Nga Ilir Yzeiri
Kam kohë që e mbaj me vete librin me poezi të Ilirian Zhupës « Të gjallë dhe të vdekur ». E hap, e shfletoj, lexoj nëpër të dhe pastaj e mbyll. Libri është i bukur, poezitë janë vetëm poezi dhe para teje ke vetëm poetin, ndoshta të vetmin poet, por unë e kam të pamundur të shtyhem më tej. Gjithmonë e kam të vështirë, gati të pamundur që të shfletoj një libër me poezi apo që të lexoj vargje. Sa herë rri para bibliotekës sime dhe vështroj librat që janë aty, lus Zotin që sytë të mos ndalojnë mbi ndonjë vëllim me poezi që unë e pëlqej. Më duket sikur vargjet mund të më mbysin krejt, më duket sikur vargjet mund të më kthejnë në një botë që mua më duket se ka kohë që ka vdekur dhe se për të hyrë aty duhet të vdesësh. E kam më të lehtë që ta bind veten se leximi i poezisë është si një lojë me fantazma. E besoj thuajse krejtësisht që nëse lexon një poezi të bukur, ti nuk je më i gjallë, por ke dalë nga arkivoli i madh i jetës dhe të duket se endesh nëpër ca vise që nuk ekzistojnë më.
Kisha kohë që nuk e provoja këtë emocion, pra kisha kohë që nuk ndjehesha si një fantazmë që udhëton në viset e fëmijërisë, në viset e largëta të kujtimeve që të mbysin me dallgët e nostalgjisë dhe të çmendin me dritën e asaj gjendjeje që nuk kthehet më, që ka ikur dhe që tani ekziston vetëm si fjalë, jo si botë. Kisha vërtet shumë kohë që nuk lexoja poezi dhe me raste endesha si në tym vetëm nëpër fletë të mbushura me vargje që i njihja dhe rrallë kujtohesha se në atë çast po lexoja poezi.
***
Mirëpo, në fund të viti që shkoi qëlloi që pashë në një kronikë njoftimin se Ilirian Zhupa ka botuar një libër me poezi dhe në atë çast pata ndjesinë se ndoshta do të më rikthehej shqisa e humbur për të shijuar vargje në shqip dhe nga poetë shqiptarë. Ilirianin e njoh shpejt, madje kam shkruar në revistën « Nëntori » një kritikë për një vëllim të tijin me poezi, diku andej nga mesi apo fundi i viteve ’80. Patëm punuar bashkë në redaksinë e poezisë së shtëpisë botuese « Naim Frashëri », por as gjashtë muaj, se ishte viti ’90. Pas atyre viteve ai iu përvodh poezisë dhe si të gjithë ne u mbyt me ëndrra që nuk realizoheshin kurrë. Drejtoi një gazetë, « Populli Po », deri nga vitet ’97, pastaj kriza, falimentim total i gjithçkaje dhe ai largohet nga jeta me shfaqje dhe spektakël mediatik dhe humbet në zyrat e shërbimit diplomatik. Kjo zgjedhje e tij dhe ky durim e vullnet për t’u arratisur nga bota virtuale ishte mesa duket shenja e sigurt që ai tani jetonte në dy kohë. Vetëm tani ti mund të kuptosh se kjo arratisje e tij në zyrat e ftohta të shërbimit diplomatik, ka qenë një vendim i dhimbshëm dhe i rëndë, por ka qenë gjithashtu e vetmja mënyrë që të ruhej fantazma e poetit. Vetëm tani mund ta kuptosh se nëpër zyrat e ftohta të shërbimit diplomatik brenda e jashtë vendit, ai ecën si një hije dhe është i detyruar që më shumë të heshtë se të flasë, në mënyrë që të mbajë të patrazuar hijen apo fantazmën e poetit, në mënyrë që të mos ta zgjojë atë me bërtimat apo me fjalët e përdala të jetës së të gjallëve që mbushin gazetat, radiot, televizionet. Vetëm tani ti mund të kuptosh se Ilirian Zhupa është i vetmi poet që na kujton se poezinë mund ta shijojmë ende, por që të ndodhë kjo duhet për një çast që edhe ne të vdesim ose të harrojmë çmendinën ku jetojmë dhe të mbyllim sytë e të projektohemi në një vend ku mund të hysh vetëm nëse të kanë mbetur tri përmasa : malli, nostalgjia dhe dhimbja. Nëse ti ke humbur ndjesinë për të shijuar atë botë që vdes apo ato ndjenja që ne i varrosim me pasionin për të jetuar, atëhere mos e lexo këtë libër.
***
E kam fjalën për librin me poezi « Të gjallë dhe të vdekur » që Ilirian Zhupa e botoi në fund të vitit 2015 në shtëpinë botuese « Toena ». Ishte një sukses i menjëhershëm dhe libri u botua tri herë. Çfarë kishte ndodhur? Ishte thjesht sensacion? Ishte truk botuesi? Çfarë? As njëra as tjetra. Ishte një takim si ato që ndodhin pa fiksuar orën apo vendin, ishte një nga ato takime që ndodhin në stacione të zhurmshme trenash apo në aeroporte kur ti sheh që larg ish të dashurën tënde të kohës së fëmijërisë apo të adoleshencës, atë femër që ti as nuk e ke prekur dhe ajo as nuk e ka ditur që ti e ke dashur, sepse ti nuk ke mundur ta shqiptosh dashurinë për të. Të vjen pra fryma, ajri dhe drita e një kohe kur ti ishe si në gjysëmëndërr, sepse provoje ndjenjën e pathënë të ngazëllimit dhe të trishtimit për atë që nuk do ta dashuroje kurrë. Ashtu si romani i Ben Blushit “Të jetosh në ishull”, edhe ky vëllim i Ilirian Zhupës, të dy bashkë, dëshmuan se lexuesi shqiptar ekziston dhe e ndjek letërsinë, e kupton dhe e çmon. Në Shqipëri ka shumë vjershëtarë të bezdishshëm që ankohen se poezia po vdes se ajo nuk lexohet, se ata nuk kuptohen. Mund të jetë pjesërisht e vërtetë edhe kjo, por një gjë është e sigurtë, poezia e vërtetë kurrë nuk ka mbetur pa u vlerësuar dhe pa u bërë pronë e publikut. Po përmend një fakt. Sot flitet shumë për poezinë e Frederik Reshpjes. Dhe me të drejtë, sepse Frederiku është një nga të paktët poetë të lindur. Mirëpo sa ishte gjallë askush nuk u kujtua se Frederiku ishte edhe poet. Rasti i tij është unik dhe provon maksimën që jeta dhe poezia nuk shkojnë bashkë. Kur poeti vdes, atëherë poezia e vazhdon jetën e ndërprerë në mënyrë tragjike, si ndodhi me Frederikun.
Por le të kthehemi të libri i Ilirian Zhupës. Ai prihet nga një parathënie e autorit, në të cilën Zhupa shpjegon jetën e këtij libri, i cili duhej të ishte botuar që në vitin 1992 ose edhe 1993, por nuk u botua atëhere, sepse mesa duket koha e mundi poetin dhe e dërrmoi ndjenjën dhe forcën e lindjes dhe vëllimi u mbyll në një raft dhe për gati një çerek shekulli edhe libri edhe autori ose fantazma e poetit, të dy bashkë u vunë në provën për të rrezistuar përballë një kohe dhe një bote që vetëm poezi nuk mund të pranonte. Ishte një kohë kur të gjithë u çmendën nga pak dhe në një çmendinë të tillë poetët nuk janë normalë, sepse vendin e tyre e zënë monstrat e shpirtit tonë të ndërkryer që rrafshojnë të gjitha dunat e ngritura të shpirtit me aromën idiote të frymëzimit. Autori thotë se libri e kaloi provën e heshtjes dhe tani, ashtu me drojtje edhe atij i takon të marrë fjalën dhe të na detyrojë të gjithëve që të heshtim, sepse kur lexon poezi, kur të flet një poet, ndodh si me fantazmën në ëndërr që jo vetëm e dëgjon, por nëse ajo ka formën e bukur të dritës apo të ngjyrave ti ndjehesh me fat që e shijon. Libri ndahet në dy cikle “Nën lëkurë” dhe “Mbi lëkurë” dhe në fund është dhe poema “Qielli im”. Në mes tyre është futur cikli “Ura”, një tufë vjershash botuar në vitet 1975-1990. Vëllimi hapet me vjershën e njohur me katër vargje “Kombi im” :
Kombi im
Të kam komb në fyt
As të vjell dot
As të gëlltit.
Në këtë poezi ai luan me dy fjalë homonime me fjalën “komb”, që shenjon tërësinë e bashkëkombësve dhe “komb” lëmshin apo gungën që të mblidhet në grykë, kur mallëngjehesh apo kur ke një shqetësim tjetër dhe je gati të shpërthesh në lotë. Ndërsa cikli “Nën lëkurë” hapet me vjershën “Zotat u ngjitën në qiell”. Të duket se është një paralajmërim se do të futemi në një botë që jeton me zotat e braktisur, në një vend që ka trembur edhe Perënditë:
Zotat u ngjitën në qiell dhe s’dinë më të zbresin,
Kanë frikë mos dheu nga lindën, është dheu ku duhet
të vdesin.
Dhe duket se shenja e parë e jetës në një vend ku zotat janë ngjitur në qiell është vetmia dhe mungesa e dashurisë. Ashtu si detari, që në mes të oqeanit kujton tokën edhe poeti në mes të vetmisë në një botë pa zota kujton se jetojmë në një kohë që “nuk përqafohemi më”:
Nuk përqafohemi më ,
S’shikohemi.
Po duart e tua , e dashura ime,
M’u ulën mbi flokë si mjegulla
Duart e tua paskan mbetur te unë
Si hiri i zjarreve në shpella (“Ëndërr për duart e tua“)
Si për ta bërë më të kthjellët këtë botë pa zota dhe pa përqafime, poeti vëren se ky është një fat, ose ashtu si këto janë “Fate të trishta“ :
…dhe qënia ime as loz, as çmendet…
Kanë ikur shpirtrat,
kanë ngelur sendet…(“Fate të trishtë“).
Nëse njerëzit e zakonshëm nuk e kuptojnë dot se përse trishtohen apo përse vuajnë, poetët e dinë se vuajtja apo trishtimi, ajri i rëndë i jetës pa gëzime, vjen për shkak të një bote që ikën, botë që e shohin dhe e ndiejnë vetëm ata. Kjo botë në shumë raste merr formën e së dashurës që nuk e dashuruam kurrë, apo të kujtimeve që na mbytin. Nëse fantazma e Zhupës jeton në një botë pa Zota, pa përqafime, në një botë ku shpirtrat kanë ikur dhe ka vetëm sende, kjo ndodh edhe pse nga kjo botë është arratisur dashuria, është zhdukur portreti i asaj që ka marrë me vete edhe hijedritat e mallit e të brengës. I mbyllur, i vetmuar, ai ngjan “si një molusk dhe brenda saj kërkon të krijojë qënien e asaj që iku, në mos të tërën imazhin e saj/si në fillimet e botës“, thotë ai. Poezinë e mbajnë ndoshta dy motive – dashuria dhe vdekja. Mirëpo, në shumë raste dashuria apo e dashura e poetit nuk është femra në kuptimin sensual, por është më shumë se aq. Njeriu e ka jetën të ndarë në shumë pjesë, por malli, melankolia, emocioni për gjërat që ikin e nuk kthehen kurrë, ose klithma për ato që duhen bërë ndryshe janë më së shumti bota e padukshme e njeriut, botë që në shumicën e rasteve merr formën e dashurisë apo të femrës në vargjet e poetit. Ndaj të duket se edhe poeti, ashtu i mbyllur si një molusk, nuk ka dëshirë të kthehet andej nga vjen ajo që e ka plagosur ashtu. Ka më tej në këtë cikël poezi që të kujtojnë të gjallët, miqtë e poetit, ashtu siç ka dhe dëshirë për të dalë nga ferri i vetmisë dhe për t’u mbytur në një natë gëzimi, por vetëm kaq, sepse vjen një ditë tjetër dhe poeti duke ecur sheh një stol lulishteje dhe befas ai vend i kujton se :
Në stola ulen ata që dashurohen
Mbi stola hipin ata që varen
Një jetë të tërë dashuria ime,
Ulet dhe hipën mbi stola.
Mirëpo vjen një çast dhe të duhet të dalësh nga guaska e vetmisë dhe të përzihesh me të gjallët e vdekurit. Në këtë rast poeti nuk mund të jetë si të tjerët. Gjëja e parë është që të zhdukë sytë, sepse ai vjen nga bota e fantazmave të një kohe që ne nuk e shohim. Kur ai bëhet gati për një udhëtim të largët, ashtu si Odiseja që iu lut marinarëve t’ia mbyllnin veshët dhe ta lidhnin që të mos dëgjonte joshjen e sirenave edhe ai i merr sytë e lodhur dhe i fut në xhep:
Mora sytë e mi të lodhur dhe i futa në xhep,
Veshët i mbylla në një kuti hermetike të veshur nga brenda,
Do i nxjerr të shikojnë e dëgjojnë,
vetëm po mbërrita në ndonjë ishull të shkretë.
Ku luajnë natyrshëm dritat, ngjyrat dhe zërat.
Nëse cikli “Nën lëkurë” vizaton botën që nuk e shohim, pra është si të thuash një pikturë e shpirtit që vuan prej asaj që ndodh në botën e të gjallëve, cikli tjetër “Mbi lëkurë” vizaton plagët e trupit të poetit që janë shkaktuar nga takimi me ato që ndodhin në botën e të gjallëve. Është një udhëtim në kohën e shkuar, në portat e fëmijërisë, në arealin e vendlindjes apo në heterotipinë e shpirtit të poetit. Duke paraqitur gjithë këto njolla e shenja në trup ai përpiqet që të kuptojë botën duke i dhënë poezisë së këtij cikli edhe një tis filozofik. Ndërsa te cikli “Ura” ai në formë kronike duket se u kthen përgjigjet e munguara të afërmve, miqve, bashkëkohësve. I zënë ngushtë nga vështrimet që i kërkojnë shpjegim për atë që ai nuk ka mundur të bëjë dot, rrëfen vuajtjet e kaluara, gjithë sa ka humbur e ka bërë në atë kohë që të gjithë e kërkonin, por askush nuk e gjente dot. Ndërsa poema “Qielli im” është një nga krijimet më të bukura të tij dhe këtu përmes gërshetimit të stilit biblik me atë naiv, ai arrin që të na tregojë misterin e ekzistencës dhe të krijimit. Duke zbërthyer imazhin e trinitetit të shenjtë Atit, Birit, Shpirtit, Ilirian Zhupa futet me këtë poemë në traditën më të mirë të poezisë europiane ekzistenciale dhe arrin që të na tregojë imazhet dhe botën e ngatërruar të qiellit dhe tokës. Duke zbërthyer teksin e vështirë të krijimit, ai mbete origjinal deri në fund, sepse nuk e zgjidh misterin e krijimit, por e ndërlikon atë me imazhin poetik të ankthit për atë që nuk dimë në këtë botë, për misterin e qënies sonë, të shpirtit tonë dhe të birit apo të modelit që tentojmë ta ndjekim, por nuk e shohim dot.
Ilirian Zhupa është mjeshtër i vargut të lirë me kadencë jambike. Ai përdor 11 rrokëshin apo edhe 13 rrokëshin dhe është i papërsëritshëm në gjetjen e rimave të brendshme të vargut me përsëritje të bashkëtingëlloreve po aq sa edhe të zanoreve.
Ky është vetëm një vështrim i shpejtë mbi librin e fundit të Ilirian Zhupës, është vetëm një përshtypje e parë, sepse është e pamundur që të shkruash më shumë, sepse siç e thashë në fillim, kur je përballë një libri me poezi të bukura, e ke të pamundur të shkosh deri në fund të faqeve, sepse poezitë rrinë aty, të zënë rrugën dhe e ke të pamundur të kalosh në faqen tjetër, ngaqë secila prej tyre është si një libër më vete. Kështu ndodh me Ilirian Zhupën dhe më vëllimin e tij “Të gjallë dhe të vdekur”.