Hajrie Rondo: Rikthimi në teatër, më janë krijuar kushtet

Rikthehet pas tre dekadash në skenë komedia “Tre Dhëndurët” nga autori Dionis Bubani dhe regji të Sonila Kapidanit në Teatrin Metropol. Kjo vepër e nxjerr nga Fondi i Artë i Estradës së Tiranës, rikthehen gjithashtu në skenë dhe aktoren e mirënjohur shqiptare, Hajrie Rondo.

Vepra “Tre dhëndurët” është një komedi karakteresh e situatash shqiptare, e cila është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1986 nga regjisori Pirro Mani. Është një shfaqje që trajton historinë e një familje në vitet ’40, ku problemi i tyre madhor, është martesa e vajzës së vetme.

Ngjarjet zhvillohen në një kohë të shkurtër gjatë vitit 1943-1944 në një qytet në Jug të Shqipërisë, por të mbushur me ndodhi të mëdha. Atë kohë, ndodh kapitullimi i Italisë fashiste, gjithashtu tërheqja e gjermanëve Hitlerianë, përpjekja e anglezëve për t’u bërë faktorë e së fundmi ardhja e partizanëve që solli në fuqi Partinë e Punës.
“Tre dhëndurë” është një vepër e Dionis Bubani, e cila ka sjell ngrohtësi si nga ana dramaturgjike po ashtu dhe nga ana sociale. Ajo del nga arkivi i Estradës së Tiranës dhe në dijeninë time nuk është vënë më në skenë që nga viti 1986. E mbaja mend nga fëmijëria ime, kam qenë 6 vjeç kur e kam parë dhe u kënaqa shumë që e gjetëm në arkiv. Kjo vepër përkon me sezonin tonë artistik, trajtimin e së vërtesës dhe me dëshirën për të vënë në skenë vepra cilësore të autorëve shqiptar. Vlerësoj partneritetin me regjisoren dhe së bashku me kastin e mrekullueshëm të aktorëve me larmi shumëbreznish dhe eksperiencash” shprehet Jonida Beqo, drejtoresha e Qendrës Kulturore Tirana (Teatri Metropol).
Për aktoren e mirënjohur Hajrie Rondo pjesëmarrja në këtë shfaqje e ka bërë të ndihet mirë. “Erdha në kohën e duhur dhe vendin e duhur, sepse gjeta ekipin e duhur, njerëzit e duhur dhe institucion me dinjitet. Pashë që në këtë institucion punohet dhe dinjitetin ta jep puna, dhe unë njerëzit e punës i dua dhe i respektoj. Pashë një drejtoreshë tjetër jo nga ato tipiket, puna e saj është maratonë. Më janë krijuar kushtet dhe më është lehtësuar puna. Gjithashtu dhe një regjisore të talentuar, egzigjente, punëtore dhe bashëkpunuese të mirë. Falenderoj dhe gjithë ekipin e aktorëve për komditetin që më kanë krijuar” shprehet aktorja Hajrie Rondo.

***

Komedia sjell personazhe origjinalë, veprimet e të cilëve tendosen e marrin kthesa të shpejta e të
papritura, pasi e konsiderojnë martesën si mënyrë për të forcuar pozitën shoqërore. Rëniet e shpejta dhe të shpeshta të pushteteve i bëjnë ata të mos dinë “nga duhet t’ia mbajnë”.
“Kjo komedi është tabloja e gjallë e një jete të veshur me petkun e problemeve të kohës së atëhershme, që ngjajnë aq shumë me ndërrimet e sotme të partive politike, që shpesh e vendosin individin në kaos dhe ia lëkundin parimet jetësore dhe duke ia shtuar ankthin social, gjë që e bën të duken jo pak herë komikë”, shprehet regjisorja Sonila Kapidani. “Tre dhëndurët” është një komedi situatash në të cilën veprojnë karaktere të gjallë e plot ngjyra, me theks humoristik dhe grotesk. Në shumë situata grotesku buron edhe prej hallit të personazheve, të cilët gjenden në kontradiktë me rrethanat apo veten.
“Kjo komedi situatash ka një “hall” sa të thjeshtë prej të cilit personazhet lidhen me njëri -tjetrin dhe veprojnë, po aq edhe të ndërlikuar. I thjeshtë, sepse dy prindër duan të martojnë vajzën. I ndërlikuar sepse rrethanat në të cilën ndodhet shoqëria janë të ndryshueshme në mënyrë të rrufeshme, pa i lënë hapësirë të kuptojnë se cila nga zgjedhjet për dhëndurë do të krijojë siguri për të ardhmen, siguri financiare, status social apo siguri pushteti. Në një qytet të Shqipërisë së Jugut në vitet 1943-1944, shtysa për të gjetur një dhëndër për vajzën nuk është njerëzore, por buron nga interesi për pushtet dhe mirëqenie sociale”, thotë regjisorja.
Nxjerrja e kësaj komedie nga fondi i Estradës së Tiranës është bërë jo pa qëllim. Detyrimi që ne kemi ndaj atyre artistëve, të cilët kanë kontribuar, dashuria që kanë dhënë për skenën, pasioni me të cilën kanë punuar, gjithashtu dhe detyrimi ndaj dramaturgjisë shqiptare dhe impaktit që këto vepra kanë, bënë që këtë vepër të suksesshme të Dionis Bubanit ta rivëmë në skenë.
“Eshtë me rëndësi trashegimia, energjia që formohet nga ajo çfarë është bërë tek ne dhe dallimeve e ngjashmërive me atë çfarë është bërë jashtë nesh. Trashëgimia është gjithkund përreth nesh, duke e formësuar historinë dhe themelet e jetës bashkëkohore, ndërsa ajo e Teatrit është nëpër arkiva, të cilat mua më pëlqen t’i shkund e rishikoj në një dritë të re me qëllim që t’ia përjetojmë ngjyrat dhe shijet. Sepse aty janë kuptimi dhe logjika e asaj çfarë na përbën ne si komunitet, mënyrat e jetesës në një kohë dhe hapësirë tjetër, karakteristika, frikërat, dëshirat, e besoj se kjo është edhe baza e teatrit, burimi nga njerëzorja për njerëzit, të inkurajojë imagjinatën e shoqërisë dhe të ndikojë mbi mënyrën se si e perceptojnë dhe shfrytëzojnë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Një ndër problematikat kryesore që kjo komedi ka hedhur drite atëhere, por hedh edhe sot, është brezi i ri, çfarë makuteria e së tashmes po sjell për të rinjtë që do jenë e ardhmja e këtij vendi”, shprehet Kapidani.
Vepra do të vihet në skenë që nga data 20 tetor, çdo të enjte, të premte, të shtunë dhe të diel në sallën “Çehov” të Teatrit Metropol.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *