Zake Prelvukaj shfaq në Londër gratë e luftës në Kosovë

Piktorja kosovare do të prezantojë krijimtarinë e saj në kuadër të ekspozitës ndërkombëtare mbi feminizmin në art të titulluar “Seeds+Suol” (Farë dhe Shpirt) ku marrin pjesë gjithsej nëntë artistë botëror, shkruan KultPlus

Për herë të parë në Londër sonte do të prezantohen punimet e artistes kosovare Zake Prelvukaj.

Ajo do të prezantohet para një audience të madhe ndërkombëtare në kuadër të ekspozitës mbi feminizmin në art të titulluar “Seeds+Suol” (Farë dhe Shpirt) ku marrin pjesë gjithsej nëntë artistë ndërkombëtarë nga Lindja e Mesme, Ballkani, Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar përfshirë edhe piktoren Lala-Meredith Vula që aktivitetin e saj e zhvillon mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës, shkruan KultPlus.

Kuratorja Nora Weller ka bërë të ditur se punimet e artistes nga Kosova tregojnë figurën e gruas gjatë luftës në Kosovë 1998.

NWGallery që organizon këtë aktivitet të artit pamor, në njoftimin për këtë ngjarje, e kishte vlerësuar lart piktoren Zake Prelvukaj, duke e quajtur një artiste shumë të kompletuar nga Kosova, të përshkruar shpesh si një “veterane” dhe pioniere në artin feminist në Ballkan.

 

Në prezantim thuhet se qëndrimi i saj ndaj krijimeve artistike, teknika që ajo përdor, dhe subjektet e saj janë gjithmonë unike dhe të papërpunuara në substancë.

“Zake me punimet që do të prezantohet në këtë ekspozitë trajton magjepsjen sociale me gjininë femërore dhe personalitetin femër që në njërën anë është e ekspozuar dhe e perceptuar si djalli, e në anën tjetër si engjëll i kryqëzuar social. Përmes punës së saj, Zake me mjeshtëri përshkruan gruan, si një qenie njerëzore me aftësinë për të shkaktuar dhimbje, por edhe për të siguruar dhe për të marrë kënaqësi”, kishte vlerësuar NWGalery.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë Manier të Londrës prej sonte deri më 24 shtator 2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *