Përveç tablove historike, që paraqet në ekspozitat Kombëtare të para viteve ’90 (“Dedë Gjo Luli”, “Shote Galica”, “Çast beteje”, “Malësori”, etj), Ismail Lulani ”dashurohet” këmbë e kokë me peizazhin shqiptar. Në mënyrë të veçantë, element mbizotërues i peizazheve të tij, përveç bukurisë natyrore, është “motivi baritor”. Siç duket artisti ndihet i lidhur me këtë motiv për shkak të jetës së vështirë dhe të thjeshtë të malësorit – bari në malësi. Figura e barinjve të tij ka krijuar një “personazh – imazh”, që e shoëhim të shfaqet herë në një tablo e herë në tjetrën. Ai është një figurë tërheqëse, më shpesh i moshuar, me veshjet popullore të zonës, të cilin artisti preferon ta pikturojë në mes të dëborës e të dhive të tij. Zakonisht ky personazh paraqitet duke ecur, me pamje nga prapa. Në përgjithësi vërejmë se veprat e Lulanit pas viteve ’90 nisin të kenë një notë të lehtë dramatike, një trishtim dhe heshtje që shpesh japin mesazhe të rëndësishme. Me gjithë atë në veprat e tij magjija ndërthuret me misterin, drita e natyrës me dritën e shpirtit dhe peizazhi dimror me peizazhin vjeshtor. Në ‘to ndrit i njëjti diell’ si në legjendat Shqiptare. Veprimtaria krijuese e Ismail Lulanit shtrihet në sisteme të ndryshme shoqërore. Ai mbetet një nga përfaqësuesit e rëndësishëm të artit shqiptar të shekullit XX. Ismail Lulani ka lindur më 26 Mars 1933 dhe ka vdekur me 6 Tetor 2002.
Ka lindur në Tuz (Republika e Malit të Zi) më 26 Mars 1933. Pasi kryen shkollën fillore në vendlindje, familja e tij vendoset me banim në Shkodër. Aty kryen studimet e mesme për mjekësi, pastaj i kushtohet plotësisht pasionit të tij të fëmijërisë, pikturës. Miqtë e tij, piktorët Angjelin Dodmasej dhe Franc Ashiku, e nxitin të futet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1964 -68), në ateljenë e pikturës që drejtohej nga artistët Nexhmedin Zajmi dhe Sali Shijaku. Duket se realizmi i thellë i Zajmit dhe ekspresiviteti i Shijakut “gjetën hapësirën e duhur” në intuitën artistike dhe ndjenjën e papërsëritshme të ngjyrës potente të Lulanit, që plotësohet hapa pas hapi, nga njëra tablo e tij në tjetrën, me të famshmet “njolla të shpërndara e plot dritë”. Në veprat e tij, sidomos rreth viteve ’80, ndihet prirja drejt pasurimit të paletës piktorike që e bën Lulanin të evidentohet nga tabloja në tablo me një stil të veçantë piktorik, që priret drejt dekorativitetit, kapjes së motiveve të veçanta dhe zgjedhjes së mënyrës së vizatimit të personazheve. Vepra artistike e piktorit Ismail Lulanit gjatë më shumë se 30 vjetëve krijimtari është e gjerë dhe e larmishme. Ai pikturon portrete, peizazhe dhe tablo kompozicionale me temë historike e sociale.Vepra e tij e parë e ekspozuar në publik ka qenë një peizazh nga Hidrocantrali i Vaut të Dejës (1969). Pas kësaj Lulani do të ishte i pranishëm me tablotë e tij në të gjitha ekspozitat e konkurset lokale dhe kombëtare.Temat e cikleve piktorike të Lulanit janë frymëzuar nga ciklet e kreshnikëve (Muji dhe Halili, Gjergj Elez Alia), baladat shqiptare (Kostandini dhe Duruntina), historia e popullit Shqiptar (Figura e Skënderbeut, Ali Pashë Tepelena, Shote dhe Azem Galica), nga shumë figura dhe ngjarje të Luftës Nacional-Çlirimtare, nga periudha e ndërtimit të socializmit dhe veçanërisht, nga jeta dhe puna e njerëzve të thjeshtë. Piktori Ismail Lulani veçohet dhe vlerësohet në pikturën shqiptare si një kolorist i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë, me personazhe-figura që vizatohen në mënyrë të stilizuar, si një artist që joshet pas jetës së njerëzve të thjeshtë. Pas viteve ’90 Ismail Lulani i kushtohet kryesisht peizazhit të zonave veriore Shqiptare, që e ka tërhequr dhe më parë shpirtin e tij artistik. Me këto motive Lulani ka krijuar cikle të tëra tablosh, që mund të grupohen sipas stinëve të vitit, etj, të tilla si cikli i peizazheve të vjeshtës, cikli i peizazheve të dimrit dhe cikli i bariut të dhive. Piktura e Lulanit ka një freski koloristike, që duket se buron edhe nga kontaktet e artistit me natyrën si dhe nga ndikimi i artit popullor të trevave veriore, gjë që vihet re veçanërisht në koloritin e ndezur dhe në dekorativitetin e veprave të tij. Lulani i trajtoi motivet shqiptare të tablove të tij nga disa këndvështrime. Ai mund të quhet me të drejtë si piktori i Shqipërisë së Veriut.