“Më vjen turp që jam qytetare e kij vendi”. “Cilën Shqipëri do të zgjedhim atë të plehrave apo atë të vlerave?!”. “ Ne u themi jo plehrave në Shqipëri”. “Zoti President mos e dekreto ligjin”. “Shqipëria është e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”. “Mbetjet tona spitalore vazhdojnë të derdhen në lumenj dhe det. Ne rrezikojmë sëmundje të ndryshme nga plehrat tona”. Këto ishin disa nga parrullat që thanë dje gjatë protestës kundër ligjit të importit të plehrave në Shqipëri, të rinjtë dhe përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave. Por, të pranishëm në këtë protestë ishin dhe figura publike, gazetarë dhe artistë, të cilët guxuan të shprehin mendimin e tyre, si qytetarë të lirë të këtij vendi. Pavarësisht se, do të dëshironin, që mendimi i tyre të ishte marrë në konsideratë para miratimit të ligjit, që lejon importin e plehrave në Shqipëri.
Robert Ndrenika:
Jam këtu si të gjithë të tjerët Midis protestuesve kishte figura publike, si gazetarë, aktorë, piktorë, etj., por binte në sy përpos të tjerëve edhe pjesëmarrja e aktorit të mirënjohur Robert Ndrenika. “Jam këtu si gjithë të tjerët, për një kauzë që na shqetëson të gjithëve…”, u shpreh ai ndaj interesit të gazetarëve.
Kiço Blushi:
Duam një Shqipëri të pastër Pjesëmarrja e gjerë e shoqërisë tregon se kjo çështje shumë e diskutuar, po has një kundërshti të gjerë. Pranë aktorit të mirënjohur qëndronte dhe shkrimtari Kiço Blushi, i cili ndër të tjera u shpreh se: “Jemi nga ata njerëz, qytetarë, që duam një Shqipëri të pastër, jo vetëm për plehrat e jashtme, por dhe për plehrat politike. Kjo është detyra e çdo qytetari në Shqipëri, që beson se Shqipëria do të bëhet dhe do të ecë. Ne duam një Shqipëri ekologjikisht të pastër”.
Ardian Isufi:
Një ligj për të mirën e mafies dhe dëmin e shoqërisë Artisti Ardian Isufi gjendej dje në protestë, jo vetëm për të ardhmen e tij, por edhe të fëmijëve shqiptarë, të cilët rrezikojnë shëndetin nga zbatimi i këtij ligji. “Në Shqipëri është rritur korrupsioni dhe varfëria. Për këtë shkak-pasojë ky do të jetë një ligj, jo vetëm në të mirën e mafies së plehrave, por mbi të gjitha në dëmin e qytetarëve”. Ky është mendimi i Isufit, prandaj sipas tij, është shumë qesharake që të mendohet në këto ditë për plehra, ku në Shqipëri ende nuk është përcaktuar se ku mund të depozitohen plehrat e qytetarëve shqiptarë. “Unë dyshoj se në çfarë mënyre mundet që ne të menaxhojmë plehrat e të tjerëve. Ky ligj do të sjellë korrupsionin e plehrave”, thotë ai, duke e konsideruar këtë çështje si një e keqe e madhe, që ka pllakosur vendin tonë.
Gentian Shkurti:
Jemi vendi më i varfër dhe i korruptuar në Europë Ndërsa, artisti Gentian Shkurti e konsideron këtë çështje, si një gjë shumë të thjeshtë, e cila nuk të lejon as të mendosh se vendi ynë do të ketë mundësi për riciklim të plehrave. “Është shumë e thjeshtë, nuk është e ndërlikuar, sepse ne jemi vendi më i varfër edhe i korruptuar i Europës. Gjendja jonë dihet nuk ka asnjë shans, që ky vend të kontrollojë dhe të bëjë riciklimin e mbetjeve të të tjerëve”, thotë Shkurti.
Tenori i TKOB-së “del nga rreshti” i buxhetorëve
Artisti Rudi Sata ishte një nga të paktët punonjës të institucionit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, i cili kishte zgjedhur që të merrte pjesë në protestë. “Dola në protestën e organizuar nga shoqëria civile, sepse ky është një ligj antikombëtar, që sjell pasoja tepër të rënda për ekologjinë dhe faunën. Është i dëmshëm për jetën dhe shëndetin tonë!”, thotë ai. Gjithashtu, sipas tij, kjo protestë apo dhe prezenca e tij dje në shesh nuk duhet parë thjesht, si një protestë kundër ligjit të plehrave, por për t’i dhënë një mesazh të fort kryeministrit të vendit. “Populli shqiptar nuk është dele. Prandaj, duhet t’i them kryeministrit se gjitha ato vlera që ai i mendon se i ka, për shembull moralin, parimet, vlerat, besën, patriotizmin etj,. ose i ka të importuara, ose i ka marrë me qira për këtë kohë që është kryeministër”. Miratimi i këtij ligji, sipas Satës, ishte as më shumë dhe as më pak një tradhti kombëtare! “Kjo është një kauzë mbarëkombëtare dhe ne do ta fitojmë. Koha është e maskarenjve, por atdheu është i shqiptarëve”, përfundon ai.
Blendi Salaj:
Qytetarët e Shqipërisë nuk e duan këtë ligj Gazetari Blendi Salaj u shpreh se i ishte bashkuar protestës për të shprehur kundërshtimin e tij për miratimin e ligjit të importit të mbetjeve, që ndodhi javën e kaluar në Parlament. “E konsideroj negativ këtë miratim, sepse ne jemi pro riciklimit, sepse mendoj se riciklimi nuk është i mirë, por është i shkëlqyer. Por, mendoj se ne duhet që të fillojmë të riciklojmë fillimisht plehrat që kemi në shtëpitë tona, në spitale, në shkolla, kudo ku punojmë”. Sipas tij, ne duhet të riciklojmë mbetjet tona, në atë mënyrë që industria e riciklimit të jetë një qind për qind për materiale të riciklueshme. “Çdo shtet duhet të punojë me mbetjet e tij. Prandaj ne duhet të fillojmë me mbetjet tona. Të importosh pa ricikluar do të thotë që ta marrësh mbrapsht, t’i ikësh përgjegjësisë dhe problemit real, duke gjetur një zgjedhje të lehtë”. Kjo, sipas Salajt, do të thotë: Hajde të importojmë, ndërsa mbetjet tona t’i hedhim në lumë. “Nuk mund që të vazhdohet kështu, sepse të ardhurat ekonomike në një vend që rrezikohet shëndeti nuk të bëjnë asgjë. Ne e kemi një shprehje që thotë: Nuk më duhen as lekët nëse nuk ke shëndetin”. Kartoni i kuq, që protestuesit dhe Salaj mbante në duar simbolizon votën kundër këtij ligji. “Nëse ne do të ishim atë ditë që u ngritën 63 kartona të gjelbër në Parlament për të aprovuar këtë ligj, ne do të ngrinim mijëra dhe miliona kartona të kuq për ta kundërshtuar këtë ligj. Qytetarët e Shqipërisë nuk e duan këtë ligj. Mazhoranca e votoi këtë ligj e vetëm, duke u ndarë politikisht me elektoratin e saj”. Sipas Salajt, është treguar një pabesi, sepse kjo e majtë që e mbështeti këtë referendum në vitin 2013 e kundërshtoi importin e plehrave, duke marrë vota. “Ndërsa, tani pa e trajtuar kauzën në mënyrë të hapur po bëjnë të njëjtën gjë, që deshi të bënte Berisha në atë kohë. Por, kanë humbur kredibilitetin. Prandaj ne do të bëjmë gjithçka si qytetar për ta kundërshtuar. Vullneti ynë është kundër”. /Shekulli