Ardhja e Albano Carrisit në Tiranë për një koncert falas në nderim të shenjtërimit të Nënë Terezës është doemos një lajm. Madje është një lajm pas të cilit gazetarët ngarendën me vrap. Të tërë morën telefonat për të kërkuar takim për intervistë me të. Ajo çfarë ndodhi pas kësaj është për të qeshur e për të qarë: organizatorët kërkuan para për intervistat që ai do jepte tek çdo media. Pra, intervistë me para, fjalë në këmbim të parave, e gjitha kjo për një koncert që organizohej në emër të Nënë Terezës, bamirëses e shenjtores së të varfërve të gjithë botës. Dhe aq më tepër për një personazh, i cili nuk po vinte ekskluzivisht- as për herë të parë në Shqipëri.
Pyetjes pse intervistë me para, organizatorët iu përgjigjën se koncerti kushton dhe se ata kanë nxjerrë para nga xhepi, se nuk kanë mjaftuar sponsorët- në fund duhej që për ardhjen falas të Carrisit, të paguanin gazetarët që do e intervistonin- ata duhej të bëheshin palë me sponsorët.
Me gjasë(dhe jo vetëm me gjasë) Albano nuk dinte se emri i tij po përbaltej nga ata që e kishin ftuar. Atij i ishte thënë se ka pasur shumë interes nga sponsorët dhe se çdo gjë qe zgjidhur. Atij nuk i ishte thënë se koncerti i tij falas po ndiqej këmba këmbës nga kërkesat e organizatorëve për të dhënë intervista me lekë, “për të shitur intervista”, madje më e rënda pa miratimin e këngëtarin italian.
Ata e përbaltën Carrisin dhe koncertin e tij falas. Ai e fali këngën, por ia shitën fjalën, ose u përpoqën.
Më fund, media e braktisi dhe nuk u mor vesh se Albano erdhi. Publiku që del në shesh për lloj e sorollop, këngëtarë e përdredhës, interpretues e mërmëritës- braktisi edhe pse falas, zërin dhe emocionin e këngës së Carrisit, i cili është mjaft popullor në Shqipëri.
Ata e braktisën, siç edhe media. Ata që shkojnë në opera e teatro, që ende kërkojnë shijen e mirë të së bukurës nuk e morën vesh, sepse mediat refuzuan të blejnë me lekë intervistën e Carrisit për një koncert që për më tepër bëhej për nder të Nënë Terezës. Po siç duket qëllimi i organizatorëve nuk ka qenë koncerti në vetvete, por përfitimi, ambicje amatorësh që solli një dështim të dyfishtë.