Afrika ime…!

Nga Luan Rama

Afrika nuk ka qenë e tillë, mijra vjet më parë. Afrika ka qenë një nga vendet më të gjelbëruara te këtij planeti… Afrika më është e dashur, edhe pse në Shqipëri nuk flitet për të, sikur të ishte në një planet tjetër, një kontinent i panjohur, një vend i mjerë e i varfër, plot barbari dhe shkretëtira pa fund, ku njëg jeneral apo kapter përmbys një tjetër… Por Afrika ka hiret e veta. Hemingway e shikonte ndryshe Afrikën e po kështu shumë autorë të tjerë. Dadaistët dhe surrealistët u çmendën pas maskave afrikane, Picasso në veçanti. Shumë maska i kam blerë në Afrikë dhe ato më flasin gjithnjë me gjuhën e tyre indigjene, gjuhën e tribuve, për lindjet, martesat dhe vdekjet… për botën tjetër. Ishte Organizata e Frankofonisë që më dha mundësinë ta pikëtakoja atë, të shkoja sëpari në Cad, në Benin, Kongo Brazaville, të endem nëpër Nil dhe në lumin e Kongos që përshkon disa shtete, në Guiné, në Aleksandri e Kajro, në Madagascar apo l’Ile Maurice, ishullin e parajsës ku ishin vilat e aktorëve të Hollivudit. E padyshim, nuk ishin vetëm koralet, plazhet, por sëpari jeta e një populli me një folklor të jashtëzakonshëm, ku astrologët gëlojnë dhe ku njerëzit, edhe pse të varfër, shkojnë drejt vdekjes të lumtur. Afrika është e pasur shpirtërisht. Pasi aty mitet jetojnë bashkë me njerëzit.
Një nga udhëtimet e mia më çoi dhe në Dakar, ku me një anije, delegacioni ynë shkoi në Goré, në vendin që mbrohen nga Unesco. Donim të shikonim atë ishull ku ishte ngritur «Shtëpia e Skllevërve», pasi pikërisht aty skllevërit e Afrikës mblidheshin (në Benin gjithashtu) për t’i marrë me anije dhe për t’i dërguar në anën tjetër të oqeanit, në Luzianë, Brazil, Haiti, Antilles, Kuba… Kështu popullohej Kontinenti i Ri, përmes forcës dhe fuqisë së skllevërve që kalonin nga një breg i Atlantikut në tjetrin. Pikërisht aty në Goré, në atë ishull të zbuluar nga portugezët më 1444 dhe të quajtur Palma, të pushtuar nga një zevëndës-admiral francez d’Estrees dhe me guvernatorin Boufflers, në atë shtëpi koloniale të ndërtuar më 1677, kishin ardhur më parë personalitetet më të njohura të botës, nga Carter, Bush, Clinton, nga Miteran, Chirac e Mandela dhe të tjerët me rradhë deri tek Obama, pasi ajo shtëpi ishte simbolike: ishte kujtesa e epokës së skllavërisë, ishte përkujtimi i miliona jetëve të shuara nëpër oqeanin e madh. Pikërisht aty është një dalje, një portë pa dyer, e quajtur «voyage sans retour», «rruga pa kthim»… pasi që atje, përmes një shkallareje, skellevërit e lidhur me zinxhirë i hipnin nëpër anije te cilat çanin pastaj dallgët drejt një të panjohure të madhe për këta njerëz. Mund të lexosh shumë tekste historie, por të prekësh me dorë ato mure me suva të rënë, plot shenja, gërvishtje, të vështrosh dhomat e vogla ku dyndeshin femijët veç, gratë veç, burrat veç dhe më tutje ata që ishin duke vdekur, të ecësh drejt atij korridori ku gradualisht të hapej pamja e oqeanit, e kuptoje se në ato pllaka të lëmuara kishin shkelur miliona njerëz, fati i të cilëve s’do të dihej më. Ishte bota koloniale, e forcës, e nënshtrimit, e dhunës dhe e vrasjes cinike. Goreja ishte porta e hapur drejt barbarisë. Kushedi çka menduar Obama kur ka parë atë shtëpi, atë dritare pa porta, atë korridor të shkelur pafundësisht. Shtazëria këtu është brenda një muzeu të thjeshtë që ka veç mure, në korridor, disa dhoma dhe një portë që të çon drejt «rrugës pa kthim». E ndërkohë kur je aty brenda, ti mendon përsëri për shtazërinë njerëzore, atë të djeshme e të sotme, për kokat e prera në shekullin XXI, pasi moderniteti dhe e shkuara pikëtakohen aty në atë dritare të hapur rrahur nga stuhitë. Goré është një pikëtakim me historinë, një refleksion për kohën, për njeriun dhe të ardhmen.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *