Ndue Ukaj
Në fillim të tetorit, sytë e botës së kulturës dhe jo vetëm të saj, drejtohen kah kryeqyteti suedez, Stockholmi. E motivi për këtë është i qartë: lidhet me Çmimin Nobel për Letërsi, pesha dhe rëndësia e të cili, i kalon përmasat e çmimeve tjera të fushave të ndryshme që ndahen po në të njëjtin vend. Për të e në emër të tij, nxiten debate, spekulime, këshilla; bëhen lobinge e kundërlobinige. E gjithë kjo ka një shpjegim: pushteti dhe ndikimi i këtij çmimi – dhe i letërsisë, është pakrahasimisht i madh, dhe s’mund të zëvendësohet me asnjë tjetër. Ndaj, çmimi si i tillë, jo vetëm që përfton vëmendjen e botës së madhe të kulturës, por i mban në tension mijëra dashamirë të fjalës artistike, shkrimtarë e gazetarë, që presin me ankth momentin kur hapen dyert e punuara me shije dhe aty shfaqet sekretari i Akademisë Suedeze që kumton fituesin.
Krejt kjo që thamë, në shikim të parë duket e parrokshme. Sepse, jemi mësuar të dëgjojmë e të flasim për pushtete të tjera: politike, ekonomik, ushtarake. Dhe pak ose aspak për pushtetin e fjalës. Andaj, me të drejt pyetet: si është e mundur bota e një shkrimtari apo e një vepre të ketë këtë fuqi? E nëse përnjëmend e ka, nga buron ajo? Për mua, kjo ka një kuptim dhe një shpjegim: ky çmim ndërlidhet me pushtetin e gjuhës. Dhe në këtë pikë, qëndron magjia, ashtu sikurse edhe joshja e popujve dhe kulturave pas tij. Duke u ndërlidhë me pushtetin e epërm, të pakontrollueshëm; atë të gjuhës, prej së cilës bëhet çdo gjë e pa të cilën nuk bëhet asgjë, rreth këtij çmimi sajohen gjithfarë trillesh.
“Çmimi Nobel për Letërsi, është dinamit kulturore”, pohoi Per Wästberg, shkrimtar, anëtar i Akademisë Suedeze dhe kryetar i Komitetit të Nobelit për Letërsi, në një shkrim autorial të botuar këto ditë në njërën nga gazetat më të mëdha suedeze, Svenska Dagbladet. Ky pohim i njërit prej figurave të rëndësishme të Komitetit të Nobelit, jep shpjegimin e kërkuar e domethënës, jo vetëm për peshën, por edhe për ndikimin e rëndësinë universale që ai ka.
Prej kur ekziston çmimi në fjalë, ka dëftuar fuqi e ndikim. Ka ndikuar që të krijohet një kulturë e nobelit, pa të cilën s’mund të kuptohet shekulli që lamë pas, as ky në të cilin jemi.
Sot, të gjitha kulturat demokratike, madje jo vetëm ato, aspirojnë dhe synojnë këtë çmim. Sepse, është identiteti i një shoqërie, imazhi më i mirë për një vend dhe një gjuhë.
Ndonëse jemi në shekullin e trandjeve të mëdha, ndryshimeve marramendësve teknologjike, përplasjeve ideologjike, i mundësive të shumta që ka njeriu në dispozicion për të marrë informacione, librin e letërsisë s’ka arritur ta zëvendësojë asnjë formë tjetër e komunikimit publik. Ai kërkohet dhe është pjesë e pandashme e njeriut. Madje, pjesa ma intime e tij. Përkundër faktit se bota po ndryshon me hapa të shpejt, ne e shohim sheshazi se letërsia, me mjetet e saj, ka ende çka t’i thotë e ofrojë njerëzimit. Sepse, mjetet e saj janë të veçanta, të pakrahasueshme: janë mjetet e shpirtit dhe të gjuhës.
Ky çmim, me historinë e tij të lavdishme, i ka dhënë shtytje dhe nxitje të pamatshme fuqisë së fjalës artistike. E ka bërë atë më të rrokshme anë e kënd botës. Më të shpejt dhe më të qarkullueshme. Ka mundësuar që shkrimtarë të ndryshëm të dalin nga anonimiteti i kulturave të vogla, ndërkaq të afirmuar, të arrijnë të bëhen pasuri e vlerë e gjithë njerëzimit.
“Përjetësi është fjala”, pati thënë Nathan Söderblom kur vdiq Alfred Nobel. Me çmimin e krijuar, shpikësi i dinamitit i dha përjetësisë së fjalës një format universal: krijoi kulturën e nobelit. Shkencëtari që themeloi këtë çmim, e dinte se gjuha është pushtet, ndaj, i kushtoi një vëmendje të veçantë pushtetit që buron nga letërsia.
Letërsia vazhdon të ushtrojë ndikim te njeriu. Ajo ka nxitur emancipimin e tij. Ka thyer tabu e ka hapur horizonte të reja. Ka zhvilluar aftësitë e tij për të artikuluar mendimet dhe për të kuptuar universin. Mirëpo, shkëlqimi universal i fuqisë së fjalës së shkruar, me Çmimin Nobel, ka marrë shtrije thirrje planetare. Pa dyshim, nëse e marrim dhe e analizojmë historinë e këtij çmimi, emrat që e kanë fituar atë, afirmimin që iu ka bërë shumë veprave dhe autorëve, shohim se kjo që thamë ka bazë.
Ismail Kadare dhe Nobeli
Letërsisë shqipe i mungon nobeli. Shkrimtari i parë i nominuar për këtë çmim ishte Gjergj Fishta, ndërsa për shumë vite vazhdon të jetë Ismail Kadare, emri i të cilët përflitet si favorit i denjë. Në këtë pikë, nuk ka asnjë arsye për mëdyshje. Kjo për faktin se kultura letrare suedeze, ashtu sikurse pjesa dërmuese e kulturës botërore, është në kontakt të vazhdueshëm me veprën e tij. Ajo botohet, lexohet dhe vlerësohet.
E te ne, sa herë vjen vjeshta e Nobeli, ndizen gjakrat dhe shpërthejnë akuza të gjithfarshme në llogari të emrit dhe veprës së Kadaresë. Një kontingjent karagjozësh e mohojnë, pa e lexuar fare veprën e tij. Disa të tjerë, duke u nisur nga premisa tjera- të ngushta e ideologjike- e shigjetojnë, po ashtu, pa asnjë arsye.
Dhe s’duan të dinë se vepra e Kadaresë ka zënë majat e letërsisë së përbotshme. Jo me juri e vlerësime të komiteteve tona soc-realiste, as të kuzhinave politike të partive e ideologjive të majta a të djathta, por nga elitat e mendimit letrarë botërorë.
Ndaj, e di se është klishe të përsëritet, por dua ta ripohoj: Ismail Kadaresë është nga autorët ma të mirë planetar, dhe si i tillë, pa hamendësime, e meriton Çmimin Nobel.
Vepra e tij letrare nuk ka nevojë të certifikohet. Ajo është certifikua, pranuar dhe vlerësuar universalisht, dhe në këtë pikëpamje, ka një mendim të pranuar gjithandej në qarqe të rëndësishme letrare botërore. Romanet e tij lexohen me ëndje, studiohet me përkushtim dhe admirohet në gjithë planetin. Ai, për shume njohës te letërsisë, veç është në një rrafsh me nobelistë të shumtë.
Nga ana tjetër, duhet përmendur: ka shkrimtarë të mëdhenj, që s’e kanë marrë Çmimin Nobel. Njeri nga ma të ndritshmit e të gjitha kohërave, është Jorge Luis Borges. E tjetri, Ernesot Sabato. Mirëpo, si pa Borgesin, ashtu edhe pa Sabaton, letërsia e përbotshme, do te ishte shumë ma e varfër. Të njëjtën gjë e them edhe për veprën e madhe të Kadaresë, pa të cilën, letërsia e përbotshme, do të ishte shumë më e varfër.
Letërsia shqipe ka nevojë për dinamitin kulturor që e dhuron Nobeli. Për të, ka nevojë gjuha shqipe dhe kombi shqiptar, që të hyjnë në vallen e popujve që kanë fituar nobelin e letërsisë. Kjo s’është pak, përkundrazi, është shenjë kulture, dëshmi e lartësisë dhe e vlerës.
Debati i pështirë që zhvillohet ndër, me dilemën e harxhuar, nëse Kadare e meriton apo jo këtë çmim, është klishe e rrezikshme për shëndetin tonë kulturor dhe jo për autorin. Një tendencë qëllimkeqe, që s’e dëmton Kadarenë, por kulturën letrare shqipe. Sepse, për këtë çmim, më shumë ka nevojë gjuha dhe kultura shqiptare, sesa Kadare. Për faktin e thjeshtë: vepra e tij ka prekur majat e kulturës botërore dhe jeton në ato lartësi.
“Kadare është luani i letërsisë shqipe, me një reputacion ndërkombëtar”- shkruan Rita Tornborg, shkrimtare dhe kritike suedeze, në një recension për romanin “Lulet e ftohta te marsit.” Po, Kadare është luan i letërsisë shqipe dhe meriton këtë çmim. Jo për asgjë tjetër, por pse shkruan letërsi të bukur, magjepse, që joshë mijëra lexues anë e kënd botës. Dhe unë lutem që të enjten, kur të hapet dera e Komitetit të Nobelit, aty të kumbon emri i Ismail Kadaresë.
(Ky shkrim është botuar para një viti)