Shoqja Natasha Bega: Matilda Makoçi rivjen në skenë, është yll vezullues

Duhet të mbetet një dashuri e mirë njerëzore. Njerëzit ndofta s’e kuptojnë dhe duan të përfitojnë momentin, por momenti zhduket, nuk ekziston. Por ama pjesë e dashurisë mbetet, sepse është energji dhe energjia është e pazhdukshme”. Natasha Bega është artiste e fjalës dhe e penelit. Prej vitesh, herë pas here, është shfaqur para publikut në forma e zhanre të ndryshme: me fjalën e shkruar, me emocione të hedhura në kuadro, me krijimtari që kanë veshur me stilime të veçanta zonjat, por edhe me performanca. Në datën 22 tetor, së bashku me aktoren e njohur Matilda Makoçi sjellin “Hare+M”, një performancë ku ndërthuren muzika, poezia, joga, dizajnet dhe fustanet. Për Begën, shfaqja është vijim i performancës artistike të muajit shkurt “Erosi i Ali Pashës”, ndërsa për aktoren Matilda Makoçi është një rikthim në art, në recitim- shumë vite pasi u shkëput prej tij. Në imazhet e Makoçit sot, anipse kaq kohë larg skenës e publikut, ne njohim e gjejmë Matildën e dikurshme- e qeshur, e ëmbël dhe me një portret të veçantë- krejt e paqtë në dukje, veshur me një fustan të stiluar nga Bega.
Kur e pyet Begën se pse zgjodhi Matilda Makoçin, ajo jep një shpjegim që është një farë qasjeje ndaj vetë natyrës së performancës. “Nuk e zgjodha, erdhi vetë si një moment. Erdhi vetë. As ajo mua, as unë Matildën. Erdhi u poq një moment dhe u bashkuan dy pika: poezitë e mia ishin harruar, ishin shkruar prej vitesh, dhe nuk ishin shfaqur. Po kështu edhe Matilda. Ishin dy pika që u bashkuan, është bërë pa qëllim. Është bërë vetvetiu, ndodhi, nuk u mendua, thjesht ka ndodhur, ka një ndryshim shumë të madh. Edhe kjo është çështje energjie. Unë do them shumë gjëra atje që nuk thuhen dot tani. Ato vijnë në momentin e duhur”, thotë Natasha Bega. Duke mos dashur të rëndojë mbi emra, as mbi gjendje, Bega pyetjes, nëse Matilda Makoçin e njeh prej vitesh, i përgjigjet natyrshëm, duke u kujdesur të vërë theksin të rëndësia e njerëzve dhe emrave në art:
“Matildën? Po e njohin të gjithë shqiptarët! Nuk ka nevojë të vëmë theksin, unë, ti apo ajo. Matilda është një figurë artistike e mirënjohur, e mirëpritur në artin shqiptar. Siç ndodhën ngjarjet në Shqipëri, shumë artistë, si të thuash, u zhytën në gjendjen e tyre, ndofta edhe të pashpresë, shumë artistë e jo vetëm Matilda, që janë harruar, ka shumë. Ndofta është një yll që po vjen të vezullojë akoma në energjinë shqiptare- që ka nevojë për emra, për njerëz, ndër të tjera”.
HARE+M(Mbi energjinë)
Ndër të gjithë ata që do të recitojnë më 22 tetor, në orën 18:00 në restorant “Pierino” pranë Medresesë, vetëm aktorja Matilda Makoçi është e planifikuar. “Ajo do të lexojë. I kam thënë Matildës të zgjedhë atë që ka dëshirë, që mund të jenë 5-6 poezi. Ideja është që të gjithë të marrin pjesë shpirtërisht. Zonjat do jenë të veshura me fustane që i ka stiluar studioja ime, do jetë edhe një skenografi e veçantë që të kujton haremin, ndërsa përreth do jetë 23 vepra në dizajn”.
Bega vë theksin herë pas here te energjia- duke nënkuptuar gjendjen. “Do të jetë një joga, nuk ka fjalë tjetër për ta përshkruar. Fjala Hare+M, pra përmban në vetvete edhe ngazëllimin, edhe muzikën, mendova të fus edhe poezinë. Matilda ishte e gatshme, e thashë pse jo”, thotë ajo.
Në një çast, ajo kujton se njerëzit duhen lënë rehat, “arti po punon, unë po punoj fort për ta zbutur e për të sjellë më të mirën e njeriut e më të bukurën. Janë këto gjëra që ëmbëlsojnë jetën. Nëse përqendrohemi te gjithë ajo që do ndodhë në atë ambient, unë po ju them se: është qendra e njeriut, e aty futet çdo njeri, ti, unë, Matilda. Vijmë si njerëz, jo çfarë jam unë, çfarë je ti, çfarë posti mban njëri apo tjetri. Nuk ka fare nga këta emra. Nuk dua të përdorim njeri, nuk kemi të drejtë ta bëjmë”.
Sa i takon Makoçit, Bega thotë se “njerëzit e duan dhe duan ta kenë pranë vetes, vajzë ekrani, shumë e bukur”.
Bega shënon se nga nëntë librat e saj me poezi të papromovuar në Shqipëri, ajo i ka thënë aktores Makoçi të zgjedhë çfarë dëshiron. Por, Bega thekson se “do që të gjithë njerëzit të marrin pjesë shpirtërisht e fizikisht. Hare+M, sepse thotë ‘gëzo jetën njeri, gëzohu’. Ndërsa shkronja M, në fillim qe për të nënkuptuar haremin- por pa e thënë si fjalë harem, sepse haremi ka tjetër tingëllim. “Unë doja t’i jepja një tingëllim më shumë se harem, dhe e ndava. Në fund fare që unë ftova Matildën më del ‘M’ te Matilda. I thashë edhe Matildës që i kam vënë titullin para teje, por paske qenë ti, se kështu vijnë gjërat, parashikohen dhe i kuptoj më vonë”.
Për Begën, ideja është që njerëzit të performojnë veten e tyre, për ç’arsye do të ketë vegla muzikore që shpërndahen dhe mandej bëhet një unifikim i tingullit. “Janë disa gjëra që nuk rrëfehen dot, sepse janë mistere të ditës”, thotë artistja, ndërsa shton se takimi do të jetë vetëm një mbrëmje, ndërsa punët në dizajn do të jenë të varura dy a tri ditë që të kenë mundësinë njerëzit t’i shohin.
“Janë të ftuar të gjithë. Unë e bëj për njeriun e thjeshtë, e bëj për milingonat e qentë. E bëj për energjinë, në energji nuk ka as poste, as grada, as ngjyra, asgjë”.
Në fund, Natasha kujton se si u bë Makoçi pjesë e kësaj shfaqjeje: “Arti i lidh artistët. Ajo erdhi me gjithë të ëmën e vet në studio për të parë pikturat, kjo ka qenë indicia numër një. Pastaj pa librat e mi. Lexoi dy poezi dhe i pëlqeu, dhe i thashë ‘unë jam duke organizuar një ekspozitë, dhe po të duash, unë kam dëshirë që t’i lexosh’. Kaq ishte e gjitha”.

received_10154822388472044

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *