Rrënojat e “Mëllenjës”

Nga Jorgos Seferis

“Kjo erë që më freskon ballin
në orët kur damarët m’i nxeh mesdita
lulëzon në tjera duar. Merre, po ta fal;
shih, është dru i pemës së limonit…”
Ia dëgjova zërin
ndërsa këqyrja detin e rrekesha të përfytyroja
një anije që fundosën vjet më parë;
quhej “Mëllenja”, një rrënojë e vogël; direkët,
e thyer, shpërndarë më kahe të pazakonta thellë nën ujë, si
tentakula,
apo si mbamendje ëndërrore, që shënojnë kiçin:
gojë e mjegullt e kufomës së një bishe detare gjigande
që ka vdekur në ujë. Qetësia shpërndahet ngado.

Dora-dorës i vjen radha zërave të tjerë që erdhën më pas
pëshpërima të holla e të etura
që mbijnë prej anës tjetër të diellit, prej anës së errët;
mund të mendosh se i ka marrë malli për të pirë një pikë gjak;
zëra të njohur, po s’po mundja t’i dalloja njërin prej
tjetrit.
Dhe atëherë zëri i një burri erdh pranë meje; e ndjeva
qetë-qetë tek binte në zemër të ditës,
thuajse i palëvizshëm:
“Dhe në më dënofsh që të pi farmak, të falënderoj.
Ligjet e tua do të jenë ligjet e mia; e si mund të shkoj
e të endem nga një shtet i huaj në tjetrin, një gur
që gremiset.
më mirë të vdes.
Kush ia del më mirë, zoti e merr vesh”.

Vendet e diellit, e prapë përballë s’i dilni diellit
Vendet e njerëzve, e prapë përballë s’i dilni njeriut.

Përktheu: Arbër Zaimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *