Kur Çmimi Nobel ka tradhtuar veten, shkrimtarët e mëdhenj që nuk e kanë fituar

Nga Agron Tufa
MBI ÇMIMIN “NOBEL” NË LETËRSI DHE KADARENË

Duhet theksuar fort, që në fillim: çmimi “Nobel” në Letërsi nuk është Gjyqi i Fundit për një shkrimtar të madh. Le të na qëtësojë ky pohim.
Është fakt, se “Nobeli” për më se një shekull ka evidentuar vlerat më të bukura artistike dhe humane të letërsisë botërore dhe ka shërbyer si një sistem referimi për shijet e mira estetike dhe edukative, që orientojnë tregun dhe trendin e lexuesit serioz. Por është fakt gjithashtu, se lista e “nobelistëve” fitues është zbehur jo pak herë nga lista e “nobelistëve” jo fitues. Dhe në disa raste kjo është kaq flagrante, sa hedh hije të fortë dyshimi si për nga kriteret e përzgjedhjes së fituesit, ashtu dhe për vetë Testamentin e Alfred Nobelit, që ky çmim t’i jepet atij shkrimtari që sjell risitë dhe arritjet më të mira në fushën e letërsisë. Mjafton të kujtojmë disa nga emrat më të mëdhenj të letërsisë botërore, tashmë klasikë të përbotshëm të fondit të artë letrar të shekullit XX-XXI, të cilët nuk e morën: Lev Tolstoj, Anton Çehov, Virxhinia Vulf, Xhejms Xhojs, D.H. Lourens, Marsel Prust, Franc Kafka, H.L. Borhes, F.G. Lorka, Vladimir Nabokov, Italo Calvino, Umberto Eko, Milan Kundera, Zbignjev Herbert etj, etj. Madje ka raste kur profili i nobelistit është ulur në nivele të rëndomta sipas meje, deri tek Dario Fo, Alise Monro, Svitllana Aleksieviç, etj.
Komisionet përzgjedhëse të “Nobelit” shpesh kanë tradhëtuar politikat, shpesh majtiste apo dhe konjukturat momentale të historive politike të Euroamerikës, duke shmangur meritën dhe virtytet artistike të krijimtarisë letrare të kandidatëve të “Nobelit”.
Në këtë kyç duhen parë “të papriturat” e komisionit të Stokholmit, sa herë shpallin fituesin e radhës. Shkarjet janë bërë të shpeshta dhe gjithë e më dendur zgjidhjet na dalin tendencioze, si infiltrim politikash që s’kanë të bëjnë me thelbin e misionin e letërsisë.
Rasti “Kadare” në gjithë këtë histori ka të bëjë me kreshpërimet dhe lëkundjet e panatyrshme të Komisionit të Nobelit. Personalisht kam menduar dhe mendoj, se korpusi letrar i veprës së Ismail Kadaresë ka qenë i denjë dhe i padiskutueshëm për çmimin “Nobel”. Atëherë përse nuk i jepet, përderisa vepra kadareane është gjerësisht e njohur dhe e përhapur në shumë gjuhë?
E para, mendoj se është burokracia dhe përtacia. Anëtarët e Komisionit nuk e lexojnë me vëmendje veprën e një prendendenti çerekshekullor të “Nobelit”.
E dyta, mendoj se është krijuar një rrjetë paragjykimesh, të ushqyera edhe nga letrat e liga denoncuese të qarqeve të ulëta shqiptare e antishqiptare, me alibinë se “një pjesë e veprës së Kadaresë ka qenë konformizëm me realizmin socialist”.
E treta, mendoj se është skepticizmi apriori që kihet nga snobët e “Nobelit” për kulturat e gjuhëve të vogla, si shqipja.
Kemi pastur mjaft kohë të gjatë të mendojmë, analizojmë e krahasojmë për një pikë të katërt: a e meriton menjëmend një vlerësim të tillë vepra e Kadaresë. Dhe përgjigja ime, absolute dhe e bazuar në bindje nga krahasimet është, se shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, e ka merituar gjithmonë këtë vlerësim, që me nominimin e parë për kandidat të “Nobelit” në vitin 1992 e deri më sot.
Nga tre pikat që parashtrova më sipër, duket (dhe pëshpëritet me shpesh në ambientet shqiptare, po edhe të huaja), se ka peshë pika e dytë, pra fakti, se I. Kadare një pjesë (më minorja) të veprës e ka shkruar në pajtim me normat e realizmit socialist. Gjej momentin të thesksoj se ky kinse argument është më i ligu dhe më pezmatuesi, pasi korpusi i veprës së Kadaresë është një kompleks katedralesh letrare, romanesh, novelash e tregimesh dhe se vepra e tij duhet parë në koherencën dhe konseguencën e saj, së pari si kundërvënie estetike, e mandej edhe si kundërvënie logjike ndaj artit zyrtar socrealist (shih shkrimin tim për ketë “Disidenca estetike e Kadaresë”).
Por nëse Komisioni i Nobelit vërtet do të çmendej dhe ta pranonte një logjikë të tillë, ai do të binte ndesh me praktikat e veta të mëparshme. Çdo të thonim atëherë për dyzina të tëra poezish e poemash të nobelistit Pablo Neruda kushtuar Stalinit dhe regjimit stalinist? Po për modelet e socrealizmit sovjet në veprat e nobelistit Mihaill Shollohov? Nuk po zëmë këtu periudhat e hershme rinore e (disa deri kur u bënë zdapa të ndërgjegjshëm) të një numri të pafund poetësh të mëdhenj si Arragon, Elyar, Hikmet, Rricos, hipokrizitë e Sartrit apo Brehtit me stalinizmin, duke qenë madje të pa kërcënuar me jetë në vendet e tyre të lira perëndimore. Nëse këtyre emrave nuk u zihet për të madh zelli komunist, madje dhe i mbrojtjes së krimeve të Stalinit, për hir gjoja të kauzës, nëse për ta nuk u bë pëngesë ky kompromentim politik e ideologjik për nderimin me çmimet “Nobel” e të tjera çmime prestigjioze, atëherë, a nuk është meskinitet e hipokrizi t’i zihet kjo shkrimtarit shqiptar të mbijetuar nga një diktaturë monstruoze, që nuk e kishte për gjë të të kalonte në plumb për një varg (siç edhe ka ndodhur në Shqipëri, deri në gusht të vitit 1988)?
Unë mendoj se nuk ka asgjë për të sqaruar vepra letrare e Ismail Kadaresë përballë Komisionit të Nobelit në Letërsi. Përkandrazi, Komisioni i Nobelit ka shumëçka për të sqaruar përballë veprës së Kaderesë dhe letërsisë shqipe.
Dhe ndoshta kjo do të ndodhë. Do të ishte mirë të ndodhte. Për të gjitha palët. Kombi shqiptar, i cili shenjë vendimtare të identitet të tij ka gjuhën shqipe, ka nevojë të shenjohet përmes kësaj gjuhe e kulture me një çmim Nobel. Kjo është ajo bota na ka borxh, të na japë atë që na takon, të na shenjojë si kulturë e gjuhë, përmes instrumentit të saj më besnik, që në këtë rast është shkrimtari Isnail Kadare, kandidati çerekshekullor për çmimin Nobel në letërsi.
Të tjerat janë shkarje nga tempi, pengesa, paragjykime, snobizma të huaj e mazokizma të brendshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *