Artistët hapin bunkerin me pyetje për luftën

San Francisco, 3 tetor – Një grup artistësh nga vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Sirinë, Iranin e Kubën, janë bërë bashkë për të prezantuar veprat e tyre në një ekspozitë në San Francisco. Por e veçanta e saj, përveç punimeve, është edhe vendi ku ajo ka zënë vend.

Bëhet fjalë për një hapësirë që deri vonë ka qenë e mbyllur për publikun, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e Al Jazeera.

Portreti i një njeriu me sy të zgurdulluar i cili është përfshirë nga flakët, përplasja e plumbave amerikanë e sovjetikë, eksplozivi i Luftës së Ftohtë, gruaja me duar të lidhura e cila kacavirret në litarë, mijëra pllaka identifikuese ushtarësh që bashkë krijojnë një mur të blinduar, raketa të varura në zinxhirë që kacavirren në një kishëz…përbëjnë ekspozitën që zbërthen historinë e tyre. Titullohet “Homeland Security” (Siguria e atdheut) dhe është hapur në një ish-bazë ushtarake. Kulla apo Kështjella mbretërore në shkëmbin sipër urës Golden Gate, për një kohë të gjatë e ka mbrojtur San Franciscon nga artileria bregdetare.

“Kështjella e parë këtu është ngritur në vitin 1776. Spanjollët e më pas meksikanët për t’u vazhduar nga amerikanët, ndërtuan këtu objekte mbrojtjeje ushtarake deri nga mesi i viteve ‘90”, ka thënë Allen Schauffler, gazetar i “Al Jazeeras” që e ka vizituar këtë vend dhe ka raportuar për hapjen e ekspozitës. Pyetjes se cila është arsyeja që këta bunkerë ushtarakë mbi dy shekuj e gjysmë të vjetër janë shndërruar në galeri arti, kuratorja e ekspozitës Cheryl Haines i është përgjigjur se betoni, arkitektura ushtarake dhe historia e këtij objekti janë ambient i përsosur dhe përshtaten fort mirë me konceptin e ekspozitës.

Janë 18 artistë nga 12 vende të botës që po marrin pjesë në këtë ekspozitë. Veprat e tyre shtrojnë pyetje për atë se çfarë mbrojmë, prej kujt mbrohemi dhe çfarë kuptimi ka kjo frikë.

“Çfarë është atdheu? Çfarë është siguria dhe çfarë kuptimi ka ky nocion? Po ngrehim mure, po strukemi si individë e si shtete më vete. Krahas kësaj, frika nga tjetri dhe frika nga ai që nuk është njësoj si ne, janë burimet kryesore të problemeve të së sotmes. Profilizimet etnike, migrimet e detyrueshme, mosmarrëveshjet kulturore… “, ka shtuar Haines.

Grupi që ka organizuar ekspozitën “Homeland Security” është i njëjti që realizoi atë të artistit të njohur kinez Ai Wei Wei në burgun e dikurshëm famëkeq Alcatraz. Në kuadër të këtij programi, i cili realizohet me Agjencinë Shtetërore Amerikane të Parqeve, fondacioni “For-site” synon që publikut t’ia hapë dyert në hapësirat dikur të blinduara për ta.

“Krejt këto hapësira janë plot me histori. Ekspozita nuk ka për qëllim që të japë përgjigje. Ajo është aty për të shtruar pyetje. E ato janë pyetje të zorshme për nevojat e njeriut dhe luftërat midis njerëzve pa ndonjë përgjigje të thjeshtë për botën e pushtuar nga luftërat”, ka thënë Haines.

Chat Conversation End

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *