Nga Luan Rama
«Të bijesh lart është një thirrje largimi nga opaciateti tokësor drejt transparencës së atmosferës, atje ku me një xhest energjik, të vendosur dhe të shpejtë, Bujar Luca, krijon shenjat e tij grafike të gravitetit tokësor», – shkruante galeristi Alain Cirelli, organizues i ekspozitës së këtyre ditëve në Paris të piktorit shqiptar.
Mjerisht nuk arrita të shoh ekspozitën një javë më parë të mikut tim piktor Gazmend Leka, të cilën kisha shumë dëshirë ta shikoja, e madje nuk arrita të isha as në hapjen e ekspozitës së Lucës, po në Paris. Por me tu ktyer nga Tirana në kryeqytetin parisian, këmbët më çuan në atë ekspozitë, pasi ajo është e hapur deri në 30 nëntor 2016. Bujar Luca nuk «bije» nga lart poshtë, por «bije» lart siç thotë galeristi i tij, pasi peneli i tij ngjitet, artisti shkëputet nga e kaluara dhe historia e popullit të vet që ka jetuar, për të gjetur elokuencën e transparencën e artit universal, e artit të vet origjinal që reflekton pikërisht ato çka ai ka përjetuar më parë, para se të kapërcente gardhin e telave të një vendi të izoluar siç ishte Shqipëria. Nëse «Le Purgatoire» (Purgator), siç quhet galeria, është një mjedis i këndshëm i artit të arrirë të shumë piktorëve francezë e europianë, këto tablo të Lucës shkojnë bukur me emrin e kësaj rruge «Rue du Paradis», («Rruga e Parajsës»), ku artisti është plotësisht i lirë të rikrijojë botën e tij imagjinare e të përjetuar dikur .
Bacon, Picasso, silueta njerëzore dhe Luca me imazhet e një bote shqiptare që nuk ekziston më
Nëse në tablotë e mëdha, figurat abstrakte ngrihen si reflekse të figurave njerëzore të shpërfytyruara, të gjymtuara, të errta, të trishta, të mardhura në një sfond gri ku dhe e bardha është e pisët dhe pa dritë, tablotë e një formati të mesëm janë të një stili tjetër, artisti nuk e ka më penelin e tij të gjatë dhe që pikturon duke qëndruar në këmbë, me telajon e shtrirë në dysheme. Këtu ai i afrohet më shumë vizatimit, ku piktori krijon marrëdhënie të tjera mes fytyrave pa sy, pa krahë, me barkun e futur brenda nga një uri klithëse dhe atyre dritareve apo portave që nuk të çojnë askund. Një art që na kujton nga larg një pikturë të Bacon apo një epokë tepër të vonë të Picasso-s, ku shpirti i artistit të madh kishte ngritur krye dhe i klithte qiellit. Luca « shkruan » pikturë. Shkruan me kaligrafinë e tij shumë fine dhe shumë të menduar, ku çdo detaj të thotë diçka apo të krijon asosiacione me histori, mithe, ngjarje historike, apo krijime të gjenive të piktorëve, siç pikas Botiçelin në njën ga tablotë e mëdha. Binte shi në Paris kur lija galerinë dhe ato kuadro, shumicën e të cilave i kisha parë në atelierin e tij, por ai shi më ngjante me një lloj vese që binte mbi një lëndinë të gëzuar që priste të shpërthenin lulet e para të saj…. Shkoja dhe gëzoja për mikun tim që linte gjurmë në jetën artistike të një metropoli të vjetër të kulturës…
L. Rama
Në vijim, për informacion një shënim i im botuar disa kohë më parë për të.
Akti piktural i Bujar Lucës
Pikëtakimet pikturale me Bujar Lucën kanë një peshë të veçantë emocionale. Por përveç kënaqësisë së emocionit, ajo që prin është dialogu që vendoset midis vizitorit dhe vetë tablove, ku duke e lënë në krah krijuesin e tyre, duke e harruar atë për një çast, shikuesi nis të kapë mesazhet dhe të deshifrojë gjuhën pikturale, atë të shenjave, semiologjinë personale dhe origjinale të tij, ku pas çdo shenje, gjesti, lëvizje dinamike, të fiksuara përmes ngjyrave në telajo, hyn në shqetësimin e vet piktorit. Aty ne nisim të zbulojmë idetë e tij, mesazhet, të kaluarën dhe shqetësimet e tij, kërkimin e tij piktural që veçanërisht këto 15 vjetët e fundit ka marrë një domethënie të re estetike, dhe ku shenjat-forma, me elokuecën dhe nganjëherë me vrazhdësinë e tyre, n’a afrojnë te ato, n’a shkulin nga realiteti momental dhe n’a futin në atë botë, ku historinë, shoqërinë, evolucionin dhe të ardhmen e shohim përmes atyre gjurmëve që ka lënë piktori mbi cohën e telajos apo letrën e bardhë.
Në Sucy-en-Brie në periferi të Parisit, pikërisht ky qytet përbën dhe një nga ngulimet e emigracionit politik shqiptar të viteve 1960, (një rastësi kjo) në kështjellën e madhe që zotëron qytetin, me kupolat plot afreske të Charles Le Brun, një prej piktorëve më në zë të kështjellave të shekullit XVII, pra pikërisht aty, në sallën e «Orangerie», 18 tablotë e Lucës qëndrojnë me dinjitet, ndër të cilat, dy tablotë e mrekullueshme të formatit të madh të ciklit të tij më të ri Nata si sfond telajo apo tri triptikët e krijuar më parë të titulluara Frontière, (Kufiri), Désastre, (Shkatërrimi) dhe Bœuf écorché de Rembrandt, («Kau i therrur» i Rembrandt). Në broshurën e botuar me këtë rast nga bashkia e këtij qyteti me titull Bujar Luca pikturon «Natën si sfond telajo», shkruhet se «Ka artistë që janë të shumë planeve. Dhe Bujar Luca është një prej tyre. Eshtë një poet i lindur në Shqipëri dhe i ardhur pas vitit 1990. Luca është piktor dhe si i tillë ai ka dy profile. Ne e kemi njohur talentin e tij si restorator i veprave të artit këtu në Sucy-en-Brie për t’i dhënë një jetë të re tavaneve të shekullit XVII të kështjellës së Sucy. Bujar Luca pikturon në gjurmët e Le Brun…»
Nata si sfond
Dy tablotë e formatit të madh 360cm x 270cm dhe të vendosura në të dy faqet anësore të sallonit, njëra përballë tjetrës, janë dy tablotë e para të ciklit Nata si sfond telajo, të cilën ai ka dëshirë ta përvijojë, ta plotësojë, duke shtruar si zakonisht në dysheme pëlhurat e mëdha, për të hedhur mbi to imazhet tashmë të kristalizuara, por që në pikturim e sipër asnjëherë nuk dihet sesi do të jenë ato në fund. Këto imazhe të përfytyruara në koshiencën dhe subkoshiencën e artistit janë imazhe të natës që ndjell plot mistere, nata që është e pranishme gjithnjë te njeriu dhe jo vetëm nata si natë e errët apo me një hënë të shndritshme, çka e mrekullonte Heminguein në katin e fundit të apartamentit të tij parisian në ditët e verës.
Nata ka simbolet e veta. Ajo të grish. Ne udhëtojmë në imagjinatë duke kërkuar simbolet dhe metaforat, duke risjellë në kujtesë ngjarje, dhembje, dëshira të munguara apo të vrara, nostalgji. Nata si sfond i përdorur që në mugëtirën e kohrave. Këtë natë, në atmsoferën e një pylli, Luca e kishte parë në një cikël prej katër tablosh të Botticelli-it, dhe kjo e kishte impresionuar, sepse nata në atë tablo kishte një simbolikë, shkaku i një ngjarje që vetëm historianët e artit e tregojnë. Princi që i kërkoi këtë tablo Botticelli-it, me imazhin e kërkimit të gruas së tij nëpër natë në një pyll (meqë ajo vraponte drejt të dashurit), e kërkoi këtë tablo për ta vendosur në kokën e krevatit të saj në mënyrë që ajo të mos guxonte më të largohej nga shtrati martesor, e bindur se do të ndëshkohej. Por nata te Bujar Luca është në një simbolikë tjetër, më universale. Janë pemët e xhveshura në natë që si silueta njerëzore zgjaten për të arritur dhe kapur lavdinë, (ai e cilëson njërën nga këto dy tablo «Sulm drejt Lavdisë»). Dhe aty, në errësirë, si në kuliset e fshehta të luftës apo pazareve politike, ka një luftë që bëhet, një kacafytje, pasi ai që e kërkon lavdinë i duhet të luftojë me çdo kusht, duke shkelur dhe tjetrin, edhe pse kjo do të jetë një lavdi e rreme. Historia na tregon se të lavdishëm përgjithësisht kanë qenë ata që nuk e kanë kërkuar lavdinë, as kanë menduar për të, por që rrethanat i kanë çuar drejt lavdisë. Madje shumë prej tyre janë larguar nga kjo botë, shpesh si martirë, pa e ditur se po kalonin portat e lavdisë. Tradita gjithnjë është evokuese, dhe ja pse ky piktor ka një erudicion të veçantë për pikturën botërore, veçanërisht të Renaissance-s italiane.
«Frontière» dhe «Désastre»
«Kufiri» dhe «Shkatërrimi» – dy triptikë shumë të afërt me njëri-tjetrin, punuar me të njëjtën frymë, dy triptikë që përbëjnë një vazhdimësi ideje dhe imazhi, emocioni e semiologjie, ku edhe pse secila qëndron më vete, ato plotësojnë njëra-tjetrën, duke na krijuar kështu një tablo të madhe multi-dimensionale dhe ku ne humbasim në atë çka na tregon krijuesi i tyre, pasi aty përballemi me një nga ndjesitë e para dhe kërkesën themelore të njeriut: lirinë! Atje ku ka «kufi-frontière», atje fillon dhe krijohet gradualisht ajo që quhet «shkatërrim-desastre». Në të dy tripktikët janë telat me gjëmba të kohës totalitare. Ata që i kanë përjetuar ato, janë më të ndjeshëm ndaj këtyre tablove të punuara në sfonde dhe teknika të ndryshme, siç ndodh dhe me një tablo jashtë këtyre triptikëve, e quajtur “Prometeu”, që lidhet me mitin e Prometeut. Dhe sigurisht, këto tablo na kujtojnë Shqipërinë e rrethuar dikur me telat me gjemba përtej të cilave përgjonte burgu i gjatë dhe vdekja, kullat e vrojtimit, projektorët e mëdhenj të kontrollit të brigjeve në Adriatik dhe Jon, na kujtojnë atmosferën “orvelliane” që jetonte një popull nën diktat, ku kryqëzimi ishte i vazhdueshëm. “Kryqëzimi” pas telave me gjemba është i pranishëm në këto tablo”, thotë Luca. Dhe nëse telat me gjemba janë figurativisht të tilla, në vizatimin e Lucës ato hyjnë në atmosferën e abstraksionit, pasi Luca ka vite që është shkëputur nga arti figurativ.
Për sa kohë jetoi në Shqipëri, gjer në vitin 1990, arti figurativ, dhe pikërisht ai realist, ishte i detyruar për çdo artist. Të punoje në frymën e një Kandinsky apo Miro, etj, ishte e ndaluar. “Gjatë viteve 1990-1996, në Paris m’u desh të punoja dhe kristalizoja stilin tim në një drejtim të ri”, më thotë Luca. Të njëjtin konstatim bënte kohë më parë dhe kritiku i artit Denis Picard në revistën e njohur Connaissance des Arts, duke shikuar në punën e tij “shumë rrugë artistike, ndonjëherë dhe kontradiktore, por duke krijuar gradualisht një rrugë origjinale që do të vinte më vonë”. Dhe kjo erdhi vërtet, si një proçes i gjatë, si një kërkim i etshëm.
“Kau i therrur” i Rembrandt
Kur Bujar Luca punonte si piktor për filmin e njohur mbi jetën e Rembrandt, do duhej të pikturonte të njëjtën tablo që kishte punuar shekuj më parë Rembrandt: “Kau i therrur”. Ky proçes për nevojat e xhirimit, do të linte gjurmët e veta në shpirtin e artistit shqiptar. Kjo tablo mitike e Rembrandt ka frymëzuar me qindra piktorë të mëdhenj flamandë por dhe europianë të tjerë, nga Chardin te Becon apo Alechinsky. Për Lucën kjo ishte thjesht një ngasje, duke u larguar nga figurativja drejt abstraksionit. Eshtë fjala për triptikun e titulluar nga ai “Kau i therrur i Rembrandt”. “Në fillim, – më thotë Bujari, duke parë sëbashku tablonë, – nuk doja të vija deçiturë. Por pastaj mendova t’i jap vizitorit një pikënisje. Pra nuk është një titull narrativ, por evokues”. Shenjat e tij dinamike mbi telajo, janë një proçes më vete krijues. Eshtë vetë akti piktural i tij përballë të papriturës. Ai e nis lëvizjen dhe pastaj diku duhet të pyes vetveten se ç’drejtim duhet të marr. Dhe pikërisht në atë çast krijimi është instikti por dhe eksperienca e kultura profesionale që ndërhyjnë dhe çojnë në kristalizimin e një forme të përsosur, pasi Luca është një vizatues shumë i mirë. Dhe me të drejtë kritiku francez François-Xavier Guillerm, në gazetën L’Est Republicain, duke shkruar për ekspozitën e tij “Black Box” në Bar-Le-Duc të Francës (2008), theksonte se “Vizatimi i ofron atij mundësinë të kristalizojë një stil, ku imazhet provokojnë përmes ritmit të tyre, dimensionit dhe fuqisë së tyre, pra përmes emocionit”.
Dhe duke iu referuar pikërisht këtij lloj vizatimi që përbën padyshim origjinalitetin e këtij piktori shqiptaro-francez, Luca më thotë: “Unë vizatoj shenja pa emër, por që evokojnë diçka… Gjeste që shfaqen fuqishëm dhe shënojnë imazhet e pamenduara më parë, dalë menjëherë nga inkoshienca jonë. Tiparet që krijoj nxitojnë që të afirmohen, duke u imponuar në fletën e vizatimit, për tu angazhuar plotësisht në pulsionet e pakontrolluara dhe duke u përpjekur njëkohësisht të krijojnë dhe ofrojnë të padukshmen”.
Në çeljen e kësaj ekspozite, krahas vlerësimeve të veçanta të drejtores së Kulturës Valerie Noël, historiani i artit Michel Balard, i cili mbajti dhe fjalën e rastit, nënvizoi faktin e lidhjes së pikturës së Lucës me rininë e tij, kufijtë e mbyllur, emigracionin, diktaturën dhe dëshirën për të zhvilluar artin e tij në një vend demokratik si Franca. Dhe në përgjigje të tij, Luca do të evokonte këtë trajektore, lirinë e gjetur të krijimit dhe kërkimin e një stili personal, që tashmë është konsoliduar. «Përmes gjestit, – thotë ai, – vazhdimësisë, gjurmës e njollës së ngjyrës, piktura ime është e lidhur me shkrimin. Unë përpiqem të shkrij midis tyre shkrimin dhe pikturën, të gjej ritmet e brendshme që ngjizen mbi pëlhurë. Ky është «alfabeti» im. Qëllimi është gjetja e një gjuhe pa riprodhuar diçka, pa imituar, duke iu dhënë natyrshëm të panjohurës, pa u shqetësuar të di saktësisht se ku shkoj, duke propozuar dhe shpalosur shenja që më përkasin, pra duke i lënë liri lëvizjeve të mia».
Duke qenë se Luca është tepër i lidhur me atë që quhet «Ecriture» (“Shkrim”) dhe i frymëzuar si gjithnjë nga poeti Charles Baudelaire, si një nëntitull të ekspozitës ai ka vendosur një varg të tij: «Në humnerën e tmerrshme dëgjohet goditja e rënies së imagjinuar të kompozicioneve të furishme dhe të shndritshme». Pikërisht, në Nata si sfond apo dhe në triptikët Kufiri dhe Shkatërrim, është një lloj tronditje e ndërgjegjes së publikut për atë që ka ndodhur apo që mund të ndodhë. Në thelb gjithnjë mbetet klithma njerëzore e lirisë ajo që sjell përplasjet e mëdha dhe si pasojë të një “kozmologjie sociale”, krijimet që lënë mbresa të mëdha.
”Gjeografia shqiptare”… dhe piktura që kërkon të flasë ndryshe.
E nisa këtë shënim të shkurtër mbi piktorin Bujar Luca me «gjeografinë shqiptare» sepse edhe nëse gjeografia në dukje nuk ka dhe aq lidhje me artin dhe kërkimin piktural, ajo përsëri është e pranishme si në ç’vendosjen gjeografike të artistit, siç e kemi parë në shumë artistë që kanë kërkuar hapësira të tjera, ashtu dhe në detajin e thjeshtë, pasi në kartonin ku ky piktor ka krijuar një seri pikturale, nga pas shkruhet «Gjeografia e Shqipërisë-7». Pra ishte thjesht një karton për kapakun e dispencave të Fakultetit të Histori-Gjeografisë, të cilat, meqë kishin dalë skarco në paraqitjen vizuale të shtypjes, ato duhej të bëheshin karton amballazhi. Por ky piktor, në ikje e sipër nga Shqipëria, mori dhe një tufë të tillë fletësh që në etjen e pikëtakimit me artin e metropolit parisian, të hidhte mbresat e para të tij. E në fakt, në atë imazh kartoni kërkova më kot si në një «palimpsest» të dija se ku gjendeshin veprat surrealiste, kubiste, moderniste, foviste, post-impresioniste, etj, të cilat «Revolucioni kulturor» shqiptar i kishte hedhur imazhet e veprave më të shquara të artit të shekullit XX-të për të bërë karton.
Bujar Luca ishte një piktor filmi dhe një vizatues mjaft i mirë, i cili në vitet universitare e shikonte artin ndryshe, influencë që e mbajti vite me rradhë të heshtur dhe në fshehtësi në ato qindra piktura, aquarelë, guashë e vizatime që i fshiheshin çenzurës totalitare. Ai sapo kishte hapur dy ekspozita në vitet 88’-90’, njëra me vizatime të kostumeve të personazheve të filmave si te filmi Pas vdekjes (një ekspozitë që gjeti jehonë në rrethin intelektual që po zgjohej, si dhe një ekspozitë pikturale në Galerinë e Arteve, ku ngjyrat hapnin horizonte të tëra që të sillnin ehot e piktorëve të shquar francezë Cezanne apo Matisse, duke patur në themel padyshim impresionistët. E mbaj mend si tani kur artisti më kërkoi në intimitetin tonë që të mund të bisedoja me këshilltarin e Kulturës të ambasadës franceze thjesht për një vizë dhe ishte ky largim, atëherë kur monumenti i diktatorit ishte ende në këmbë. Kur Luca zbarkoi kështu në kontinentin e artit të lirë. Por jo vetëm të lirë : «Shkolla e Parisit» e fillimit të shekullit XX vazhdonte të thithte në një farë mënyre talentet e botës, por kësaj rradhe, ishin artistët që vinin përtej telave me gjemba të «Kampit të Lindjes», që do të ballafaqonin vetveten me kërkesat e një arti të përkorë. Në vitin 1992, sapo erdha në Paris, Bujar Luca më ftoi në ekspozitën e parë të tij, në një galeri pranë Bastille-s dhe një vit më vonë ne u pikëtakuam në kullën Eiffel, jo për të parë që andej Parisin, siç bënte Berlioz që kishte vendosur një piano në majë të «Zonjës së hekurt», por sepse në katin e dytë të kullës, një ekspozitë e madhe europiane hapej dhe Shqipëria përfaqësohej nga ky artist: Bujar Luca. Gazetari Taylor i rrjetit televiziv “ARTE” në intervistën me të, i kërkonte që ky artist që vinte nga Shqipëria t’i fliste për jetën e tij si një artist i «kohës së plumbit». Por ky piktor fjalëpak, parapëlqente më shumë të fliste për artistët në kohën e diktatit ideologjik sesa për veten e tij. I shkruaj këto rradhë për këto vite të para të eksperiencës së tij parisiane, pra të artistit në ekzil, sepse këto vizatime me ngjyra të pikturuara pikërisht në vitin 1993, i pashë veçse para pak ditëve atje në studion e tij, ku ai, krahas restaurimeve të afreskeve të famshme të Charles de Brune, etj, të shekullit XVII-XVIII, (ku Luca është bërë një mjeshtër i veçantë, për çka është vlerësuar me çmimin e Akademisë së Arkitekturës së Parisit) vazhdon njëkohësisht kërkimet e tij pikturale, duke kërkuar diçka të re dhe duke thelluar po kështu stilin dhe performancën e vet artistike. Por ky cikël prej më shumë se 30 vizatimesh qëndronte i heshtur që në vitin 1993 (si shumë cikle të tjera që patjetër duhen bërë të njohura në publikun e gjerë) dhe padyshim habia dhe kureshtja mpleksen menjëherë me kënaqësinë artistike që shkaktojnë ato përballë një publiku të kultivuar.
Pikërisht në to, ku fillimthi është figura njerëzore, pastaj silueta, duke kaluar drejt abstraksionit më pas, vizitori mund të pikasë dy gjëra themelore: e para mbresat figurative të para-mërgimit, por në një dritë të ngrohtë koloristike, pra jo të vrazhdë, çka nënkupton largimin nga një «botë» drejt një bote tjetër; dhe së dyti vetë ndjesinë e brendshme të artistit, tentativën për t’iu larguar artit figurativ dhe për tu hedhur në gjirin e artit abstrakt, fenomen ky që ka ndodhur në shumë korifej të pikturës të fillimit të shekullit XX, të cilët e braktisën padyshim me dhembje artin figurativ për tu hedhur në kërkimet e formave abstrakte. Bujar Luca na ofron një pjesë të shpirtit të tij dhe të një kohe të caktuar. Por është pikërisht ajo kohë kur ai më së fundi u largua nga sistemet e dikurshme për të hyrë në semiologjinë e shenjave dhe formave të një arti tjetër që mbetet po aq i vyer sa dhe ai që ka zanafillën në vizatimet e para të njeriut në kohën e shpellave.
Ky artist, ndryshe nga shumë të tjerë që kërkojnë të bëhen të dukshëm në sferat mediatike, është tepër «diskret», i tërhequr, pasi ajo që ka rëndësi te ai duket se është ajo prozë e shkurtër poetike e Baudelaire me titullin «Dehuni», të cilën e ka ngjitur në murin e studios së tij. Në këto rreshta, Baudelaire shkruante: «Duhet të jesh gjithnjë i dehur: kjo është çështja e vetme. Që të mos ndjesh barrën e tmerrshme të kohës që rëndon supet tuaja dhe u përkul drejt tokës, duhet të dehesh pareshtur. Por me çfarë? Me verë, poezi apo virtut, sipas dëshirës… pra dehuni! Dhe nëse ndonjëherë në shkallët e një pallati, mbi barin jeshil të një grope ju zgjoheni, me dehjen e pakësuar ose të zhdukur, kërkojini erës, dallgës, yllit, zogut, sahatit, gjithçkaje që ikën, gjithçkaje që rënkon, që shkon, që këndon, që flet, kërkojini sesa është ora. Dhe era, dallga, ylli, zogu, sahati, do u përgjigjen: është koha për tu dehur, për të mos qenë skllevër të martirizuar të kohës, dehuni, dehuni papushim me verë, me poezi, me virtut, sipas dëshirës…» E pra le të shijojmë këtë verë, këtë dehje të artit të Bujar Lucës në «bodrumin» e të cilit duhen kërkuar «verëra» të tjera, të stazhionuara nga koha dhe që duhen shijuar veçanërisht në publik…