Gjon Vladimiri në Muzeun Historik Kombëtar mbledh studiues nga katër vende të rajonit

Studiues nga katër vende të rajonit mblidhen në Tiranë me qëllimin kryesor: një vizitë në Muzeun Historik Kombëtar. Në thelb të kësaj vizite ishte njohja e tyre nga afër me objektet dhe lipsanet e shenjtit Gjon Vladimiri, të cilat ndodhen në Pavijonin e Mesjetës të këtij muzeu. Simpoziumi shkencor, i cili hidhte dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e shenjtit të shekullit të 10-të, u iniciua nga akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe Malit të Zi, por në të u përfshinë dhe historianë e studiues nga Maqedonia e Bullgaria. Gjatë aktivitetit binte në sy dhe pjesëmarrja e akademikëve dhe studiuesve shqiptarë si: Vasil Tole, Floresha Dado, Shaban Sinani, etj.
Dita e parë e këtij aktiviteti shkencor, ku u mbajtën 22 kumtesa, u zhvillua në Potgoricë të Malit të Zi më 21 tetor 2016. Ndërsa në datë 22 tetor, i gjithë grupi u zhvendos në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për të vazhduar më pas me një vizitë në Elbasan, pikërisht në kishën e Shijonit, e cila më shumë se 1000 vite më parë është ngritur nga Gjon Vladimiri. Studiuesit dhe historianët nga të katër vendet, u pritën nga drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Melsi Labi, i cili udhëhoqi dhe guidën, jo vetëm në pavijonin e mesjetës, por dhe në atë të lashtësisë. Drejtori Labi i njohu studiuesit me arkitraun e portalit të derës jugore të kishës së manastirit të Gjon Vladimirit, i cili gjendet në Muzeun Historik Kombëtar. Në gur, së bashku me emblemën, stemën heraldike të princit Karl Topia është gdhendur dhe një mbishkrim trigjuhësh, latinisht, greqisht dhe sllavisht. Po në fondet e Muzeut Historik Kombëtar gjenden edhe disa ikona të tjera, të cilat kanë qenë po në manastirin e Gjon Vladimirit. Por drejtori i Muzeut Kombëtar i njohu studiuesit edhe më risinë më të fundit, lipsanet e Gjon Vladimirit, të cilat dolën në dritë nga fondi i paekspozuar kurrë më parë dhe pas urdhrit të tij administrativ, “Program për kartelizimin dhe studimin shkencor të fondit”.
***
Kulti i Gjon Vladimirit është mjaft i përhapur në Shqipëri. Qe pikërisht kryengritja kundër bullgarëve, martirizimi i Gjon Vladimirit, e cila bëri që shqiptarët në Krajë, në Ulqin e më gjerë ta cilësonin princin Gjon një martir për lirinë e tyre. Në histori, Gjon Vladimiri njihet si princi i shekullit XI në krahinën e Krajës pranë Ulqinit dhe po aq afër Shkodrës. E gjithë krahina ka qenë dhe është e banuar nga popullsi iliro-shqiptare. Ai u lind në fshatin Vladimir të Krajës, e cila sot administrativisht bën pjesë në Malin e Zi. Në fillim të shek. XI, perandori i bizantit, Vasili II, i shpalli luftë mbretërisë bullgare. Në këtë luftë Gjon Vladimiri u bashkua me Bizantin dhe shpartalluan ushtrinë bullgare. Pas humbjes cari bullgar vdiq nga hidhërimi. Djali i tij, Gabriel Radomiri mori pushtetin, por u vra një vit më pas nga vëllai i tij prej nëne, Ivan Vladislavi. Ky i fundit, pasi mori fronin e Bullgarisë, u përpoq të shtrinte ndikimin edhe në mbretërinë e kunatit të tij, Gjon Vladimirit. Si historia, ashtu edhe legjenda thonë se ai e ftoi Gjonin për një vizitë në oborrin e tij në Ohër dhe pas një kurthi, i preu kokën me shpatë. E megjithëse koka iu pre, legjenda thotë se, të gjithë të pranishmit e panë të gjallë të merrte me dorën e majtë kokën e tij, sepse me të djathtën shtrëngonte një kryq. Ai udhëtoi mbi kalë deri në kishën që kishte ndërtuar vetë dhe që ishte vendi ku sot ngrihet manastiri me emrin e tij në Shijon të Elbasanit. Dhe aty mbeti.
Gjon Vladimiri u martirizua më 22 maj 1015. Pas vdekjes, eshtrat e tij u ruajtën në kishën e “Shën Mërisë” apo siç njihet ndryshe dhe “Virgjëresha e Krajës”. Në vitin 1215 despoti Mihal Komneni i mori eshtrat e shenjta të Gjon Vladimirit nga Kraja dhe i vendosi në Durrës, ku ato u nderuan nga besimtarë të dy kishave, Lindore dhe Perëndimore. Por në vitin 1381 Karl Topia, një princ i fuqishëm shqiptar që i përkiste besimit katolik, pasi pushtoi Durrësin, i mori eshtrat e Gjon Vladimirit dhe për adhurimin e tyre, ngriti në vendin e një kishe të vjetër, kishën dhe manastirin ortodoks, aty ku sot gjendet fshati Shijon në rrethinat e Elbasanit, e që në fakt është një trajtë e shkurtuar e emrit “Shën Gjon”. Është pikërisht vendi ku Gjon Vladimiri ndaloi me kokën e prerë dhe u ndal për herë të parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *