Zbulohet pas 59 vitesh tema e diplomës së Dritëro Agollit në Petersburg

Skicat dhe tregimet e poetit revolucionar shqiptar Migjeni”. Kjo ishte tema e diplomës, që i riu Dritëro Agolli do të mbronte përpara një komisioni specialistësh në Universitetin e Petersburgut.

Këtë punim të shkrimtarit, na e zbulon studjuesi, prof. Dr Shaban Sinani me ligjëratën “Migjeni i Dritëro Agollit”, ditën e hënë, gjatë një aktiviteti që Biblioteka Kombëtare organizon me rastin e 85­vjetorit të shkrimtarit.

Në këtë aktivitet, titulluar “Ekspozita agolliane dhe ligjërata”, permes titujve të veprave të Agollit dhe kumtesave, rizbulohet portreti i shkrimtarit gjithë përmasat e tij.

Një interest ë veçantë përbën nxjerrja në dritë e punimit të diplomës “Skicat dhe tregimet e poetit revolucionar shqiptar Migjeni”, mbrojtur para jurisë në Universitetin e Petersburgut në vitin 1957, duke pasur si oponente albanologen e mirënjohur Agnia Desnickaja. Sipas Sinanit, zgjedhja e Migjenit, përveçse parapëlqim i Dritëro Agollit, lidhej përkthimin në rusisht të “Vargjeve të lira” dhe “Novelave të Qytetit të Veriut” si dhe interesin e vijueshëm për Migjenin dhe dorëshkrimet e tij nga shkencat sovjetike shkruan Panorama.

Por një arsye e tretë mund të kishte lidhje me fushën e diplomimit (gazetari) dhe me nënllojin e zgjedhur (skicat, publicistika).

Ekspozita

Ekspozita agolliane ofron një retrospektivë të shkrimtarisë së tij, qysh me zanafillat e hershme poetike më 1948, për t’u zhvilluar e zgjeruar në zhanre e gjini të ndryshme për mbi 65 vjet krijimtari.

Nga poezitë e para te vëllimet poetike, nga skicat te romanet epike, nga fabulat të satira, nga reportazhi te publicistika, vepra e Dritëro Agollit shpalos njëheri frymë­ zimin dhe angazhimin e autorit në sfidat e shoqërisë shqiptare, duke u shtrirë po aq e sukseshme në dy epoka.

Ekspozita dëshmon larminë tipike të krijimtarisë së Dritëro Agollit dhe përfshin edhe një vështrim brenda zhanreve si psh: nga poezitë e para të botuara te “Letrari i ri” dhe “Rinia” më 1948, vijohet me vëllimet e para “Në rrugë dolla” (1958) dhe “Hapat e mia në asfalt” (1961) për të mbërritur te “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Vjen njeriu i çuditshëm” (1996), “Fletorka e mesnatës” (1998), “ Lutjet e kambanës” (1998), etj; nga tregimet e hershme si ato të botuara te “Zëri i Rinisë” më 1955 te përmbledhjet me tregime si “Zhurma e erëreve të dikurshme” (1984) dhe “Njerëz të krisur” (1995) deri te romanet e mirënjohura “Komisari Memo” (1970), “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), “Njeriu me top” (1975), “Arka e djallit” (1997).

Ekspozita sjell në vëmendje edhe shqipërimet e tij të njohura të Eduard Bagricki më 1961, “Duart e lira” të Pol Elyar (1984), “Kënga e gëzimeve dhe brengave” të Robert Bërns në vitin 1987, por edhe cikle poetike të Janis Ricos, Aleksandër Bllok, Ana Ahmatova, etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *