Do you understand librish?

Nga Edmond Tupja
Fushata mbarëkombëtare e leximit, e organizuar nga Ministria e Kulturës, po zhvillohet pa asnjë dyshim me një sukses premtues për të tashmen e për të ardhmen e të lexuarit si proces intelektual i pashmangshëm pjesë e edukimit të brezave të rinj në Shqipërinë e sotme. Të dielën që shkoi, në ceremoninë e hapjes, pashë sa bukur aktorët e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” recituan apo lexuan pjesë nga libra autorësh edhe shqiptarë, edhe të huaj. U mrekullova sidomos kur pashë nxënës shkollash të ciklit të ulët të lexonin me dëlirësinë dhe përkushtimin e moshës së tyre poezi apo copëza nga librat për fëmijë. Dhe, në këtë pikë, le të më lejohet t’ju bëj me dije për diçka të pazakontë. Po, po, të pazakontë, besomëni, sepse isha në radhën e parë, i ulur (oh, çfarë kënaqësie!) midis zonjës Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, dhe zonjës Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe e Sportit (për një çast vetja m’u duk gati kryeministër!), ndërsa dy karrige më larg kisha zotin Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por para se t’ju përshkruaj të pazakontën, lejomëni t’ju them një të fshehtë: Që kur vajta në klasë të parë fillore, mësuesja më mësoi ta respektoja librin, të mos e hapja, kur e lexoja, më shumë sesa e lejonte lidhja e tij, të mos e shkarravisja, të mos ia përthyeja cepat e faqeve si shenjë ku do ta ndërprisja leximin për njëfarë kohe etj., etj. dhe unë u lidha aq shumë me librat saqë mësova të kuptoja gjuhën e tyre, pra, librishten. Tani le të kthehemi te salla e Teatrit Eksperimental. E pazakonta filloi kur fëmijët hipën në skenë njëri pas tjetrit dhe nisën të lexonin ose, më saktë, sapo hapën librat. Salla dëgjonte në heshtje, me respekt e interesim, mirëpo mua veshi më kapte disa pasthirrma të mbytura që vinin drejt e nga skena: “Ah!… Oh!… Olele!.. Sa më dhemb!”. Sigurisht që isha i vetmi që i dëgjoja këto pasthirrma, sepse askush tjetër po nuk reagonte. Ato nuk dilnin nga goja e asnjë pjesëmarrësi në atë veprimtari të bukur dhe prekëse, por nga… Ju mund të mos më besoni, por e vërteta është që ato dilnin nga vetë libri që mbante në dorë çdo fëmijë që lexonte. Libri vuante në dorën e tij. Vuante sepse lexuesja apo lexuesi e kishte përthyer aq sa kopertina e përparme ngjeshej pas kopertinës së pasme, shpina e libri gati sa nuk shqyhej dhe veshi më zinte, pra, pasthirrmat e tyre, madje, edhe faqet rënkonim me zë të mekur: “Oh! – i qahej faqja 12 faqes pasardhëse, pra, 13-s – kam dhimbje”, ndërkohë që lexuesja apo lexuesi e kthente duke ia bashkëngjitur faqeve paraardhëse të ngjeshura pas kopertinës së përparme, së cilës po i merrej fryma tek rrinte rrasur pas kopertinës së pasme. Në ato çaste, dëshiroja vërtet t’i takoja mësueset e këtyre fëmijëve që nga klasa e parë në të pestën, përfshirë edhe ato që u mësojnë gjuhë të huaja, si anglishten, t’i përgëzoja për punën e tyre fisnike, por edhe t’u thosha: “Mësojuni fëmijëve jo vetëm të lexojnë, por edhe t’i respektojnë fizikisht librat”, para se t’u tregoja episodin e mësipërm. Nëse ato do të pandehnin se jam i çmendur, unë do t’i pyesja krejt natyrshëm: “A e kuptoni gjuhën e librave? Do you understand librish?”

Shkruar posaçërisht për Pasqyre.al nga Edmond Tupja,përkthyes-shkrimtar i njohur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *