“Dinastia Marubi mrekullon Amsterdamin”. Kështu shkruan Kryeministri Edi Rama në rrjetin social “Facebook”, duke vënë në dukje rradhët e gjata për të prerë biletën që të çel dyert e thesarit të Marubëve, në njërin prej muzeve më prestigjozë të Europës.
“Pas sistemimit të thesarit të çmuar në Muzeun Kombëtar të Fotografisë ‘Marubi’ në Shkodër, Ministria e Kulturës ka nisur prezantimin e një koleksioni të këtij muzeu nëpër Europë. Një punë e mbarë në rrugën e Rilindjes së Trashëgimisë Kulturore dhe promovimit të vlerave të saj nëpër botë, në hapësira dinjitoze që krijojnë kushte optimale për njohjen e vlerësimin e botës së vogël, por aspak të varfër në xhevahire, të trashëgimisë kulturore shqiptare”, shkruan Kryeministri Edi Rama në “Facebook”.
Rreth vitit 1850, jo shumë kohë pas shpikjes së fotografisë, italiani Pietro Marubi mbërriti në Shkodër. Aty ai ngriti studion e parë fotografike në rajon, duke përdorur procesin e pjatës së lagësht. E vendosur në godinën e re, te pedonalja e qytetit, tani Muzeu Marubi ka trajtën moderne të paraqitjes së një muzeu bashkëkohor, ku ruhen mbi 150 mijë negativë xhami, duke u vlerësuar për arsyet historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike, po në radhë të parë si foto artistike. Në to janë fokusuar ngjarjet nga historia e trazuar e Shqipërisë – nga kohërat osmane në periudhën e komunizmit -ritualet sociale, kostume folklorike dhe portretet sociologjikisht interesante.
Fotot e përzgjedhura nga FOAM shfaqin një copëz të historisë së Shqipërisë përgjatë një shekulli, duke nisur nga viti 1856 (periudha osmane) deri në vitin 1959 nën regjimin komunist, ku përfshihen portrete të njerëzve nga shtresa të ndryshme, nga borgjezia tek më të varfërit, artistë, personalitete të shquara të kombit, natyrë, tradita, rite, zakone etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 27 Nëntor, ndërsa muzeu FOAM vizitohet nga rreth 210,000 mijë vizitorë në vit.
Në ceremoninë e hapjes së ekpozitës në Amsterdam mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës, cila e quajti këtë ekspozitë jo vetëm një faqe e pasaportës sonë kulturore, por mbi të gjitha një ftesë për të vizituar Shqipërinë, sepse, siç theksoi ajo: “pasaporta jonë ka shumë faqe që duhen prekur”.