Noam Chomsky
Autori i ka strukturuar këto hipoteza fillimisht në ‘Manufacturing Consent: The Political Economy of the Mass Media’ (1988) së bashku me Edward Herman, për t’i sintetizuar dhe argumentuar në dekadat pasuese përmes veprave, konferencave e intervistave të shumta. Ata ngelen mjaft aktuale edhe sot, veçanërisht për vende si Shqipëria ku pushteti i mediave është haptazi më i joshuri nga grupet e interesit dhe ku serioziteti e profesionalizmi nuk kanë qenë ndonjëherë karakteristikë e tyre. Secili nga lexuesit do të gjejë ne keto strategji sintetike një pjesë të mediave shqiptare dhe të programeve të tyre trash, me të cilat kontribuojnë në varfërimin e racionalitetit publik.
1. Strategjia e shpërqendrimit
Është element i hershëm i kontrollit shoqërorë që konsiston në shmangien e vëmendjes së publikut nga çështjet e rëndësishme, nga problemet shoqërore serioze, dhe nga ndryshimet e ndërmarra prej elitave ekonomiko-politike, përmes teknikës së përmbytjes me informacione të parëndësishme.
2. Strategjia e krijimit të problemeve dhe e ofrimit të zgjidhjeve
Ky mekanizëm quhet ndryshe “problem-reagim-zgjidhje”. Krijohet një problem, një situatë që parashikon prodhimin e një reagimi të publikut, në mënyrë që ky të jetë justifikimi i masave pasuese. Për shembull: indiferenca përballë shpeshtimit të dhunës urbane ose organizmi i atentateve të përgjakshme, për rrjedhojë populli do të kërkojë ligje më të ashpra në favor të sigurisë dhe në kurriz të lirive. Apo sajimi i një krize ekonomike për t’i bërë të pranueshme, si e “keqe e domosdoshme”, reduktimin e shërbimeve publike dhe tkurrjen e të drejtave sociale.
3. Strategjia e përshkallëzimit
Për ta bërë të pranueshme një masë të papranueshme mjafton aplikimi gradual, përse jo, për vite me radhë. Në këtë mënyrë u imponuan gjate viteve ’80-‘90 kushte socio-ekonomike të reja, siç është neoliberalizmi: minimizimi i rolit të Shtetit, privatizimi, paqëndrueshmëria e tregut të punës, fleksibiliteti, papunësia masive, pagat aspak dinjitoze. Pra, shumë ndryshime, që të aplikuara njëherazi do të kishin shkaktuar një revolucion.
4. Strategjia e shtyrjes së zgjidhjes
Parashikon prezantimin e masave si “të dhimbshme por të domosdoshme”. Këto shoqërohen me konsensusin publik, ndërsa hyrja e tyre në fuqi shtyhet në të ardhmen, pasi është më i lehtë pranimi i një sakrifice në të ardhmen se sa në çast. Përveç kësaj, masa ka tendencën e shpresës naive tek “ndryshimi pozitiv në të ardhmen”, që sakrifica e kërkuar mund të evitohet. Kjo i jep kohë më shumë publikut për t’u ambientuar me ndryshimin dhe, natyrisht, për t’u dorëzuar përballë sakrificës, si e domosdoshme.
5. Strategjia e trajtimit të publikun si fëmijë
Pjesa dërrmuese e reklamave përdor diskutime, argumente, personazhe dhe një intonacion fëmijëror, shpesh herë afër dobësisë, sikur spektatori të ishte foshnje ose i mangët në tru. Sa më shumë që tentohet gënjimi i spektatorit aq më shumë përdoret toni foshnjarak. Përse? Nëse dikush i drejtohet një personi sikur ky të ishte 12 vjeç, atëherë, në bazë të sugjestionit, personi në fjale do të përgjigjet ose do të reagojë pa frymën e duhur kritike, sikur të ishte fëmijë.
6. Strategjia e përdorimit të sferës emocionale më shumë se reflektimin
Shfrytëzimi i emocioneve është një teknikë klasike që prodhon qark te shkurtër në analizën racionale dhe kritike të individit. Gjithashtu, ky mjet hap portat e aksesit tek pavetëdija, për të rrënjosur ide, dëshira, ndjesi frike, kompulsione dhe sjellje.
7. Strategjia e izolimi të publikut në injorancë dhe mediokritet
Cilësia e edukimit që i jepet shtresave të ulëta duhet të jete më e varfra dhe më rëndomta e mundshme, në mënyrë që hendeqet e paditurisë në piramidën sociale të mos mbushen kurrë nga shtresa e ulët.
8. Strategjia e stimulimit të vetëkënaqësisë dhe mediokritetit
Injoranca, vulgariteti, budallallëku shndërrohen në modë dhe vlerë. Kujtoni për një çast modelin “big brother” ku mund të bëhesh i famshëm, e për rrjedhojë i pasur, i ndjekur, i imituar, i adhuruar, etj., pa nevojën e diturisë, zhvillimit të intelektit, të ndonjë aftësie, talenti apo profesioni, pa nevojën e etikës, edukatës, normave shoqërore të pranuara si normalitet.
9. Strategjia e nxitjes së vetëfajësimit
Individi edukohet të fajësojë veten për çdo problem: mungesa ose dobësia e inteligjencës, forcës, karakterit, vullnetit, etj., janë disa nga rrugët e vetëfajësimit. Kështu, në vend të rebelimit nga sistemit mbytës ekonomik, ndaj pushteteve të tjera të forta, individi fajëson veten deri në depresion, duke frenuar reagimin.
10. Strategjia e njohjes se individit më mirë sa ç’e njeh individi veten
Zhvillimet e shkencave humane të 50 viteve të fundit i kanë dhënë mundësi elitave dominuese të njohin aftësitë psiko-fizike të individëve, sjelljet e tyre sociale, zgjedhjet racionale, e kështu me radhë. Kjo do të thotë se në shumicën e rasteve sistemi ushtron një kontroll më të madh mbi individin se vetë ky i fundit mbi vetveten.