Kultura dhe shteti, sipas Friedrich Nietzsche-s

Nga Islam Balaj
Friedrich Nietzsche, filozof, poet, aforist, filolog, intelektual etj. Njëri nga mendimtarët më të shquar të shek. XIX-të, dhe njëra nga figurat më kontraverze në historinë e filozofisë. Ishte gjithashtu dhe filozof i kulturës dhe kritik i kulturës në përgjithësi, veçmas asaj gjermane.Disa nga tezat e tij, i shërbyen edhe si tituj për veprat: “ Perëndimi i idhujve”(“Gotzen Dammerung”), “ Vullneti për fuqi”(Der Wille zur Macht), etj.
Shkroi dhe veprat: “Lindja e tragjedisë nga fryma e muzikës” (“Die Geburt der Tragödie aus dem Geiste der Muzik”), “Ashtu ka folur Zaratustra”(“Also sprach Zarathustra”) (libër për çdokë dhe për askë), “Antikrishti” (mallkim krishtërimit), “Ecco Homo”, “Rasti i Wagner-it”(problemi i një muzicienti) etj.
Përveç filozofisë, studjoi dhe filologjinë klasike e teologjinë. Qe mjeshtër i aforizmave dhe njohës i shkëlqyer i gjuhës gjermane në të shkruar, si dhe i shkencave natyrore (ekzakte). U mor dhe me muzikë, (shkroi këngë). Qe mik i kompozitorit të njohur, Richard Wagner, (për një kohë).
Me përfundimin e studimeve filozofike, emërohet profesor i filozofisë në Universitetin e Basel-it (Zvicër).
Thomas Man-i e quan: “psikolog i dekadencës europiane”.
I vlerësur në mënyrë të gjithanshme nga Gide, Strindberg-u, Shaw, Th. Man-i, Beli, D’annunzio, Valery, Camus-i etj.
U bë i njohur me thëniet: “Njeriun në jetë e nxit “Vullneti për pushtet”(“Der Wille zur Macht”) (ndonëse atë nuk e kishte parim themelor të filozofisë). Dhe se bota do të zhvillohet deri në “Mbinjeri” (Übermensch). Theksoi gjithashtu se religjioni dhe morali s’janë gjë tjetër veçse shërbëtorë të idesë së rreme transcedentale. Andaj sipas tij, vlerat tradicionale, duhet zëvëndësuar me vlera të reja.
Në kritikën që i bën Nietzsche të kaluarës dhe të tanishmes, (kohës kur ai jetoi), gjermanët i vë në qendër të saj. Bile tregohet shumë i ashpër me ta. Sepse pandeh se i njeh mirë gjermanët. Dhe me këtë sikur e ka fituar të drejtën për t’ua thënë disa të vërteta.
Ai në veprën “Ecco Homo”, shkruan:” Nga unë tani flet e vërteta, sepse deri më tani gënjeshtra konsiderohej e vërtetë”.
Këtë herë, do të nadalemi në veprën: “ Perëndimi i idhujve” (Gotzen Dămmerung), respektivisht në marrëdhëniet në mes të shtetit dhe kulturës. Ose më saktë, mbi antagonizmin në mes të shtetit dhe kulturës.
Nietzsche, shkruan: “Gjermania e re, përfaqëson një sasi të madhe aftësish, të trashëguara e të fituara, në atë masë saqë ajo mund të shpenzojë pa hesap për njëfarë kohe thesarin e forcave të grumbulluara. Nuk është se aty mbizotëron ndonjë kulturë e lartë, e aq më pak një shije delikate dhe një “bukuri” fisnike e instikteve, por gjithësesi aty virtytet janë më burrërore se ato që mund të ofrojë çdo vend tjetër i Europës. Aty ka shumë guxim të mirë dhe respekt për veten, shumë siguri në marrëdhëniet shoqërore dhe në ndërsjelltësinë e detyrave, shumë zell e tolerancë, si dhe një thjeshtësi të trashëguar…”
Më tej, ai vazhdon: “gjermanët dikur quheshin populli i mendimtarëve, ndërsa sot unë pyes veten nëse a mendojnë më ata në përgjithësi?
Politika gllabëron çdo gjë serioze në lidhje me çështjet vërtet shpirtërore. Për të mos thënë: pushteti të budallalleps…
Ndër pyetjet që m’i bëjnë jashtë vendit, shton Nietzsche, janë dhe këto: “A ka filozofë gjermanë? A ka poetë gjermanë? A ka libra të mirë gjermanë?”. Unë skuqem, por me guximin që kam, edhe në gjendjet më të dëshpruara përgjigjem: “ Po, Bismarku!”. A më lejohej vallë mua që të tregoja se çfarë librash lexohen sot?… Ah, ky instikt i mallkuar i mediokritetit!
Kohët e fundit, në Gjermani, vazhdon Nietzsche, na u shtua edhe jë defekt tjetër, ose siç e quan ai narkotik, i cili edhe i vetëm, do të mjaftonte për të rrënuar çdo lloj lëvizshmërie të hollë dhe të guximshme të shpirtit. E kam fjalën për muzikën, muzikën tonë gjermane të llumtë dhe moçalore. Ajo përmban po aq shumë rëndesë melankolike, paralizë, lagështirë dhe naze.
Veç kësaj, edhe një tjetër gjëje i trembem, asaj që serioziteti gjerman, thellësia gjermane, pasioni gjerman në çështjet shpirtërore, po vijnë gjithnjë duke u zvogëluar. Jo vetëm intelektualizmi, por edhe patosi ka ndryshuar”.
Nietzsche kritikon dhe sistemin shkollor gjerman, në veçanti, atë superior. “Aty- këtu më rastis që t’u afrohem ndonjëherë universiteteve gjermane: ç’atmosferë mbizotën mes atyre dijetarëve, çfarë shpirti bosh, por sa i kënaqur dhe i vakët! Do të mashtroheshit keq nëse do tëpërdornit për të më kundërshtuar shembullin e shkencës gjermane-madje kjo do të ishte edhe një provë se nuk paskeni lexuar as edhe një rresht nga ato që kam shkruar. Qysh prej shtatëmbëdhjetë vjetësh nuk jam lodhur kurrë së tërhequri vëmendjen në lidhje me ndikimin shtypës të shkencës sonë mbi shpirtin. Skllavëria e rëndë e vargut të madh të shkencave, të cilën e denon çdo individ, është një nga arsyet kryesore se përse natyrat me cilësitë më të plota, më të pasura, më të thella, nuk gjejnë dot më asnjë edukim dhe as edukatorë që t’u përshtaten. Kulturën tonë asgjë tjetër nuk e bën të vuajë më shumë sesa ky bollëk hamejsh tërë pretendime dhe njerëzish fragmentarë; universitetet tona janë, pavarësisht dëshirës së tyre, serrat e nxehta për këtë lloj fishkjeje të instikteve të shpirtit. Dhe e gjithë Europa po e krijon një ide mbi këtë- politika e madhe nuk e mashtron dot askë…Gjermania po konsiderohet përherë e më shumë si vendi i sheshtë i Europës. Unë ende po kërkoj një gjerman me të cilin mund të jesh serioz sipas mënyrës sime, dhe aq më tepër njërin që të mund të guxosh të jesh i gëzuar!
Kultura dhe shteti, të mos mashtrohemi në këtë pikë, janë antagoniste: Shteti i kulturës është vetëm një ide moderne. Njëri jeton në kurriz të tjetrit, njëri përparon në dëm të tjetrit. Të gjitha epokat e mëdha të kulturës janë epoka të dekadencës politike, mendon Nietzsche: ajo që ka qenë e madhe në kulturë, ka qenë gjithmonë jo politike, madje antipolitike…Zemra e Goethe-s u hap para dukurisë Napoleon, por u mbyll para “luftrave për çlirim”…Në çastin kur Gjermania ngrihet si fuqi e madhe, Franca fiton një rëndësi të re si fuqi e kulturës. Sot, shumë serioziteti i ri, shumë pasioni i ri i shpirtit, kanë emigruar drejt Parisit: çështja e pesimizmit për shembull, çështja e Wagner-it, ( të cilin Nietzsche siç e thashë më lartë, e kishte mik për një kohë), dhe mbi të gjitha, të tëra çështjet psikologjike dhe artistike shqyrtohen atje me një delikatesë dhe thellësi më të madhe se në Gjermani- gjermanët janë të paaftë për këtë lloj serioziteti.
Në historinë e kulturës europiane, ngritje e një “perandorie” para së gjithash do të thotë një gjë: një zhvendosje të qendrës së rëndesës. Vihet re ngado: në gjënë kryesore, e cila gjithnjë mbetet kultura, gjermanët nuk po merren më në konsideratë.
I pyesin: a mund të paraqisni ju qoftë edhe vetëm një shpirt i cili të llogaritet në nivelin europian? Një shpirt si Goethe-ja juaj, si Hegel-i juaj, si Heinrich Heine-ja i juaj, apo si Schopenhauer-i juaj, që të llogaritet si ata?- Nuk ka mbetur më asnjë filozof gjerman,kjo është çudia më e madhe që nuk njeh kufij.
Ajo që është thelbësore në tërë sistemin e edukimit të lartë në Gjermani, vëren Nietzsche, ka humbur, pra, qëllimi dhe mjetet për të arritur te ky qëllim. Që edukimi, formimi vetë janë qëllimi dhe jo “perandoria”, që për këtë qëllim nevojiten edukatorë dhe jo mësues gjimnazesh e dijetarë universitetesh – pikërisht kjo është harruar…Nevojiten edukatorë, edhe këta të edukuar, shpirtëra të lartë dhe fisnikë të cilët të spikasin në çdo çast, me fjalën dhe me heshtjen, qenie që të paraqesin një kulturë të pjekur dhe të ëmbëlsuar-dhe jo dijetarë gdhënj si ata që gjimnazet dhe universitetet ofrojnë sot si “ mëndeshat më të larta”. Mungojnë edukatorët, janë lënë mënjanë më të veçantët e të veçantës, kushti i parë i edukimit: prej këtej rrjedh dekadenca e kulturës gjermane. Ajo që arrijnë vërtet “shkollat e larta” gjermane është një përgatitje brutale me qëllim që të bëjë të dobishëm, të shfrytëzueshëm, në shërbim të shtetit, një numër të stërmadh të rinjsh me humbjen sa më të pakët të kohës. Edukimi i lartë dhe numri i stërmadh: që këtu fillon kontradikta. Çdo edukim i lartë u përket vetëm përjashtimeve: duhet të jesh i privilegjuar për të patur të drejtën e një privilegji kaq të lartë. Të gjitha gjërat e mëdha dhe të bukura nuk mund të jenë kurrë një e mirë e përbashkët: “pulchrum paucorum hominum”, (“Bukuria u përket pak njerëzve”), Horaci).Ç’gjë ndihmon në rënien e kulturës gjermane? Fakti se “edukimi i lartë” nuk është më një privilegj-demokratizimi i “formimit” është bërë i” përgjithshëm”, tepër i përgjithshëm… Në Gjermaninë e sotme, askush nuk është më i lirë t’u japë fëmijëve të vet një edukim fisnik, sepse të gjitha “shkollat e larta”te ne janë vendosur mbi një mediokritet të dyshimitë. Kudo mbretëron një ngutje e pahijshme, sikur diçka do të humbiste nëse një i ri 23-vjeçar të mos e kishte “përfunduar” atë, nëse ai nuk di t’i përgjigjet“ pyetjes kryesore”: ç’karrierë të zgjedh? Një lloj shumë i lartë njerëzish, nëse më lejohet të shprehem kështu, nuk i pëlqen “karrierat”, pikërisht ngaqë ndjehet si i thirrur… Ky lloj ka kohë, merr tjetër kohë, nuk mendon aspak për “të përfunduar” –në moshën 30-vjeçare, përsa i përket kulturës, je ende një fillestar, një fëmijë. Gjimnazet tanë të tejmbushur, profesorët tanë të gjimnazeve të mbingarkuar dhe të budallallepsur, janë një skandal: për ta marrë në mbrojtje këtë gjendje , siç bëjnë tani së afërmi mësuesit e Heidelberg-ut, ndoshta gjenden disa shkaqe, por kurrsesi arsye”.
Ndaj Nietzsche parashtron tri kërkesa bazë dhe të domosdoshme për arsimimin (edukimin) e të rinjve:
Nevojiten edukatorë që të rinjtë: t’i mësojnë të shikojnë (shohin), të mendojnë dhe të flasin e të shkruajnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *