10 vjet pa Dionis Bubanin, ekspozitë për krijimtarinë e pasur të shkrimtarit

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, krahas vënies në skenë të komedisë “Tre dhëndurët” të shkrimtarit Dionis Bubani nga Teatri i Metropolit, ju fton të vizitoni ekspozitën përkujtimore kushtuar shkrimtarit, 10 vjet nga ndarja e tij nga jeta.
Dionis Bubani (1926–2006) është autor i një vargu librash letrarë satirikë, poezi e prozë, përmbledhje me vargje satirike, pamflete, drama, skeçe e komedi. Kjo ekspozitë sjell në vëmendje të lexuesit të Bibliotekës Kombëtare por edhe publikut të gjerë krijimtarinë e pasur të Dionis Bubanit, i cili nisi të botonte rreth 60 vjet më parë. Në të janë përfshirë nga botimet e hershme si “Migjeni: poeti i rinisë” (1954), “Dardha e ka bishtin prapa” (1958), “Yjet nuk shuhen” (1959), “Çështje personale” (1962), “Bileta e llotarisë; drama” (1964), “Sëmundje e rrezikshme: komedi në 3 akte” (1966), “Përtej hundës” (1967), “U thye akulli: skica, portrete, fejtone humoristike” (1969), “Zgjidh e merr” (1970), “Miku i mikut” (1972), “Ujku te dentisti” (1973), “Poezi” (1973), “Shigjeta” (1975), “Zarfi i hapur: përmbledhje komedish me një akt” (1976), “Sekreti i sekretit” (1978), “Skena dhe prapaskena : pamflete dhe fejtone” (1978), “Pa doreza” (1986), “Nga burime të sigurta” (1989), etj. Si dhe krijimet më të fundit si “Pazar i mbarë!” (1990), Biçikleta me tri rrota” (1996), “Papagalli në doganë” (1998), “Çapaçuli” (2000), “Peshku me çadër” (2000), “Urgjent, sekret dhe rezervat” (2001), “Vejusha gazmore” (2001), “Aventurat e Çapaçulit në Azi” (2003), “Shkumësi magjik” (2005), “Kërriçi ngjyrë ari” (2006), “Poliagjenti 0013 : komedi” (2010), etj.
Njohës shumë i mirë i gjuhës rumune Dionis Budani ka shqipëruar dhe sjellë në gjuhën shqipe poezi e prozë të autorëve të shquar të letërsisë rumune, si Mihal Eminesku, Marius Dobresku, Nikola Jorga etj. Krahas titujve të shumë në këtë ekspozitë janë ekspozuar dorëshkrime dhe objekte personale të shkrimtarit, të mundësuara nga familja e tij.
Dionis Bubani lindi në Rumani më 1926. Në vitin 1939 u kthye familjarisht në Tiranë, ku përfundoi shkollën e mesme dhe kreu studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (dega gjuhë-letërsi), pa shkëputje nga puna e redaktorit në revistën “Hosteni”. Drejtoi sektorin e kulturës dhe të problemeve të jashtme për 30 vjet nga viti 1956 deri më 1986. Anëtar i Bashkimit të Gazetarëve dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (1951–2006). Në vitin 2003 Dionis Bubani është nderuar me çmimin “Penda e Artë” me librin “Aventurat e Çapaçulit në Evropë”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët, në hollin e Bibliotekës Kombëtare, çdo ditë nga ora 8:00 – 20.00 dhe gjatë fundjavës nga ora 08:00 – 14.00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *