Reshat Arbana, Tinka Kurti e Margarita Xhepa bashkë në një film

“Yjet e së ardhmes” është titulli një filmi artistik me metrazh të plotë, i cili prodhohet nga MultiMediaStudio “Nositi” – Film & TV Production. Pas mbylljes me sukses të fazës përgatitore, produksioni, me regjisor dhe producent – Edmond Topi, producent ekzekutiv – Besim Kurti, drejtor fotografie – Leonard Qëndro, skenograf -Andon Kono, kostumograf – Rebeka Alla, kompozitor – Saimir Çili dhe Montazhier – Elidor Markja do të nisë ditën e djelë xhirimet. ÇAKU i PARË dhe ceremonia përkatëse është planifikuar ditën e Djelë, ora 11.00, në Shtëpinë e Zotërinjve – Ura e Limuthit përballë City Park – i cili është edhe objekti kryesor i xhirimit.
Në qendër të filmit është një artist i pa “shpërthyer” akoma, i cili bashkë me kompleksin e tij shpreson të fitojë konkursin kombëtar “ Yjet e së nesërmes”. Pas një procesi gjyqësor përfundon në një azil ku si shefe ka fqinjën, të cilën e “torturon” çdo natë me muzikën tij. Ndërkohë prej mungesave grupi i tij e zëvëndëson me një kitarist tjetër. Kur gjatë tentativës për të bërë një kor me të moshuarit, drejtoresha e pushon nga puna, atij i duhet të kthehet në burg. Pa grup dhe rrugës për në burg duket sikur ëndrra u shua deri kur “miqtë” e tij të moshuar i propozojnë një kompleks “bandë” me ta. Sado e çmendur duket ideja në fillim, ajo funksionon dhe “banda”e të moshuarve bëhet i zgjedhuri i publikut madje dhe i të rinjve.
Skenari i Uli Bree (adaptuar nga Edmond Topi)e ka drejtuar vëmendjen përgjithësisht drejt moshës së tretë dhe marrëdhënieve të shoqërisë me të, konkretizuar figurativisht dhe në mënyrë përfaqësuese në film në marrëdhëniet e shoqërisë me brezin e tretë të atyre artistëve, që si pasojë e tranzicionit dhe mungesës së kujdesit të shoqërisë për ta, pothuajse janë harruar.
Dhjetra artistë dikur të suksesshëm, jetojnë të harruar dhe jo rrallë në luftë për ekzistencë. Tranzicioni i stërzgjatur, lufta midis brezave dhe superioriteti i brezit të ri, bazuar kryesisht në shfrytëzimin e mungesës së rregullave dhe mungesës së sistemit të vlerave, ka bërë që artistë cilësorë të mbeten jashtë tregut dhe vëmendjes së shoqërisë. Filmi tenton të orientojë vëmendjen e komunitetit pikërisht në ato vlera, që nuk lidhen me moshën por me standardin profesional e qytetar. Por jo vetëm kaq! Duke iu referuar kësaj kategorie të veçantë brenda grupmoshës së tretë ai synon të tërheqë vëmendjen shoqërore për mundësitë dhe epërsitë e vijimit të angazhimit të një brezi, mundësitë potenciale të të cilit – të panjohura ose të injoruara – përbëjnë në vetvete energji të pallogaritshme jo vetëm në shërbim të zhvillimit dhe transmetimit të përvojës, por edhe të nxitjes së harmonisë shoqërore.
Shoqëria shqiptare, si një shoqëri e pazhvilluar, ka vuajtur dhe vuan nga sindroma e pamundësisë së realizimit të ëndrrave. Prapambetja shekullore, kodi zakonor, varfëria e më pas sistemi i çmendur autokratik bërë që miliona njerëz të mos kishin mundësinë të realizoheshin në jetë. Ky film u kushtohet edhe të gjithë atyre, që mosha e tretë i gjeti me “ëndrra në sirtar” për shkak të mungesës së mundësive pavarësisht aftësive.
Duke rrahur të transmetojë mesazhin se çdo moshë ka ëndrrat, mundësitë, sukseset dhe zhgënjimet e veta , filmi i vë brezat t’i ndajnë ato me njëri-tjetrin, duke i afruar ata në komunikim intensiv për përjetime, vlera, plane, dështime dhe suksese të përbashkëta. Filmi tenton të sjellë kështu krejt natyrshëm dhe në mënyrë organike argumentin se brezat mund të bashkëjetojnë shumë mirë nëse komunikojnë dhe njihen midis tyre. Dialogu i munguar në shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet, që vijnë kryesisht nga mosnjohja, do të tentohet që në film të vijnë përmes situatës herë absurde, herë të papërballueshme, herë tragjikomike, por jo rrallë edhe optimiste.
Përmes modelit të një grupi të moshuarish fillimisht në krizë vetmie dhe harrese, të cilët vullneti, këmbëngulja dhe dashuria për jetën i shtyn drejt një suksesi të paëndërruar duke i shndërruar në heronj edhe për të rinjtë, filmi e sfidon komunitetin lidhur me qasjen shoqërore ndaj moshës së tretë: suksesi, lumturia e madje edhe dashuria as kanë dhe as njohin moshë – nëse tenton drejt tyre, ato mund t’i bësh tuat deri ditën e fundit të jetës… Boll të tentosh drejt tyre… .
Për realizimin e këtij projekti ambicioz, produksioni ka angazhuar një staf aktorësh, në përbërje të cilit janë forcat më të specializuara të tregut, si: Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Luftar Paja, Ema Andrea, Gazmend Paja, Elia Zogu (Zaharia), Sadush Ylli, Karafil Shena, etj. I konceptuar si një komedi muzikore romantike, filmi kombinon karakterin sensibilizues të mesazhit të tij me atë argëtues. Duke qenë në vetvete një himn i dashurisë për jetën, ndryshe nga pëpjekjet paraardhëse të trajtimit të kësaj teme në kinematografinë shqiptare, me qasjen e vet sa të kthjellët aq edhe optimiste ndaj temës, ai paraqet një trajtesë thellësisht origjinale të njërës prej marrëdhënieve më të rëndësishme të komunitetit tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *