, ta dëshmoni. Sa letrar bëhet një artist, dhe sa piktor bëhet vizualisht përmes shprehjes një shkrimtar?

Më shumë synoj të pavetëdijshmen, se me të vetëdijshmen jam i mërzitur, meqë jetoj me të përditë. Do isha i lumtur që e gjithë vetëdija ime prej artisti të shkelte në zonat e të pavetëdijshmes, si një lumturi e parë e shkelur vetëm nga unë. Vendosja e një kufiri mes shkrimtarit dhe artistit më duket si një fatalitet që asgjëson vetveten, por që ruan një shkëndijë të besueshme në shkrirjen e të dyve, pikërisht në këtë zgjedhje si një identitet i pashkoqur marrës e dhënës, që nuk më shqetëson, por më ndihmon të rrëfehem pa u kontrolluar për zonën e kompetencës apo për morfologjinë: më vjen ta vjell sa më të paprekur atë që mendoj, lirë e pastër. Ka piktorë që shkruajnë shumë bukur, sikurse ka shkrimtarë që pikturojnë po aq mrekullisht virgjër. Ka shumë raste që e vërtetojnë këtë kufi bashkues: janë filozofitë nga ku marrin shkas të dyja palët, në një kufi të shpërbërë tashmë. Multikulturalizmi është një modus që nuk ndan, por fton drejt shprehjes së artistit dhe shkrimtarit.

Keni një përvojë si pedagog në Universitetin e Arteve, që ka bashkëshoqëruar karrierën tuaj si dhe një jetë reale për të jetuar apo mbijetuar. Një artist si në rastin tuaj, sa ka nevojë për politikën?

S’më duket si nevojë, por shpesh, harta e pozicioneve që ne zgjedhim ka nevojë të brendakonsumohet. Ka politikanë që jetojnë në sfera të larta konsumi kulturor, siç ka dhe artistë që shpërfillin politikanët, pasi janë të panevojshëm në jetën e tyre. Është një raport që shkëmbehet për shkak të kulturës të të dyja palëve. Nëse ky raport ndërtohet në varësi të intereseve për mbijetesë, do kemi një artist të vdekur dhe një politikan të pafat e të kryer. Ka artistë që në një mjedis të lartë ndërkulturor shkëmbehen, por në një atmosferë të realizuar edhe me politikanë. Ka ndryshuar modeli. Në thelb, një artist është një njeri që sheh tej rregullit dhe ushtrimit të pushtetit, ashtu siç dhe ka politikanë që për peshë rëndese përdor një artist për kosto politike. Këto ndodhin ngaqë ne jetojmë në një ndërvarësi njerëzore të pashmangshme. Por, në fakt, një artist supozohet si një ndërgjegje e zhvendosur, si shkak i ri dhe i pakontrollueshëm falë dhuntisë së tij që përvijohet në një zonë ku nuk vëren gjithkush.

Artisti është parë gjithmonë si një subjekt politik në Shqipëri, i pabesueshëm në lirinë e tij, në krijimin e një atmosfere artistike të kësaj natyre. Për shembull, po citoj një fragment nga rrëfimi i parë: “…prania e një artisti kishte krijuar një hije të bukur e të distancuar nga ajo që njerëzit përdornin dhe vinin në jetë përditë. Kishte mbuluar me mister radhën e kuriozëve të pakontaktuar me këtë kulturë të re. Po aq kishte edhe një thashethemnajë të mjaftë për ta bërë edhe më enigmatike situatën e krijuar në lagjen tonë. Fakti që piktori kishte mbaruar për pikturë në ish-Bashkimin Sovjetik e bënte edhe më të largët dhe më me gropa misteri këtë thashethemnajë…”. Pse vazhdon ende të ketë këtë aureolë misteri me mbetje nga diktatura?

Po, dakord. Në këtë rast ju flet një fëmijë nga një kohë krejtësisht e izoluar, ku artistët ishin të rrallë dhe e gjithë jeta – sipas fëmijës në fjalë – vjen si një animacion i ëmbël e lundrues. Edhe sot nuk duhet ta mohojmë që jemi të dënuar nga fataliteti i kohës që jetuam. Jetën ta dhurojnë. Ai fëmijë ka mitet e tij të pashpjegueshme, po aq dhe arsyet për ta parë jetën si nga fundi i fundit të tij. Në opusin e një fëmije ka projeksione që nuk ndërhyjnë dot format e larta të njohjes. Në fakt ai është personazh i një projeksioni të largët, që do gjithçka që jeton, ashtu pa faj.

Refleksione, gjendje filozofike ndërsa nga kjo metafizikë zbret në tregime, direkt në një jetë njerëzore tmerrësisht të thjeshtë. Janë shpesh paradokse me të cilat jetojnë shqiptarët, duke “shpërfillur” në një masë të konsiderueshme koshiencën reale. Pse këto qasje ekstreme mes mendimit dhe realitetit? Pse ky paradoks në rend, për t’u shprehur në mediumin letrar? Pamundësia?

Me siguri gjendjet që vijnë në shkrimet e mia nuk kanë luksin për të qenë të zgjedhura si me kast. Si nomad unë përpiqem të pellgoj ngado dhe të zhbëhem në një realitet jo të zgjedhur. Një teknikë dhe nevojë komunikimi për t’u hapur me lexuesin përmes filtrit të këtij mediumi magjepsës, siç është fjala, por edhe për të prekur shpirtrat binjakë që janë të ngjashëm për shkak të një grupimi njerëzor që ndan të njëjtin ajër. Pastaj një shkak i madh që po e shkruajnë njerëzit sot është fakti se ata ndjehen të lirë. Tjetër gjë dukuria që shpërthen forma të reja identitare, ku ata mund të përkasin, dhe tjetër gjë është fakti që ne kaluam një kohë me mjaft interes për shkak të një ndrydhjeje të lirisë së shprehjes, dhe për këtë unë mendoj se fjala është në vijë të parë për të zhbrengosur gjithçka që i mbetet merak e i mungon qenies. Kohë e favorshme shkrimtarësh. Ka edhe një gjë shumë të rëndësishme: brenda meje fshihej një flirt i zgjatur me gjuhën si një dalje që duhej vënë në provë me veten dhe publikun. Synimi im, si lëndë me zgjedhje, kanë qenë njerëzit periferikë, ose ndryshe të çmontuar nga një trend përjashtues i kohës.

Duket se libri juaj, nisur nga titulli, shkakton një debat kulturor mbi konceptin e atdheut, pse kjo sfidë? S’besoj të jetë aq i frikshëm “atdheu” tek ju, apo aq dëshpërues sa për të trazuar rregullat, kodet?

Unë s’kam frikë, për aq sa ushqehem dhe ndjej një lumturi të zgjedhur e të fituar për këtë shkak. Një shoqëri, në mos sot, nesër duhet ushqyer me një formë të zgjatur kulturimi, pasi mund shohim më shumë e më thellë, dhe do kemi lumturi të ngjashme që nuk mund të kenë një prerje të shkurtër për t’u identifikuar me disa konvencione të postuara në ndërgjegjen e një populli. Unë nuk bëj gjë tjetër vetëm sa zhvendos zgjedhjen time nga një flamur, himn apo çfarë të jetë, që e përkufizon atdheun qoftë edhe me metër apo kilometër katror. Unë e hap kornizën dhe ftoj njerëzit ta perceptojnë atdheun si një pronë të zmadhuar kulturore. E kuptoj që në ndonjë rast edhe unë përlotem për atdheun nga një ndeshje futbolli, por nuk mjafton të vdesësh në pragun e një postimi të drejtpërdrejtë e instinktiv – duhet më shumë tokë e më shumë qiell për atdheun e madh, atë të ideve, që ta perceptojmë lirinë pa kufij, pa ngastra pronësie, qoftë edhe si logo.

A mund të kemi një identifikim me atdheun, apo një klasifikim të tij në mënyrë identitare?

Atdheu për mua është mjaftushmërisht liria ime – të tjerat janë punë, ego, sukses, çfarë mban shpina e njeriut apo e një grupi njerëzish. Kur cilësisht kemi përballë nesh një kufi të shpërbërë, atëherë duhet të krijojmë atdheun tonë të zhvendosur, si një cilësi apo ide e re.

Të bëjmë pak politikë. Diku në gojën e një personazhi thoni diçka të ngjashme, se “arti i qeverisjes mund t’i ngjante vetë artit…”. Ne kemi një kryeministër piktor, miku juaj, koleg… a ka një besim tek ju, mbi këtë perceptim, si shenjë e ligjësive se mund të jetë plotësisht e mundur për të mbajtur një pushtet politik?

Patjetër që po, për shkak të një profili të hapur e kompetitiv. Mënyra se si i vertikalizon politikat një lider, kur ato janë në favor të zhvillimit dhe të shndërrimit nga një avaz i avashtë e burokratik drejt një praktike më lëvizëse, patjetër që po. Është si në art: me të njëjtat ligjësi ji i hapur dhe beso në një ëndërr shndërruese. Mundet. Mund të jesh i papranueshëm apo i parakohshëm dhe në diskordancë shijesh me të gjithë, por kjo është një gjë fantastike për të ndryshuar realitetin – kërkon energji, konflikt idesh, projekte te mira e gjëra të tjera që i afron koha. Në tendencë të pyetjes suaj në raport me Ramën,më të lumturit e të parët ndaj pushtetit të tij kam vënë re janë të gjithë ata që punojnë jashtë Shqipërisë si realitete të pavarura nga ai, më pas vijnë ata me të cilët ushtron pushtetin dhe të fundit miq nga kohë e ndaluar dhe e vjetër e ish-miq që me hidhërim kanë humbur çaste të bukura miqësore dhe shkruajnë libra. Por, kështu është ky lloj profili, i pandreqshëm.Në ego të lartë !Siç vetëdeklaron mes skizofrenisë si temperaturë e lartë dhe artit, duke e nënkuptuar artin e politikës si mundësi e mjet realizimi, dhe aty ku nuk mundet.

Ju jeni një vëzhgues aktiv, gjithashtu i përfshirë, i angazhuar në qasje sa artistike dhe politike për çfarë ndodh në panoramën e arteve pamore në vend. Çfarë nuk po ndodh këtu që të na identifikojë si kulturë qoftë tipike shqiptare, por dhe të paktën afri europiane?

Ka një vorbull shprese. Për shkak të historisë sonë ne vuajmë proceset lineare të historisë duke përfshirë edhe proceset përmbysëse. Vitet pas ’90-tës janë një shfrim i vrullshmëm e i pakontrolluar, pa iu nënshtruar një procesi të tillë linear zhvillimi. Por, nuk të pret njeri edhe qoftë për faj të kësaj historie. Për këtë arsye pati një shkatërrim të menjëhershëm të të ashtuquajturave struktura të një arti të kontrolluar nga lart, si një praktikë e hedhur, e përjashtuar me shpejtësi nga artistët e sotëm. Aq në ritëm të shpejtë ndryshon gjithçka, saqë nganjëherë gati po konfondohet arti e politika si një mjet për të strukturuar ndërgjegjen masive. Gjithsesi jetojmë në një epokë të hapur dhe në liri, pa kushte, ku arti nuk është çështje zgjidhjeje, por zgjedhjeje; si shprehja më e lartë e lirive të individit.

Në fund, me një mendim si pjesë e angazhuar te hapësira kulturore e Mapo-s, një nismë e konkretizuar në një shtojcë letrare qysh në themelim. Si e konsideroni si mecenat letrar në tregun e sotëm, ku informacioni mbi letrat shqipe është i mangët sidomos në mbështetje?

Kam rastin t’ju zbuloj se një nga arsyet që jam afruar me Mapo-n është pikërisht Mapoja, një emër që rrëshqiste në ndërgjegjen time humbur në fëmijëri, kur kisha një tërheqje të fshehtë. Më duket se përherë, thellë-thellë kam mbetur po ai fëmijë me dëshira të fshehura e të mistershme. Nuk kam ndryshuar. Jam po ai.

Te faqet letrare ka një ngjashmëri, por, veç disa njerëzve të rinj e të kulturuar, ngjet të gjej miqtë e mi të vjetër të para nëntëdhjetës, që në fakt paralajmëruan nëntëdhjetën dhe emigruan apo hardisen nëpër Shqipëri në kontribute të ndryshme. Ata janë majtas e djathtas e në qendër, me një aromë të mirë që më shtyjnë të jem me ta e të ndaj këtë ajër tërheqës.

Flisni sikur jeni i dashuruar…!?

Ndoshta i dehur po, si çdo shkrimtar apo artist që gjakon ta ndajë ajrin e tij si frymën e një njeriu me të cilën do të flasë e të flasë e të flasë pafund, si në një vepër arti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *