“Flasin dhe do vazhdojnë të flasin, por mua aq më bën”, ka qenë fraza që Ministrja e Kulturës ka zgjedhur nga mbishkrimi i vulës së Faik Konicës, për ta ndarë në rrjetet sociale, së bashku me një album fotosh të shkëputura nga ceremonia e dorëzimit në Bibliotekën Kombëtare.
Kumbaro duket se ka gjetur frazën e duhur për t’i dhënë përgjigje kritikëve mbi punën e saj si ministre, duke perifrazuar këtë mbishkrim nga vula e Konicës, i cili kur vjen puna tek “veset” e të metat e shqiptarëve ka qenë i pamëshirshëm në kritikë e sarkazëm.
Thënia e Konicës, i cili është edhe një ndër personalitetet e preferuar të ministres Kumbaro, është shkëputur nga vula, e cila përbëhet nga dy germa platini F.K, që përfaqësonin artin e tipografisë koniciane të “Albania-s” e të librave që ai shtypi me ato germa, si dhe nga dhjetë gjarpërinj në pozicione të ndryshme, që rrethojnë inicialet e emrit të Faik Konicës. Logo mban si shënim në greqisht një thënie tipike të nxjerrë nga vepra e filozofit të mirënjohur Erasmus i Roterdamit (Desiderius Erasmus), të cilën Konica e ka perifrazuar në frengjisht qysh te “Albania”, nr. 1, Janar 1902: “Il disent ce qu’il veulent: qu’il continuent, je n’en moque!” (Le të thonë ç’të duan, mua aq më bën..!)
Në ceremoninë e zhvilluar ditën e djeshme, Kumbaro nënvizoi se intelektuali dhe diplomati Faik Konica ka shenjuar fort historinë e diplomacisë shqiptare.
Në përfundim të ceremonisë, Ministrat Bushati, Kumbaro dhe Drejtorja e Bibilotekës Kombëtare Persida Asllani dhanë një mesazh sensibilizues në kuadër të Ditëve të Leximit dhe fushatës “Takohemi për një libër” duke lexuar pjesë nga Konica.