Kur Parisi fliste Dada

Nga Luan Rama

Sigurisht, Dada lindi në Zyrih, por atdheu i tij ishte Parisi, ashtu siç e mbajnë dhe gjithë tekstet e historisë së lëvizjeve artistike të kohës moderne. Pak muaj pas zallahisë së madhe në «Cabaret Voltaire» në rrugët e Zyrihut, Hugo Ball përplasi dyert dhe iku, dhe Tristan Tzara, i cili tashmë po transformohej në «Monsieur Dada», mbeti i vetmuar si një akrobat në majë të litarit të cirkut pa ditur ç’të bënte: të vazhdonte ushtrimin e tij apo të hidhej poshtë, duke i dhënë fund kësaj shfaqje zhurmëmadhe. Dhe padyshim, shpëtimi i tij ishte Parisi. Pa Parisin sigurisht nuk do të kishim një lëvizje artistike “Dada”. “Dada” do të kishte mbetur thjesht një vazhdë spektaklesh me ide të reja, një tubim i çuditshëm artistët të vegjël dhe jo të dimensionit botëror, një grup nihilistësh me britma revolucionare të shkaktuar nga tragjedia e madhe, pasi miliona njerëz ishin vrarë në Verdun dhe në frontet e tjera të “Luftës së Madhe”, çka e kishin tronditur ndërgjegjen intelektuale të Europës. Arti që deri atëherë kishte lulëzuar, të rinjve që flisnin “dada”, që mendonin “dada”, që pikturonin “dada”, që shkruanin e këndonin “dada”, u dukej i pavlefshëm për krijimin e një shoqërie të re. Kur Tzara e la Zvicrën dhe erdhi në Paris, mbështetësit e parë të tij ishin Picabia e Max Jacob. Në fakt, atij i kishte dhembur shumë vdekja e parakohshme e poetit Apollinaire, nga ajo sëmundje e tmerrshme e gripit spanjoll që po shfaroste miliona ushtarë. Disa tekste të Apollinare ishin botuar që në buletinet e para të «Dada». Tekstet e Tristan Tzara dhe veçanërisht “Aventura qiellore e Zotit Antipyrine”, poezitë e tij të forta e shumë metaforike, sapo ishin bërë të njohura në Paris. Lexuesit e parë ishin poeti Pierre Reverdy, Braque, Eluard e Aragon. Librin e tij të sapo botuar ai nisi ta shpërndajë tek intelektualët më në zë francezë të mbledhur në Paris, veçanërisht në Montparnasse dhe në Montmartre. Ai ua dhuronte në mënyrë që ata të kuptonin thelbin revolucionar te kësaj lëvizje që edhe ata të bëheshin dadaistë, pasi Dada nuk ishte thjesht Tzara, por një lëvizje e fortë, një gjyle anarkiste, siç e cilësonte studjuesi i dadaizmit François Buot, ishte një tronditje që vinte pas tragjedisë së madhe, ku synimi ishte liria e artistit, pavarësia e tij nga shtetit dhe institucionet dhe vënia e tij në shërbim të një shoqërie të re. Jean Cocteau ishte nga të parët që e vlerësoi dhe e mirëpriti Tzara-n. Edhe ai kishte qenë në front dhe vinte nga një luftë shkatërrimtare, edhe ai kërkoi frymën e një arti të ri çka e dëshmoi me krijimtarinë e shumanshme të tij. Cocteau i kishte shkruar: «Dua tu njoh e të flas me ju për idetë e principet tuaja. Kartolina që më kishit dërguar më preku. Përzemërsisht, i juaji dhe besnik, Cocteau». Edhe André Breton nga ana e tij i shkruante: «Jam entusiazt për manifestin tuaj : nuk mund ta imagjinoja një kurajo të tillë si atë tuajën. Të gjitha vështrimet janë drejtuar nga ju… Nga të gjithë poetët jeni ju ai që më prekni më shumë!»
Ja pra një njeri providencial që zbarkonte në Paris me një guxim të çuditshëm, ashtu me manoklin e tij dhe frakun e vjetër si një «dandy» i sajuar. Por ai kishte nja kurajo të habitshme si askush tjetër. Ai zbriti në Paris në 17 janar të vitit 1920, kur ende nderej zija e vdekjes së Apollinaire. Menjëherë u takua me Breton, Eluard, Aragon, etj. Poeti Philippe Soupault në kujtimet e tij shkruante: «Që nga kjo kohë ai është për ne një udhërrëfyes. Na propozon të bëjmë manifestin. Dinamizmi i tij është maramendës dhe na shqetëson njëkohësisht. Eshtë ai që lajmëron shtëpitë botuese, që shpërndan fletushkat, ftesat për spektaklet e debatet, si në një tipografi recolucionare. Ishte diçka e re që më pas do të imponohej tek të tjerët…» Parisi letrar filloi të flasë «dada», Parisi piktural filloi të pikturojë «dada»; Parisi i imazhit filloi të fotografojë «dada». Me ardhjen e Man Ray nga Nju Jorku, ku ishte bërthama dadaiste tashmë (bashkë me Picabia dhe Marcel Duchamp), «hekuri i hekurosjes me gozhda» u kthye tashmë në një emblemë që më pas do ta bënin për vete surrealistët. «Tzara është një krijues, – shkruante Cocteau në revistën «L’esprit Nouveau» («Fryma e Re»). – Tzara i jep kuptim asaj që është pa kuptim. … Ai shkund kapelen e tij dhe që andej dalin e bien mrekullira!». Në «Café Cyrano», në «Certa», në «La Rotonde», në «Closerie de Lilas», dadaistët mblidhen, debatojnë, propozojnë ide të reja, për të bërë një art që të trondisë shpirtat dhe ndërgjegjen njerëzore. Aragoni kujtonte më vonë në librat e tij se ata pinin aty nga një «dada cocktail». Të gjithë artistët europianë që kalojnë në Paris, dhe qëndrojnë aty, të gjithë duan të takojnë dadaistët, formulën e re të artit. Dadaistët kanë një organizator të flaktë, ndërsa për udhëheqës shpirtëror janë idetë e reja, të përqafuara në grup. Ishte arti i ri kundër formave të vjetra artistike që ishin një art kompromisi me ligjin, shtetin, institucionin, pra “politikisht korrekt”. Kështu aty zbarkuan dhe Max Ernst, Hans Arp, Marcel Duchamp, etj. “Borgjezët letrarë ishin tërhequr nga mirazhi revolucionar”, shkruan një kritik. Kështu, dada po kthehej në një mit modern Buletinet e Dada-së kalojnë dorë më dorë. Eshtë një shkollë e re arti në kafenetë letrare, në sallat dhe debatet e hapura. Kundërshtia e dadaistëve ndaj rendit të vendosur dhe estetikës së saj, i çonte intelektualët e rinj drejt artit primitiv, artit popullor apo artit naiv. Artistët i referohen artit primitive siç ishte Picasso me maskat e tij afrikane apo skulpturat e para të Modigliani-t me maskat primitive. Breton dhe Tzara nxitonin të blenin te galeristët dhe antikuarët maska afrikane dhe të Oqeanisë. Po kështu André Malraux, Robert Desnos, etj, duke iu kundërvënë shprehisë artistike të Europës së vjetër. Le të kujtojmë një çast Raymond Duncan, këtë estet amerikan që ngrohte sallën e tij para se të mblidheshin dadaistët, i cili kishte krijuar në atë kohë Akademinë e Artit në Paris. Ishte pikërisht ai që shëtiste rrugëve të Parisit, veshur me një cohë të bardhë si nxënësit e Sokratit grek dhe me sandale; ishte ai që solli ambasadorin amerikan nga Athina në Durrës, pranë qeverisë shqiptare në 1913, që ky të shikonte se ç’ishte ky shtet i ri dhe hallet e Pavarësisë shqiptare; ishte pikërisht ai që kishte sjellë në Saradë motrën e tij, balerinën e famshme Isadora Duncan, yllin e baletit parisian dhe që bashkë me gruan e fëmijën e vogël kishin jetuar gjatë një viti aty duke ndihmuar ata mijra njerëz që zbarkonin në atë mol të mjerë nga Epiri, duke i ikur luftrave ballkanike, veçanërisht nga Janina. Ky njeri do të ishte një humanist i madh për banorët e atij qyteti të vogël shqiptar, i cili ende dhe sot nuk e di se cili ishte Raymond Duncan. Pra edhe Duncan në atë kohë fliste “dada”. Ndërkaq në Paris, Tzara boton dhe vëllimin e tij poetik, një nga më të bukurit “Njëzet e pesë poezi”, të ilustruar nga miku i tij Hans Arp, i cili u bë mjaft i njohur. Një spektakël i zhurmshëm jepet në mars të vitit 1920 në “Maison de l’Oeuvre”. Në dekor, një rrotë biçiklete, kostume imagjinare të krijuara nga Picabia dhe litarë që varen në skenë apo tabela me fjalë pa lidhje me njëra-tjetrën, si fjalë hermetike që nuk thonë asgjë. Klithje, të qeshura, thirrje revolucionare por që s’kanë të bëjnë me komunizmin. Eshtë fjala për revolucionin në art. Në Manifestin e vitit 1918 Tzara trumbetonte për “rendin e kontraditave të elementeve shoqërore e të artit”, pra “rendi-ç’rregulli; pohimi-mohimi”, etj, ai e shikonte këtë si një materializëm dialektik, pa e njohur thellë teorinë marksiste, madje asnjëherë nuk fliste për Marksin… Kur Marineti, themeluesi i futurizmit mbajti ato kohë në Paris një konferencë, dadaistët shpërndanë një fletushkë ku shkruhej: “Futurizmi ka vdekur. Nga çfarë? Nga DADA. Një vajzë e re vret veten. Nga cili shkak? Nga DADA. U telefonoj shpirtrave. Kush është zbuluesi i tyre? DADA. Nëse keni një ide serioze për jetën, nëse bëni zbulime artistike dhe nëse papritmas shpërtheni në të qeshura dhe kuptoni se gjithë idetë tuaja janë qesharake e të panevojshme, dijeni se është DADA QË FILLON TU FLASË… Breton dhe Tzara mendojnë të krijojnë një “sallon-librari” për të bërë të njohura botimet “Dada” dhe për këtë gjejnë një dyqan në avenue Kleber. Apoteoza e tyre është spektakli në sallën “Gaveau”. Por në korrik të vitit 1920, Tzara shkon në Rumani të takojë prindërit e tij. Ai kalon udhëve të Ballkanit. Pak më vonë në një letër, Picabia i shkruante: “Ikja juaj na la një boshllëk të madh”. Në përgjigjen e tij ai i shkruan Picabia-s: “Ballkani dhe mentaliteti i këtueshëm më pështirosin pa masë. Mendoj se s’mund të jetoj dhe të punoj këtu. Jam tmerrsisht i mërzitur…” Ndërkohë grupe të tjera dadaistësh krijohen dhe në Gjermani e Itali, veçanërisht nga rradhët e futuristëve të Marinetit. Tzara shkon në Venecie për të inaguruar numrin e pare të dadaistëve italianë “Bleu” (Blu), ku janë botuar tekste të Aragon, Tzara, Picabia, Eluard, Revedy si dhe të disa autorëve italianë. Aty Tzara ka shkruar: “Zoti i ka shkruar revistës “Bleu” A e doni fronin tim Ne i përgjigjemi me një kartë bixhozi Triss de Roi 5 fraga janë pak për bythën e tij Zoti Dada!…» Por ndërkohë, në mungesë të tij, Breton përgatiste shkëputjen nga Dada, bashkë me itharët e tij dhe ndër të parë Aragon, Man Ray, etj… por sidoqoftë të dyja lëvizjet ishin pak a shumë e njëjta gjë, veçse Breton kishte gjetur një frymë më politike dhe jo aq nihiliste e zhurmëmadhe. Me një formim më të gjerë politik e artistik, Breton arriti t’i bëjë për vete pjesën më të madhe të dadaistëve. Një debat i fortë mes tyre do t’i jepte fund historisë dadaiste. Bretoni kishte propozuar atë kohë mbledhjen e një «Kongresi Internacional për përcaktimin e direktivave dhe mbrojtjen e shpirtit modern», ku duhej të përfaqësoheshin të gjitha rrymat moderne, pra Dada, kubizmi, simultanizmi, futurizmi, etj, madje dhe «Nouvelle Revue Française».
Qëllimi ishte konfrontimi i ideve. Por meqë Tzara e kuptoi rrezikun e këtij kurthi dhe e kritikoi Bretonin, atëherë Breton, pas grindjes së tyre në një debat të hapur, deklaroi në shtyp: «Braktisni gjithçka. Braktisni Dada. Braktisni gruan tuaj, braktisni dashnoren tuaj. Braktisni shpresat dhe frikat tuaja. Mbillni fëmijët tuaj në një cep të pyllit. Braktisni prehën për hijen. Braktisni nëse doni një jetë të kamur me atë që ju propozon një të ardhme. Nisuni rrugëve.” Vdekja e Dada-së u proklamua më 30 nëntor të vitit 1924. Tashmë fillonte aventura e bukur e surealistëve…
Për disa vite Tzara mbeti i vetmuar, por më së fund Breton e afroi atë veçanërisht pas grindjeve që shpërthyen në gjirin e tij dhe botimit të Manifestit të dytë të surrealistëve. Siç thotë dhe kritiku Henri Behar, “Breton e mori në fakt dadaizmin dhe e zhvilloi më tej, duke e kthyer në një teori dhe metodë që do të përmblidhte ëndrrën, rastësinë, madje dhe haluçinacionin”. Sidoqoftë, Dada e kishte dhënë kontributin e vet dhe i kishte tronditur shpirtrat dhe ndërgjegjet e letrarëve dhe artistëve të mbarë Europës… Por mëritë mes Bretonit dhe Tzara-s do të vazhdonin, ndërkohë që Tzara kishte ende pauses të tij kur dhe surrealizmi kishte dhënë frymën e tij.
Pikërisht në këtë kohë në Paris zbarkon një avanguardist i ardhur nga Stambolli, anëtar themelues i “Grupit D” (vallë si një inicial i dadaistëve?), një shqiptaro-turk me emrin Abedin Dino, i cili dhe ai, bashkë me një grup artistësh të rinj ishte ngritur kundër artit të shablloneve të vjetra e akademike. Ja çfarë shkruan Dino në kujtimet e tij për vitin 1936: „Duke qenë se Tristan Tzara më mori nën mbrojtjen e tij, për mua ishte e pamundur atëherë të frekuentoja Andre Bretonin dhe surrealistët e tjerë. Kështu, u lidha me Soupault dhe pak më vonë me Louis Aragonin…“. Por Dino, do ta ruante miqësinë me Tzara gjer në fund të jetës së tij…


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *