Sot më shumë se kurrë jemi të vetëdijshëm se ta rendisësh Shqipërinë në hartën botërore të kinematografisë nuk është e lehtë por me sakrifica e mbi të gjitha me shumë pasion, TIFF – Festivali i Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë ia ka dalë të zgjojë vëmendjen e mijëra kineastëve nga e gjithë bota.
Në vijim do të bëhen publike edhe risitë, të ftuarit specialë, filmat që nuk duhet të humbni nga ky edicion si edhe për problematikat e kinemasë në vendin tonë të cilat edicioni i 14-të i TIFF synon të evidentojë.
Vitin e kaluar, në Edicionin e 14-të të Tirana International Film Festival u shënua një numër rekord prej 1400 aplikimesh duke patur në konsideratë që këtë vit për herë të parë TIFF aplikoi Entry Fee për të gjithë pjesëmarrësit, përveç filmave në shqip.
Ky numër i lartë i aplikimeve tregon edhe njëherë reputacionin e lartë që TIFF ka arritur ndër vite me një seleksion të kuruar imtësisht dhe një program të pasur artistik. Prurjet e këtij edicioni nga 120 vende të botës vërtetojnë më së miri jehonën që TIFF ka përhapur në botë si një festival indipendent dhe me kritere të larta profesionale.
Këtë edicion janë rreth 220 filma që shfaqen për publikun tonë dhe të huaj. Të gjithë filmat që do të shfaqen në TIFF 2016 janë premiera kombëtare e disa prej tyre edhe premiera rajonale, europiane e botërore.
Seksioni i Kinemasë homazh këtë vit i dedikohet kineastit iranian të njohur botërisht Abbas Kiarostami i cili ndërroi jetë pak muaj më parë.