Inva Mula: Pse pranova të bëj Marije Krajën! Zana Çela: Nuk ishte një zgjedhje miqësore!

Inva Mula është prezantuar zyrtarisht si drejtorja e re artistike dhe si producente e festivalit operistik “Marije Kraja”. Pas 15 vitesh, Zana Çela ka “hequr” dorë nga festivali, pasi mban detyrën e drejtoreshës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Është një gjë që më pëlqen. Kur Zana ma besoi, do thosha që e dëshiroja. E kam ndjekur në fillimet e veta. Fatmirësisht e fatkeqësisht është i vetmi në këto përmasa në fushën vokale. Na jep dinjitet artistik. Është festival që pret artistë të huaj që të marrin përvojë në Tiranë. Pavarësisht se jam e zënë me koncerte, nuk mund të thosha jo sepse është kthyer në traditë”, tha sopranoja Inva Mula. Krah saj në konferencë ishte prof. Robert Radoja, për të cilin Mula nuk harroi të thoshte se është mësues i disa brezave. “Jemi me prof. Robert Radojën, që është profesori ynë dhe i atyre para nesh. Është artist kaq i kompletuar dhe është enciklopedi. Është libër i hapur, saqë e marr në telefon kudo të jem”, u shpreh sopranoja Mula.
Sipas Mulës, edhe këtë vit festivali vjen me të njëjtën formulë. “Nuk kemi dalë jashtë strukturës. Unë kam qenë në juri të ndryshme dhe nuk kam gjetur formulë më të mirë. Ky festival del nga konturet e një konkursi dhe i përgatit këngëtarët për të ardhmen. Ka qenë gjetje nga Zana. Nuk synoj të prish formatin, por të sjell një nivel të lartë artistik të konkurrentëve, sepse ai sjell sukses”, tha sopranoja. Më pas Zana Çela tha se Mula këtë vit ka kërkuar të ketë cilësi artistike më shumë se sa shtrirje gjeografike të konkurrentëve.

As Çela, as Mula nuk folën për të ardhmen – se sa kohë do jetë ky festival nën drejtimin e Inva Mulës. “Do doja të ishte vazhdimësi, por varet nga Inva. E rëndësishme është që kaloi në drejtimin e një personaliteti artistik si Inva. Nuk është zgjedhje miqësore, por Inva ka qenë një ndër figurat kryesore që ka ndihmuar në rritjen e këtij festivali. Ka qenë anëtare jurie dhe këtë e ka bërë edhe me sakrifica për të qenë në edicione të ndryshme. Ka dhënë edhe kontribute financiare për çmime të caktuara. Ka qenë një nga kontributet dhe unë Invën e njoh, sepse kemi kënduar bashkë kur kemi qenë të vogla me prof. Robertin”, tha Zana Çela. E pyetur mandej se cili do jetë pozicioni i saj në këtë edicion, Zana Çela tha: “Unë do jem drejtorja e TKOB. Në tri vite ka qenë në festival Ilir Kerni si anëtar jurie, këtë vit do jem unë. Do e mbështes. Festivali ka qenë çdo vit pjesë e kalendarit të Operës”. Paneli i jurisë do të përbëhet nga personalitete të rëndësishme, ndërsa pritet të ketë rreth 15 konkurrentë. Edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” do të vijë këtë vit në datat 3, 4, 5 nëntor 2016, në orën 19.00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *