Vepra universale dhe kombëtare e Kadaresë!

Nga Minella Aleksi

Prej disa vjetësh çdo fillim vjeshte bën bashkë në një përzgjedhje më të mirësh dy emra shkrimtarësh të mëdhenj, Philip Roth amerikan dhe Ismail Kadare. Kur mora të rilexoja romanin “Kështjella” të Kafkës kisha parasysh dy rethana ndërthurëse shumë interesante. Shkrimtari Roth është një studjues i veprës së Kafkës dhe ka krijuar dy romane bazuar në shpirtin kafkian ndërsa studjuesit europian e ata anglishtfolës e gjejnë veprën e shkrimtarit Kadare të krahasueshme me veprën e Kafkës.

Natyrisht që të influencon kjo ndërthurje autorësh të mëdhenj që të arrish të kuptosh më thellë vlerat e artit të madh, mesazhet filozofike që nëpërmjet tyre përcillen .

Sigurisht nuk marr përsipër që të bëj një studim kritikë për Kafkën. Më shumë është një mendim personal që edhe pse me rezervë më shtyn drejt një krahasimi domethënës.

Studjuesit pohojnë se Kafka ka ndikuar praktikisht çdo shkrimtar të njohur perëndimor që erdhi pas atij. E konsiderojnë si pararendës të realizmit magjik të Gabriel Garcia Marquez.

Mbas L2B dy botët e ndryshme Perëndimi dhe Lindja komuniste kishin dy qëndrime të ndryshme në lidhje me veprën e Kafkës.

Interesant është fakti se te intelektualët e perëndimit në vitet 60të egzistonte një vizion romantik mbi shkrimtarët e Lindjes komuniste mbasi ishte opinioni se ata “vuanin në emër të letërsisë”. Të vuash në emër të letërsisë!!?? Tingëllonte shumë kavalereske, i bënte që në mënyrë mosbesuese të tundnin kokat ata që e dëgjonin.

Fillimisht do të paraqes qëndrimin zyrtar që mbahej në vendet e ish Bllokut komunist ndaj veprës së Kafkës e më pas mbi “vizionin romantik” në Perëndim.

Bazuar në qëndrimin mohues zyrtar të ish Bllokut komunist natyrshëm lind pyetja, çfarë arritën të kuptojnë intelektualët dhe kultura perëndimore te vepra e Kafkës?.

Kafka ka shkruar letërsi gjatë dhe pas luftës së parë botëore. Në Pragë kaloi pjesën më të madhe të jetës.

Në universitetin ku studjoi për jurist gjuha gjermane praktikohej njëlloj si gjuha çeke. Me edukacion prej ebreu, me kulturë gjermanike, edhe pse jetoi në Pragë nuk i përkiste kulturës çeke. Intelektual që në veprimtarinë e tij krijuese shpërfilli nocionin komb, shtet, rend shoqëror dhe u vetzbeh edhe si gjerman. Krijimtaria e tij letrare tërhoqi menjëherë vëmendjen e intelektualëve perëndimorë të kohës. Në vitin 1946 studjuesit perëndimorë për herë të parë përmendin fjalën “kafkian” apo “bota kafkiane”, 22 vjet pas vdekjes së tij. Pas L2B çuditërisht ndërsa në Perëndim studjohej dhe debatohej intensivisht për veprën e Kafkës, në vendet e ish Bllokut komunist u ndalua. Duke filluar nga viti 1948 në Çekosllovaki Kafka konsiderohej “tabu”, u ndalua, politika kulturore zyrtare e cilësoi shkrimtar dekadent. Për ti diskredituar veprën origjina e tij prej ebreu gjerman me maniera borgjeze ofronte një pretekst më shumë. Në 1959 Jiri Hajek do shkruante në revistën “Tvorba” atë që u bë “mantra kulturore” e Bllokut Lindor komunist: Shkrimtarit Kafka i njihej rëndësia e përshkrimit të tjetërsimit të njeriut në shoqërinë perëndimore, por meqë në socializëm njeriu nuk është “aspak i tjetërsuar” atëhere Kafka nuk është aktual, nuk është i nevojshëm si inspirues letrar për shkrimtarët e vendeve socialiste. Kritiku amerikan H. Fast shkruante në vitet 60të se Kafka në vendet komuniste ishte vendosur në majë të gropës së plehut kulturor të reaksionit. Në BS qarkullonin dorëshkrime të “Proçesit” të shtypura në mënyrë artizanale që kush i lexonte ishte i bindur se ishte vepër e ndonjë shkrimtari sovjetik. Kush tjetër mund të njihte më mirë me detaje absurdin dhe sistemin totalitar stalinian!

Në vitin 1956 në Moskë me Krushovin në pushtet u botua një përmbledhje e krijimtarisë së Kafkës, por në parathënien prej 60 faqesh B. Suchkov e konsideronte shkrimtarin “mëkatarë me shtatë mëkate kardinale: Injorues i konvencioneve letrare, pesimist, tërhiqte vëmendjen e lexuesit nga problemet bazë të shoqërisë, nihilist, deprimues shpirtëror nga humbja e kurajos ose e shpresës, pasivitet, dhe tjetërsim të njeriut”.

Filologu sovjetik Efim Etkid i emigruar, shkruante nga Parisi ku jetonte: “Kafka e kishte përshkruar njeriun të tjetërsuar, me izolim në një sistem shoqëror shumë të ngjashëm me sistemin totalitar komunist”.

Nga vitet 70të Kafka ishte i pranishëm në vendet socialiste në nivel minor. Vetëm në Gjermaninë Lindore ndodhi që “e pranuan në dhomën e ndenjjes por e detyruan që të qëndronte në fund, te qoshja. Ndërsa në Hungari u lejua si “shoqërisht i pranueshëm”.

Vëndet e ish Bllokut komunist e konsideronin Kafkën si një kundërshtar të socializmit dhe njëkohësisht një shkrimtar antirealist. Antirealist sepse nuk përfaqësonte entusiazmin dhe aspekte të zakonshme të jetës së përditëshme njerëzore.

Vetëm në vitin 1988 në kongresin e shkrimtarëve çekosllovakë vepra e Kafkës nga “pasqyrë e dekadencës” u njoh zyrtarisht si “shprehje ndershmërie e një romancieri, dëshmi e një shpirti të vënë në provë”.

Krejt tjetër vizion ishte zhvilluar për veprën e Kafkës në kulturën Perëndimore.

Si e thotë filozofi L.VVittgenstein Kafka “ I theu rregullat e mjeshtërisë, të artit të të shkruajturit. Sepse e jetoi gjithë jetën e tij në kufirin e limiteve të gjuhës dhe që janë edhe kufijtë e botës, atje ku mbaron dominimi i shkencës, i artit, i filozofisë, i njohjes njerëzore, atje ku poezia dhe besimi fillojnë të angshtohen nga mungesa e ajrit. Në fund të jetës Kafka vetë ishte bërë një skelet i banuar nga qiellorja. Zëri i tij nuk kuptohej më”.

Kafka me nerv humori të zi i vendos personazhet e tij të kapur në kurthe, në lidhje çorientuese brenda sistemesh aspak mikpritës. Në vepër përfshin temat e izolimit shpirtëror, të refuzimit të sistemeve sociale, të zhgënjimit dhe të dëshpërimit përpara një të ardhmeje të pa administrueshme. Krijimet e Kafkës lexohen si testamente të një njeriu të demoralizuar. Vepra e tij me “kompleksin kafkian” nënkupton se karakteret e tij operojnë në situata administrative komplekse shumë të shtrira, bizare, të çuditshme, alogjike, ku individi gjëndet i pa fuqishëm që të kuptoj apo që të kontrolloj atë që ndodh para syve të tij, i frikësuar nga një armik të cilin nuk e di se ku ndodhet.

Studjuesi Guido Crespi në një studim sjell opinionet interesante të regjizorit R. Polanski dhe shkrimtarit M. Kundera mbi atë se çfarë tjetër specifike ndryshe nga lexuesi perëndimore dallonin popujt e ish Bllokut komunist te vepra e Kafkës.

“I mirënjohuri regjisor R. Polanski ka pohuar se gjithmonë konstatonte te vepra e Kafkës një nerv të ndjeshëm komiciteti, humori të zi. Dhe shtonte se kjo gjë i shpëtonte pothuaj plotësisht një spektatori apo një lexuesi jo europianolindor, sepse mësoheshin për fat të keq nga shkolla apo nga librat me konceptin që Kafka ishte ekskluzivisht shkrimtar i fajit, i ankthit dhe i boshit. M. Kundera e mbështet plotësiht këtë opinion të Polanskit: “Mënyra sesi jo vetëm unë por të gjithë çekët në përgjithësi e kuptojnë Kafkën është e ndryshme nga ajo e lexuesit perëndimor. Për ne Kafka është një shkrimtar realist sepse vepra e tij përmban një vizion të shkëlqyer të realitetit. Si ne askush tjetër i lexon si alegori librat e tij. Për pasojë jemi shumë më sensibël ndaj humorit të tij.

Specifika e humorit të tij qëndron në atë që një lloj komiciteti e shoqëron njeriun në të gjitha veprimet e tij”.

David Foster VVallace romancier dhe eseist amerikan mendonte se pjesa më e madhe e humorit kafkian nuk është aspak delikate, e lehtë, përkundrazi është e kundërta. Humori kafkian varet nga një lloj letrarizimi radikal i së vërtetës që zakonisht trajtohet si metaforë. VVallace konkludon që “historitë e Kafkës janë si një lloj porte që hapet nga jashtë”. Trajton frustrimin dhe tjetërsimin e njeriut që kërkon të integrohet në një sistem që ndërsa e fton, e margjinalizon dhe e largon në të njëjtën kohë.

Sigurisht që të dy kulturat e të dy sistemeve ideologjike të ndryshme e kanë kapur jashtëzakonisht mirë artin e madh dhe mesazhet filozofike të veprës së Kafkës por nuk kam aspak dyshim që, popujt e ish bllokut komunist e kanë shijuar veprën e Kafkës shumë më tepër sesa lexuesit perëndimorë.

Kafka stigmatizon e vë në lojë në mënyrë të vazhdueshme problematikën dhe dëshpërimin e veprimeve njerëzore në lidhje me rendin Hyjnor. Raporti i tij me realitetin është krejt ironik, mosbesues, i shtyrë nga vullnete të këqija, njëlloj si prestigjatori me pajisjet e veta. Natyrisht nuk është vetëm humori i zi i vetmi çelës i interpretimit të veprës së Kafkës. Duhen mbajtur mirë parasysh simbolika e lidhjeve të Kafkës me ebraizmin, të raportit midis ebraizmit dhe humorit në veprën e tij. Humori ebraik është një armë e shkëlqyer mbrojtjeje dhe sulmi. Një proverb ebrai thotë: “Njeriu mendon, Zoti qesh”. Kultura ebraike ka zhvilluar progresivisht një nerv humori që tenton të bashkëbisedojë me të vetmin anëtar të bashkësisë sonë të vendosur në qiell. Ata që e besojnë thënien e mësipërme e imagjinojnëe egzistencën tonë si një teatër komik për një Spektator të vetëm. Ky Spektator nga lartësia qiellore buzëqesh me përpjekjet tona të kota për të njohur botën, për ti dhënë asaj një kuptim e që për Atë veprimet dhe mendimet tona edhe ato më të tëmerrshmet ka mundësi që përbëjnë një spektakël zbavitës. Psikanalisti C. Musatti thotë: “Ebreu është ai që edhe në fatkeqësi, në mizerje dhe mundime, me tërësinë e elementeve individuale karakteriale nga njëra anë dhe zotësisë për të ditur si të përpiqet në këto situata, ia arrin që të konvertojë nëpërmjet humorit vetjak palumturinë e tij në një gjëndje situate të dominuar me vetëdije.

Dramaturgu hungarez Miklos Hubaj përshkruan një episod shumë interesant që lidhet me “humorin realist” të Kafkës. Mbas dështimit të revoltës së vitit 1956 në Budapest shumë intelektualë u morën nga shtëpitë, ua mbuluan sytë me shami në një udhëtim që zgjati disa orë, të bindur se po i çonin diku për ti pushkatuar. Kur kamionët u ndalën, ua hoqën shamitë dhe vunë re se ndodheshin në një peizazh malor (ishin në Rumani) të dominuar nga një kështjellë burg. Mbetet emblematike në këtë rast thënia e filozofit hungarez Georgy Lukash e thënë me zë të lartë dhe që provokoi te të pranishmit një të qeshur çliruese: “Gjithmonë kam menduar se Kafka ishte një shkrimtar abstrakt e një borgjez i vogël. Tani po kuptoj se ka qënë një shkrimtar i madh realist”.

Nënvizova në fillim vizionin romantik që mbizotëronte në Perëndim për shkrimtarët e lindjes komuniste të cilët “Vuanin në emër të letërsisë”.

I pa qartë mbi këtë vizion romantik dhe i magjepsur nga letërsia e Kafkës shkrimtari i njohur amerikan Philip Roth ndërmer për disa vite rrjesht (1972-1977) udhëtime në Çekosllovakinë komuniste në kërkim të Kafkës, të studimit dhe kuptimit në thellësi të asaj që quhej bota kafkiane. Këto vite eksplorimesh u kurorëzuan nga Roth me dy romane ku ngjarjet dhe karakteret përshkruhen në kontekstin e shpirtit kafkian. Ajo çka Roth gjeti në këto udhëtime ishte, po të citojmë Kunderën, “Kafka i ndaluar në vende, kultura e të cilave ishte masakruar nga invazioni shtetëror dhe kulturor sovjetik”. Thellësisht i impresionuar nga dimensioni politik i jetës kulturore në vendet e ish Bllokut komunist Roth filloi botimin e librave të disa autorëve të bllokut Lindor komunist në 4 volume (1975-1980) nën okelion “Shkrimtarë nga Europa tjetër”, (Philip Roth, Milan Kundera, Bruno Schulz, Tadeusz Borovvski, Daniol Kis, Joseph Brodsky, John Updike, Jan Kott). Fryma e romanit të Philip Roth “The Professor of Desire” 1977, ishte një reflektim i thellë mbi atë se përse regjimet totalitare të ish Bllokut komunist kërkoninheshtjen totale për Kafkën. Ja një përcaktim mbi këta shkrimtarë:

“Një regjim që bazohet në mashtrimin, që u kërkon njerëzve që të shtiren, një regjim që ka frikë nga cilido që kërkon të kuptojë domethënien e veprimit që bën, nuk mund të lejojë dikë që ndershmërisht ka arritur tu flasë njerëzve në nivelin e vërtetësinë magjepsëse perfekte ose tmerruese”.

Këta ishin shkrimtarë nga një botë ku “njerëzit janë shumë të interesuar, pasionant rreth ideve, ku intelektualët përbëjnë problem. Ku kultura dukej që ishte një armë në luftën kundër sistemit, ndërsa intelektualët ishin ngritur në nivel heronjsh”. Një pjesë e mirë e këtyre intelektualëve ishin socialist që me gjithë energjitë e shpirtit besonin se sistemi mund të reformohet dhe përmirësohet nga brenda. Me një fjalë vazhdonin që të luftonin për një socializm “me fytyrë njeriu”. (Cituar nga studimi i Timothy Garton Ash, Londër Penguin 1999).

Kjo deri më 20 gusht 1968 kur pakti i Varshavës pushtoi brenda 6 orësh Çekosllovakinë.

Shumë interesant është gjithashtu opinioni i Ph. Roth mbi “shkrimtarët nga Europa tjetër”.

Pavarësisht preokupimit personal dhe letrar si shkrimtar perëndimor për vështirësitë e pengesat e ndalimit me ligj të autorëve të Europës Lindore, Roth mbeti i kujdeshëm, i matur me idenë e shumë diskutuar të “muzës çensuruese” që i atribuohej krijimtarisë artistike të këtyre shkrimtarëve. “Muza çensuruese” interpretohej si besim se, vetëm autorët nën trysninë e kontrollit të shtetit janë të aftë që të japin vepra letrare të rëndësishme, ndryshe nga autorët në vendet ku gjithëçka ecën normalisht. Me këtë temë Roth ka pasur një polemikë të nxehtë me shkrimtarin e kritikun e njohur franko-amerikan Francis George Steiner. Habitem, i drejtohej Roth debatuesit Steiner, përse të gjithë shkrimtarët e Europës Lindore që njoh dhe që e urrejnë regjimin duke uruar gjithë pasion zhdukjen e tij nga faqja e dheut nuk arrijnë që ta konkretizojnë, sikurse thotë Steiner, që ky është momenti i tyre për të manifestuar talentin e tyre të madh letrar? Roth insistonte që sistemi totalitar jo domosdoshmërisht prodhon vepra madhore arti. Theksonte se dëmtimet fizike në jetën private e profesionale dhe atë shpirtërore që u shkakton autorëve, kjo po është e sigurtë sidomos kur zgjat shumë. Roth është larg glorifikimit të “muzës çensuruese” dhe idealizimit të intelektualit disident.

Në romanet dhe refleksionet e tij nga Praga e Lindja komuniste Roth çfaqi një balancë të arsyetuar qartë midis admirimit e keqardhjes për shkrimtarët disident nga njëra anë dhe një vlerësimi të sinqertë për letërsinë e tyre që shpesh ishte jo në raport respektiv me biografitë e tyre të komplikuara nga persekutimi, nga ana tjetër.

“Ata që si Steiner dëshirojnë që ti shikojnë disidentët e Europës Lindore si heronj të pakujdeshsëm që luftojnë për letërsinë e madhe me siguri që i kanë parë romanet e Roth me temë nga Praga jo të përshtatshëm, madje disi problematikë. Në të vërtetë karakteret e romaneve të tij nga Praga nuk janë sipas shijes së George Steiner, por i bën ata personazhe autentik”. (cituar nga studimi i M. Bryla, Univ. i Sevilias, 2013).

Le të arsyetojmë tani se çfarë arritën të kuptojnë intelektualët dhe kultura perëndimore te vepra e Kafkës?. ë

Në shumë raste institucionet kulturore perëndimore e përdorën modelin e Kafkës si një mjet denoncues gjatë dekadave të Luftës së ftohët në sensin që simbolizonte një njeri të kapur brenda një shoqërie totalitare ndalimi i veprës së të cilit tregonte egërsinë e vendeve socialiste.

Që Kafka ishte kuptuar si një instrument efikas për demokratizimin e regjimit socialist evidentohet gjatë Konferencës së Moskës për çarmatimin në korrik 1963.I influencuar nga egzistencializmi Jean Paul Sartre pjesëmarrës në mbledhje bëri thirrje për rëndësinë e çarmatimit kulturor. “Kafka përbën një shembull real të rivaliteteve kulturore, kultura nuk ka nevojë që të mbrohet as me ushtarë e as me politikanë, kultura ka nevojë që nga ndërhyrjet të sigurohet. Kjo është detyra jonë, kjo kërkohet nga të gjithë ne intelektualët, që ta demilitarizojmë. Sidoqë fjala e Sartrit nuk u publikua në gazetat kryesore të Moskës, prapëseprapë luajti një rol në afrimin e Kafkës në këto vende. Me këtë rast letrari gjerman R.Karst u shpreh: “ Të pranohej Kafka vetëdijshëm në letrësinë sovjetike nënkuptonte që hapur apo heshturazi të pranoje egzistencën e një pluralizmi, të paktën në letërsi.

Megjithatë nuk mungoi letërsia e madhe. Ata shkrimtarë që e përshkruan me realizëm, me talent artistik të lartë, s’kish sesi të mos krijonin me veprat e tyre pika takimi afërsie me veprën e Kafkës. Shkrimtarit rus Mikhail Bulgakov-së me veprën “Mjeshtri dhe Margarita” botuar më 1966 (20 vjet pas vdekjes së autorit) tërhoqi vëmendjen e studjuesve perëndimorë. U cilësua si një satirë fantastike e burokracisë dhe establishmentit sovjetik, me nënkuptime filozofike në terrenin e paranojës së Rusisë sovjetike. Intrigë demoniake, tronditëse ku herë herë të duket sikur je i përfshirë në kompleksin kafkian.

 

Në fillim të shek. të frymëzuar nga ideologjia komuniste shumë vende të Europës lindore hynë në epokën e sisteme diktatoriale komuniste. Pushteti komunist u vendos me revolucion, me terror e gjakderdhje. Po të mbajmë parasysh konceptin universal që çdo veprim ka në të njëjtën masë një kundërveprim atëhere konkludojmë se, te vepra e Kafkës u mishërua me të njëjtën masë Kundërveprimi historik ndaj sistemit totalitar komunist. Intutita e shkrimtarit gjeni kapi dimensionin katastrofik që ndaj racës njerëzore paraqiste diktatura komuniste. Me gjenialitetin e tij Kafka krijoi veprën, sistemin letrar-filozofik që koha kërkonte si kundër reagim për të zbërthyer dhe denoncuar sistemin totalitar komunist, fatin e rrezikuar të njerëzimit në konditat e diktaturës. Kjo bën që në kulturën botërore vepra e Kafkës të qëndrojë si paraprirëse kundërvënëse ndaj totalitarizmave. Kështu i erdhi njerëzimit dhe këtë rol luajti vepra e Shekspirit 400 vite më parë në epokën e popujve të skllavëruar nga mbretërit sundimtarë. Këtë funksion emancipues për njerëzimin luajti vepra e Dante Aligerit 700 vite më parë. Kafka renditet në klasikët pikërisht për vlerat universale emancipuese..

Studjuesit perëndimorë jo pa qëllim e kanë lidhur letërsinë e Kafkës me atë të shkrimtarëve nga ish bota komuniste. Vlera e saj universale i bën që të theksojnë se mendimi i sotëm letrar ka nevojë për Kafkën. Kujtimi i diktaturave e sjell më afër mesazhin e veprës së tij.

Kur themi që Kafka ishte një herë “tabu” në vendet e mëdha të ish Bllokut komunist kuptohet që, së paku ishte dy herë i tillë në komunizmin ekstremisht barbar shqiptar. Një botë ankthi e paranoje e futur në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, një teatër i gjallë ku luheshin përditë fate individësh të pafajshëm.

Kur lexon për shtatë mëkatet e shkrimtarit Kafka, apo përcaktimet dekadent, antirealist, pesimist etj, ne shqiptarëve mendja na shkon menjëher te kritikat dhe etiketimet që në diktaturë i bëheshin shkrimtarit Kadare.

Kur themi që Kafka filloi të pranohej në ish Bllokun e Lindjes në vitet 70të nuk mund të lemë jashtë vëmendjes një fakt shumë domethënës në lidhje me krijimtarinë e shkrimtarit Kadare. Nuk di të them me saktësi se kur është njohur Kadare me veprën e Kafkës. Po të kemi parasysh që iu dha mundësia e udhëtimit në Perëndim në mes të viteve 70të kohë kur tashmë e kishte dhënë një të tretën më të rëndësishme të krijimtarisë së tij letrare atëhere pa ngurim mund të themi se gjenia e tij letrare e ka pasur brenda vetes Kafkën, “kompleksin kafkian”. Mbas botimit të “Dimri i madh” në Francë kritika franceze filloi që të përmendëte fjalët “bota kadareane, universi kadarean”.

 

Kaq realiste janë përshkrimet në veprën e Kadaresë sa lexuesi ndjehet i çvendosur nga përditshmëria e momentit kur është duke lexuar në një situatë kohore dhe teatër ngjarjesh që përshkruhet në libër. Kjo përbën magjinë letrare që shkrimtari i madh indukton në psiqikën e lexuesit.

Kritika serioze botërore e krahason shkrimtarin shqiptar I. Kadare me shkrimtarin Kafka. Pohojnë se te të dy qëndrojnë bashkë shkrimtari gjenial me filozofin.

Arti i madh i Kadaresë përcillet me anë të shqipes. Shqiptarët janë me shumë fat që kanë mundësinë që ta shijojnë veprën e Kadaresë në origjinal.

Ja si shprehet filologu Xhevat Lloshi për gjuhën e Kadaresë:

“Pas Kadaresë gjuha e letërsisë shqipe nuk është më ajo e dikurshme; është mbushur me një ligjërim tjetër. Ai e bëri atë jo thjesht më të pasur, por edhe më të lirë, më të bukur, më artistike, më të zhdërvjellët, më shprehëse, më intriguese, më tronditëse. Shqipja sot është një gjuhë botërore e letërsisë artistike.

Me prozën e tij u pasuruan format e rrëfimit letrar, që perceptohen si novatorizëm edhe kur librat e tij përkthehen në gjuhë të tjera”.

E kanë krahasuar me Gogolin, me Kafkën, me Orvvellin, por ai i Kadaresë është zë origjinal, universal, e prapë me rrënjë thellë në tokën e vet. (Independent on Sunday)

“Një zë universal kundër totalitarizmit” ishte motivacioni i çmimit Asturias. Motivacioni i titullit të nderit “Komandant i Legjionit të nderit” – Autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit. Avokat i pasionuar i kulturës europiane”. Nënkupto avokat i lirive dhe i të drejtave unisversale të njeriut.

“Vepra e Kadaresë, madhështore, parajmëruese, me një hije muzgu, një “Komedi Hyjnore” e epokës së stalinizmit.(Frederic Ferney)

“Nuk dyshoj se Kadareja është një shkrimtar heretik………Heretiku në ndryshim nga rebeli është i qëndrueshëm në kundërshtimin e tij, ka një vijë të veprimit dhe një strategji të sjelljes, që buron nga parimet”, shprehet Arshi Pipa.

Kështu mund të vazhdojmë gjatë në pasqyrimin e vlerave universale të veprës së shkrimtarit Kadare të shprehura fuqishëm nga kritika serioze botërore.

Dua të theksoj se hapësira ose trualli gjeografik i ngjarjeve në librat e tij kapërcen kufijtë e Ballkanit dhe të Europës.

Megjithatë studjuesit seriozë të shkrimtarit Kadare unanimisht kanë pohuar që, me veprën e tij Kadare ka rindërtuar, ka ringjallur botën shqiptare, një Shqipëri europiane. Ai e ka lidhur ngushtësisht fatin e veprës së tij me fatin e vendit, të popullit dhe të gjuhës shqipe që kanë qënë disa herë në kufijtë e zhdukjes.

Mendje shumë të holla antishqiptare nga vendet fqinjë e kanë ndjerë dhe e kanë kapur shpejt këtë tipar përcaktues patriotizmi te vepra e shkrimtarit Kadare. Tërë vepra e tij, jehona dhe fama e saj europiane e më gjerë u ka dalë përpara si një mur i pakalueshëm kulturor historik në mbrojtje të vendit, popullit dhe gjuhës shqipe.

Këmbëngulës në projektet e tyre antishqiptare çfarë kanë bërë pas këtij konstatimi? Të palodhur për ta zbehur e dëmtuar famën e shkrimtarit Kadare, e kanë etiketuar nacionalist, anti islamist, despot letrar, antikatolik, racist, etj..

Me vullnet të palodhur antishqiptar sidomos krahu serb, kanë krijuar mekanizma për të zvogëluar sa më shumë të jetë e mundur efektin shoqëror patriotik që vepra letrare përmban në vetvete. Që nga kohët kur fqinjët e Veriut nisën luftërat pushtuese mbi shqiptarët dhe e bënë të tyren Kosovën, serbët nuk kanë pushuar asnjë çast me insinuatat diskredituese, kundërvënien sistematike me njërëzit e shkencave social-historike për të paraqitur shqiptarët si një racë që nuk i përket familjes europiane. Shkrimtar nacionalist nuk mund të jetë një i tillë që vjen nga një vend e popull kaq i vogël sa jo vetëm që nuk mund të fantazojë e projektojë iniciativa nacionaliste por që i duhet të përpunojë mekanizma vetmbrojtjeje për të mos u zhdukur pa farë e nishan. Vepra e Kadaresë është sistemi i vlerave të racës shqiptare me reflex universal për kulturën europiane e më gjerë. Sipas studjuesve Kadare qëndron denjësisht në nivelin e veprës së autorëve klasikë që ndërtuan sisteme kulturore e filozofike antitotalitare e emancipuese shoqërore 100 vjet, 400 dhe 700 vite më parë.

Imagjinoni që të mos egzistonte vepra e shkrimtarit Kadare, ky gjigand kulturor e gjuhësor shqiptar. Mendoj se Kadare duke e lidhur fatin e veprës letrare me fatin historik të vendit, të popullit dhe të gjuhës shqipe ka një avantazh për të cilin populli dhe vendi i tij duhet ti jenë pafundësisht mirënjohës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *