Dom Ernest Troshani: Si e prita emërimin kardinal nga Papa Françesku

Dom Ernest (Simoni) Troshani është 88 vjeç, 20 prej të cilave i ka vuajtur në burgjet komuniste. I arrestuar natën e Krishtlindjeve të 1963-it, deri të shtunën, ai ishte martir i gjallë, simbol i vuajtjes e persekutimit, ndërsa të dielën Papa Françesku e ka emëruar atë Kardinal Nderi, duke u bërë kështu kardinali i dytë shqiptar pas Dom Mikel Koliqit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Dom Ernesti tregon se kjo qe krejt e papritur për të edhe pse, dy javë më herët, ai kishte qenë në krahun e majtë të Papës.
Dy vite pas vizitës së Papës, kujtojmë dëshminë e Dom Ernestit para Atit të Shenjtë në Tiranë, ku ndërsa i dëshmoi jetën e tij, përloti jo vetëm Papën për realitetin e vuajtjeve të Dom Ernestit, por mbarë opinionin botëror. Ka qenë pikërisht kjo arsyeja që papa Françesku shpalli gjatë lutjes së Engullit të Zotit, Kardinal Nderi.
Në biografinë zyrtare të publikuar nga kisha bëhet me dije se “Dom Ernest Troshani ka lindur në Shkodër, më 18 tetor 1928. Mësimet e para i ka kryer në Shkodër, ndërsa të mesmen në Kolegjin Françeskan dhe në Liceun “Illyricum”. Është shuguruar meshtar më 8 prill 1956 nga Imzot Ernest M. Çoba. Ai është arrestuar më 24 dhjetor të vitit 1963, natën e Krishtlindjes gjatë celebrimit të meshës në Kishën e Barbullushit-meshë e mbajtur për John Kennedyn – siç kishte kërkuar Papa. Dënohet me 18 vite burg me motivacionin e famshëm të asaj kohe “agjitacion e propagandë”. Burgun do e vuante në Rubik, Vlorë, Laç (Krujë), Elbasan dhe pjesën dërrmuese, 10 vite në të tmerrshmin burg të Spaçit. Gjatë kohës para arrestimit ka shërbyer si famullitar në fshatrat Kabash, Pukë, Kukël, Gocaj, Barbullush, Mal i Jushit, Torovicë, Sumë. I liruar nga burgu në vitin 1981, mbasi e plotësoi krejtësisht dënimin, me shpalljen e lirisë së besimit, mbas viteve ’90 ka shërbyer në Famullinë e Barbullushit e Trushit. kardinali do të drejtojë kremtimin e Zojës së Shkodrës, në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, me datë 16 tetor 2016.
Më poshtë intervista e kardinalit Ernest Troshani për “Gazeta Shqiptare”. 5 nëntori është data e Lumturimit të 38 martirëve të Kishës – të vdekur në komunizëm. Kardinali do të jetë i pranishëm në këtë meshë si urë lidhëse mes së kaluarës dhe së tashmes.
– Si e keni pritur emërimin si kardinal nga Papa Françesku?
Emërimi tim si kardinal e kam pritur në mënyrë të çuditshme, sepse nuk e kam besuar kurrë dhe as më ka shkuar ndërmend që mund të kisha një lartim shpirtnor e kishtar prej Papës. Natyrisht si meshtar, e falënderoj me gjithë shpirt Zotin, që më ka mbrojtur shëndetin. Dhe jam i lumtur që është parë gjendja e kishës dhe e imja e që më është dhënë ky titull. Atë titull e shoh si një titull të shërbëtorit të njerëzve, në shërbim të shpirtrave të tyre, për të çuar fjalën e paqes dhe të vëllazërimit, të kënaqësisë dhe gjendjes shpirtërore.
– Kur e morët vesh që u shpallët kardinal?
Dje, kur gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Romë, pashë emrin tim, Ernest Simoni. U habita, gati nuk mundesha as ta besoja, ka qenë krejt e papritur. E pashë mandej në internet emërimin e emrin tim në italisht dhe atëherë u detyrova me e besu. E falënderova Zotin, që të jem shërbëtor i shërbimit të shpirtrave.
– Çfarë ju tha Papa, biseduat me të para emërimit?
Ah, jo, s’e kam ditur. Para dy javësh unë kam qenë për drekë dhe kemi qenë në tavolinë në Konferencën e 400 delegacioneve të të gjithë botës. E gjeta emrin tim në sallën e madhe. Unë kam ngrënë bukë në anën e majtë të Papës. Mbeta si i habitur, sepse isha mes kardinalëve, por nuk mu tha gjë dhe as nuk e dija se unë do emërohesha kardinal. Nuk kam menduar për këtë, kam menduar dhe kam parë me syrin optimist për begatinë e popullit.
– Keni kaluar disa vite në burg dhe keni thënë se i keni falur ata që ju kanë spiunuar dhe ata që ju kanë dënuar në komunizëm. A mendoni sot prapë njësoj?
Gjithçka në fe është me dashni, me falje e me mëshirë. Duhet të lutemi që të falen, të kremtojnë e të jetojnë: njësoj si miqtë edhe armiqtë. Kjo është. Kjo jetë është kalimtare, por si fe ne duhet të falim.
– A keni një mesazh për ata që nuk kanë kërkuar falje, që s’e kanë bërë mea-culpan, edhe pse kanë fajet e tyre në komunizëm?
Të gjithë duhet të jenë për falje, për dashninë dhe duhet të lutën, dhe jam për t’i falur ata, për t’u lutur për ta që t’i falë i madhi Zot. Uroj të shërohen dhe të shpëtojnë në rast se nuk janë në rrugën e duhur, të dalin mbi gjykimin e të gjejnë shpëtimin e të fitojnë amshimin.
– Çfarë është për ju të jeni kardinali i dytë shqiptar pas Mikel Koliqit?
Rëndësi ka që u tha kardinal shqiptar. Unë jam një burrë plak.(Fatmira Nikolli-Gsh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *