Dritare” në Vizion Plus, solli këtë të hënë përplasjen e parë publike mes banorëve të zonës së Valbonës, firmës së ndërtimit të HEC-it të Dragobisë dhe Ministrisë së Mjedisit. Kryefjala e debatit ishte turizmi, e ardhmja e lumit të Valbonës dhe impakti që do të ketë ky ndërtim për zonën.
Kolë Gjoka dhe Catherinë Bohne, operatorët turistikë të Valbonës ngritën shqetësimin e tyre se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve do të largojë turistët.
“E morëm vesh për hidrocentralet kur ishte mbyllur gjithçka. Shpjegimin nga firma e dëgjoj vetëm këtu, nuk na kanë sqaruar më parë. Dua të di sa metra kub do të merren nga Valbona. Firmës nuk i vë faj se është ndërtues. Unë jam i bindur që lumi futet komplet në tub. Aty ku do të merret ujë do të thahet Valbona. Kam marrë 1000 telefonata që thonë harroje turizmin. Pjesa më e madhe e atyre që vijnë në Shqipëri, nuk do të vijnë më. Valbona është i vetmi lum qelibar në Shqipëri. Shteti iu detyrohet ndërtuesve, po mua kush më detyrohet për prishjen e biznesit? Duhet llogaritur edhe nga ana ekologjike, bimësia, kafshët. Energji a e hidrocentraleve mua nuk më intereson. Ekonomia e shtetit dhe ajo lokale nuk mund të barazohet me Valbonën. Thonë që nuk do të shfrytëzohet, por atëherë për çfarë do të bëhet gjithë ai investim që kemi bërë ne si banorë, pa na ndihmuar asnjë ditë shteti ?”, u shpreh Kolë Gjoka.
Drejtori i projektit të “Hec Dragobisë” Genti Përzhita sqaroi se banorët janë vënë në dijeni për këtë projekt dhe disa prej tyre kanë firmosur. Sipas tij, lumi i Valbonës nuk do të thahet dhe turistët nuk do të largohen.
“Ka një ligj për mjedisin që na detyron ne të respektojmë prurjet ekologjike të lumit. Pra nuk mund të marrim gjithë lumin dhe sipas ligjit ka një peiudhë që mund të përdoret lumi, p.sh. Çeremai do të përdoret për 5 muaj. Prurjet që do të merren nuk janë fikse, varet nga muajt dhe nga prurjet. Kemi marrë masa që gjatë ndërtimit të mos ketë shqetësime për turistët qoftë në qarkullim. Uji do të vazhdojë të jetë i pastër pavarësisht punës që do të bëhet. Lumi nuk do të zhduket, nuk do të thahet, kjo është e sigurtë. Ky hidrocentral do të mbulojë gjithë zonën, rreth 22 mijë banorë. Do të përdoret vetëm gjatë periudhës së dimrit, nuk do të përdoret gjatë verës. Kur të hapim zyrat në zonë ne do iu mbajmë në dijeni për detajet teknike. Jemi të hapur për të dhënë informacion për këdo që është i interesuar. Or të jeni të sigurtë që do të ndihmojmë dhe jo pengojmë turizmin. Do zhvillojmë infrastrukturën, shkollat dhe banorët.”-tha Përzhita, në emër të HEC Dragobia.
Ndërsa drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej sqaroi se është kundër këtij ndërtimi pasi kjo zonë ka një status të veçantë, është zonë e mbrojtur.
“Ato që ne i quajmë zona të mbrojtura, ku natyra është primare dhe jo shfrytëzimi i burimit natyror, kjo ka qenë për mua e paligjshme. Procesi i parë është ndërtimi, i cili zgjat dy vjet por me shirat mund të shkojë deri në tre vjet e gjysmë. Dhe këtu bëhet fjalë për rreth 70 mijë metra kub dhera që do të lëvizin dhe 20 mijë metra kub beton që do hidhet, kjo nuk mund të quhet pak, sidomos në një zonë të mbrojtur.
Efekti i dytë është devijimi i ujit, që do ndodhi pas tre vitesh. Problemi është që ky për atë distancë ujë që merr ka të drejtë të marrë vetëm 20% të ujit, dhe këtu është problematika, kush do shkojë ta masë”, u shpreh Dedej.
Ai sqaroi se ndërtimi i hidrocentraleve në një zonë të mbrojtur ka jashtëligjshmëri, por nëse do të prishet kontrata koncesionare e firmosur nga qeveria Berisha, atëherë dëmi i paguar do të jetë shumë i lartë, sepse firma do të fitojë gjyqin dhe qeveria duhet t’i paguajë firmës 35 vjet fitimin e munguar./ dritare.net