Nga Luan Rama
Ç’janë vallë gjithë këto mbishkrime, fjalë në të gjitha gjuhët, nga të gjitha kombet, sikur të ishin purpuri… vizitorë të botës që lenë këtu thjesht një fjalë, një dëshirë, një lutje, «ti amo», «je t’aime»… «I love you»… përkushtime me zemra të vizatuara dhe shenja të pakuptueshme dashnorësh klandestinë, mbishkrime në ato mure të nxira nga koha, aty këtu të përflakura, jo nga dielli që arrin të depërtojë herë-herë, por nga e kuqja e buzëve, buzë ekarlat, fjalë, duar, sy, copa pusullash, që enden në një tjetër botë, rrahje dhe pulsime që ndihen fshehur atyre fjalëve të hedhura aty… profile në siluetë, gjithçka ka të njëjtën semiologji: dashurinë, ndjenjën, dhe njeriu sigurisht pyet: përse gjithë këto mbishkrime, dedikime, përse ky lum njerëzor që ecën pa ndërprerje, në diell, në erë dhe në shi, për të parë atë shtëpi ku u ngjiz një dashuri si të tjerat, por që u kthye në apoteozë… miliona këmbë vazhdojnë në të njëjtën rrugëtim: të shohin ballkonin mitik, shtëpinë e vajzës së Kapuletëve, të shohin atë parvaz dritareje ku përkulej një dashuri…
Po, Romeo dhe Xhuljeta u kthyen në një dashuri mitike, flijuese, që për disa mund të jetë e pakuptimtë, por që për miliona shpirtra, është pulsimi i vetë shpirtrave të tyre… je t’aime… deri kur? Ç’rëndësi ka koha, rëndësi ka çasti… I love you… në këtë çast, në këtë sekondë, në këtë fragment të kohës efemere që shkon dhe nuk e kthejmë dot, është aorta e një zemra që gulçon gjak apo i jep gjak mbijetimit. Dhe njerëzit shkojnë të lumtur, në botën e tyre dhe të një dashurie mitike, si të përafrojnë ndjesinë e tyre me mitin, legjendën, por dhe realen, pasi historia e Romeos dhe Xhuljetës nuk është një trill letrar, shekspirian, nuk është një penë që e ka krijuar, është një ndodhi, një tragjedi e përjetuar, e shkruar nga një kalorës që adhuronte letërsinë, Luigi da Porto, një fisnik që luftonte bashkë me stradiotët në Novara, Udine, Milano, bashkë me shqiptarin Domeniko Busiko, «heroit të ngjashëm të kohëve antike», apo kundër Mërkur Bua-s që luftonte për francezët, dhe që në shekullin XVI la pas këtë histori, si një testament të çuditshëm, historinë e Romeos dhe Xhulietës (Giuletta e Romeo) të botuar më 1530 e që më pas u përkthye nga Arthur Brooke me titullin The Tragical History of Romeo and Juliet, të cilën më pas Shakespeare e ktheu në një nga veprat më tronditëse të botës. Ja pra njerëzit shkojnë atje, dhe ne pas tyre, për të parë sërrish ballkonin e Xhulietës, të tjerë zbresin të prekin gjinjtë zbronxtë të Xhulietës në oborr, s’dihet pse, (ndoshta duan t’i përngjasin) dhe ku primare nuk është seksi por sensualiteti, shpirtërorja, ku njerëzit mbarsen me ethet e përkushtimit, të një mitologjie vibruese krijuar nga njerëzimi, simotër me Orestiadën, pasi edhe pse mitologji, dashuria është gjithnjë moderne, ajo asnjëherë nuk ështe e një kohe të shkuar, ajo është gjithnjë e tashme, pavarësisht nga luftrat, shkatërrimet, gjakderdhjet e mëdha, bërë shpesh dhe në emër të saj. Madje dhe vetë kjo histori që prekin gishtërinjtë tanë këtu, sytë tanë, është shkas i një përplasje dhe urrejtje familjesh, ashtu siç kishte ndodhur në një epokë tjetër që në kohën e Helenës së Trojës apo shumë më parë. Ndërsa urrejtja e Kapuletëve dhe Montekëve solli dy vdekje, ose më mirë një vdekje të madhe që u kthye në mit, një përkushtim i jashtëzakonshëm dashurie.
Që nga ajo kohë hapat vazhdojnë, njerëzit shkojnë, kalojnë në ato pllaka guri të lëmuara ku kanë kaluar miliarda këmbë, për të shkuar pastaj dyqind metra më larg, në varrin e Xhulietës, («La tomba di Giuletta»), një varr guri, bosh, pasi Xhulieta nuk është më aty, nuk pret më njeri, ajo është kthyer në pluhur, në pluhurin tokësor e kozmik, dhe ai boshllëk në ftohtësinë e gurit flet shumë, na bën të mendojmë se ç’është në fund të fundit kjo botë, kjo histori njerëzore dhe se cila është referenca e vërtetë që na bën të ndjehemi ata që jemi, prej mishi e gjaku, për sa kohë dashurojmë, pasi është dashuria ajo që na bën të krijojmë, të ndërtojmë, të përkryejmë atë që është krijuar më parë nga njerëzimi dhe ku në çdo krijim je ti, jam unë, jemi ne, ata… çdo krijim ka nevojë për dashuri! Dhe kur dashuria nuk është më, atëherë ne mbyllemi në mjegullën e pafund të kohës, humbasim si hije, pa formë të përcaktuar, hije që ende lëvizin në tisin e kohës pa fund, aty ku nuk ka mbishkrime, ku nuk ka histori, ku nuk ka pulsim por veçse Le Neant… Hiçi… Pra le të dashurojmë në këtë kohë pa kuptim, madje dhe në kohë të kolerës, të luftës, rrethimeve, përmbytjeve të mëdha, pasi ajo që duhet të mbijetojë në të gjitha kohrat është AMOUR… humbja e saj do të ndryshonte gravitetin e planetit ku ekziston kjo specie njerëzore…