Gëzim Myshketa, hap sezonin operistik në Berlin

Baritoni i njohur shqiptar Gëzim Myshketa do ta hapë sezonin e tij operistik 2016-2017, me prezantimin para publikut gjerman.

Të dielën me 2 Tetor prej orës 18:00, ai do të interpretojë në Pallatin e Operas Gjermane në Berlin.

Artisti i skenës operistike, Myshketa do të luaj rolin e Escamilos në veprën Carmen të Georges Bizet bazuar në libretën e shkruar nga Meilhac dhe Ludovic Halevy.

Carmen është operë tragji-komike në katër akte e cila për herë të parë ishte performuar më 3 mars të vitit 1875 në Paris ndërsa në Operën e Gjermane në Berlin premiera e kësaj shfaqje ishte dhënë më 11 Maj 1979.

Tema e operës bazohet në nevojën absolute të Carmen për liri dhe insistimin e saj në marrëdhënie të bazuar në pavarësi të plotë. Tregimi i Carmen dhe Don José, përfundon me një vrasje tragjike. Vepra përmes skenave komike prezanton të gjitha emocionet dhe tiparet e gjendjes njerëzore – mendjelehtësinë, marrëzinë, joshjen, mizorinë dhe fatin.

Muzika e operës është e mbushur me melodi që të mbetet në mendje dhe është e dominuar nga vallet dhe ritmet spanjolle.

Baritoni i njohur shqiptar Gëzim Myshketa së fundi ishte paraqitur në koncertin humanitar për shenjtërimin e Nënës Terezë në Vatikan. Pas prezantimit në Operën Gjermane të Berlinit, gjatë muajve tetor dhe nëntor, ai do të vazhdojë sezonin e tij artistik në Shtutgard ku do të luaj në operën “Faust” produksion i ri nga Frank Castorf për të vazhduar me skenat e tjera operistike ndërkombëtare./ATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *