Luan Rama
Kisha kohë që udhëtoja nëpër Afrikë dhe ja, më 2005 duhej të nisesha me një mision të OKB-së në Guiné-Bissau për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare, në një vend me probleme demokratike dhe regjime autoritare e narkotrafikantësh, pasi në Afrikë, jo vetëm aty, por dhe në vendet e tjera, përmbysja e presidentëve nga postet e tyre prej disa kapterëve të armatosur me ushtarët e tyre, prej rreshterëve, kolonelëve e apo gjeneralëve, ishte bërë e modës, sepse të gjithë donin të vinin në pushtet, duke thënë se një urdhër hyjnor po i drejtonte ata drejt një misioni të ri. Sapo isha khyer nga Kongo Brazaville ku një kapiten kishte shumë vite që ishte në pushtet (dhe po kështu edhe ai i Afrikës Qëndrore, i shpallur president, zoti Kereku, i cili mbante gjithnjë në duar një shkp që thoshte se ai ishte një shkop magjik), e që pas një grusht shteti ishte proklamuar dhe ai president. Kisha parë madiatekat franceze që ishin ndërtuar dhe pajisur aty nga Franca me mjetet më moderne dhe përsëri ndodhte që jo vetëm aty por dhe në vende të tjera ato të digjeshin dhe shkatëroheshin nga puçistët. Sidoqoftë, para se të shkoja kisha lexuar diçka për atë vend dhe ajo që më kishte mbetur në mendje ishin ritet e tyre, ajo e funeraleve, dhe se vdekja konceptohej si një vazhdim i jetës. Ja pse, kur ndodhnin vdekjet, ato ishin të gëzuara dhe një spektakël i vërtetë, pasi besimtarët e fesë animiste, duan ta shoqërojnë daljen e shpirtit nga trupi me valle e këngë, deri sa ai të vendoset diku. Dhe kjo vazhdonte për një javë, me këngë, të ngrëna e të pira. Dhe shpirti mund të fshihej pastaj diku në një pemë, në një shkëmb, burim, statujë, tek një i gjallë apo i vdekur dhe ishin këto shpirtra që luftonin kundër sëmundjeve, përmbytjeve, thatësirës, epidemive dhe vetë tragjedive.
Me këtë ide u nisa dhe me një deputet nga Quebec i Kanadasë ne zbarkuam në Bissau, kryeqytet i krijuar nga portugezët kolonialë, ku takuam pjestarë të tjerë të delegacionit të OKB dhe pikërisht aty, një shoqërues vendas më tregoi parlamentin, muret e të cilit ishin bërë shoshë nga mitralozat si dhe një tank të shkatërruar diku më tej që ende nuk e kishin hequr, çka më kujtoi marsin e vitit 1977 në Shqipëri, imazhet e të cilit i kisha parë veç nga gazetat e huaja këtu në Paris. Sidoqoftë, unë doja të ikja larg nga kryeqyteti, pasi doja të shikoja pikërisht indigjenë, komunitetet e pyjeve dhe ishujve të Guiné-Bissau, në bregun perëndimor të Oqeanit Atlantik, duke zgjedhur ishullin Bubaque në arqipelagun e «dos Bijagos», ku u nisëm që pasdite, një ditë para votimit, me një motoskaf që do të merrte kanalin e gjerë Geba, duke lënë majtas brigjet e Bolama-s dhe duke iu afruar pas një ore ishullit Rubane deri sa arritëm në Bubaque, aty ku jo më larg një tufë hipopotamësh lëviznin ngadalë në brigjet e një ishulli të vogël përballë. Tutje, dy ishujt e vegjël të fundit, Orangozihno dhe Orago, nga ku pastaj shtrihej pafundësia e atij oqeani të mistershëm.
Ishte një mbrëmje e ngrohtë, ekzotike, me një hotel fshataresk, ku gratë më shpesh rrinin me gjinjtë jashtë, ku pemët gjigande ishin tmerrsisht të larta, ku astrologët e fshatit vështronin qiejt për të vëzhguar më pas vendosjen e yjeve, atje ku disa metra më tutje fillonin pyjet e kakaos, pasi Bissau është një vend kampion për rritjen e kakaos. Atë mbrëmje, në port, fëmijët hidheshin dhe kapnin me duar peshq, pasi peshqit ishin të shumtë, kërcenin mbi ujë, të pambarrimtë, diçka e pa imagjinueshme në Mesdhe, dhe ky ishte ushqimi i tyre kryesor: peshk dhe kakao. Gjithçka ishte e paqtë në atë ishull, dhe vdekja gjithashtu, pasi popujt indigjenë janë gjithnjë të paqtë. Ata besojnë në shpirtrat dhe drurët e shenjtë siç ishin drurët «Calage» dhe «Etrecurite». Respekti ndaj pleqve ishte i jashtëzakonshëm dhe në disa tribu të Guiné-Bissau (nga 40 tribu, më të mëdhatë janë Fula, Balanta dhe Mendiga), poligamia ekziston akoma. Këtu plazhet janë të mrekullueshme, me një rërë fine, vendi është tepër turistik, zogjtë të rrallë dhe festat e karnavaleve të mrekullueshme dhe shumë sensuale. Një tjetër botë. Atë natë që rashë të flija, rrëzë asaj peme gjigande me rrënjë shumë shekullore, mendoja për Lévi Strauss që ishte aq i paqtë dhe i lumtur tek jetonte në popujt e Amazonisë duke studjuar ritet, kulturat, përfytyrimet dhe lidhjen e pandashme të njeriut me tokën, larg luftës barbare që bëhej në Europë. Dhe pikërisht, tek shikoja një hënë e plotë që endej tej dritares, unë doja të isha një Lévi Strauss i vogël dhe të mos mendoja më për demokracinë, pasi dhe presidenti i ri që do të vinte një vit më pas, Nino Vieira apo Nino «Kokaina», siç e quanin në arenën ndërkombëtare, katër vjet më vonë, do të vritej në rrugët e Bissau-s nga baronët e drogës kolumbiane. Ishte mesnatë dhe unë mendoja tashmë për Shqipërinë time që përpëlitej përsëri në përçarje demokratike… Prijësi i ashtuquajtur «Demokratik» që veç kishte ngjallur përçarje, ishte shfaqur sërrish.
Ku janë vallë drurët e «shenjtë» shqiptarë?… Duhet t’i kërkojmë. Ku?…