Mustafa Nano ka krijuar një kanal të tijin në Youtube, ku fillimisht ka hedhur një material audio. Është një material i përgatitur prej tij. Zgjat nja 15 minuta. Ka lidhje me fetë.
Ai vazhdon përpjekjet që zënë fill me show-n e tij me titull “Dhe Profetët dinë të puthin”, me fjalë të tjera ai vazhdon kritikën ndaj feve. Në këtë material, ai i quan fetë monoteiste përralla e legjenda, dhe në këtë kuptim bën një krahasim të tyren me Këngët e Kreshnikëve. Dhe me Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Ne e kapëm në telefon Mustafa Nanon, dhe bëmë një bisedë të shkurtër.
Zoti Nano, doni të propagandoni fenë e ateizmit?
Pse jo? Veçse Ateizmi nuk është fe. Duhet bërë ky përcaktim. Pastaj, edhe termi propagandë nuk më pëlqen. Mua nuk më intereson që në këtë botë të ketë sa më shumë ateistë. Unë thjesht them timen lidhur me fetë.
Pse ju bezdis besimi në Zot?
Nuk më bezdis besimi në Zot. Më bezdis ideja e Zotit që del prej Librave të Shenjtë. Për mua, nuk ka asnjë problem nëse dikush beson se Zoti ekziston. Bëhet problem kur besohet se ekziston Zoti, që i urren gratë, që përligj skllavërinë, që e ka fiksim ta adhurojnë, që porosit të vriten jobesimtarët, që thotë se jeta në tokë nuk ka asnjë rëndësi, se rruga më e shkurtër për të shkuar në parajsë është të vdesësh për Zotin, etj, etj.
Ju nuk besoni se pas vdekjes ka diçka?
Jo. Besimtarët besojnë se vdekja është fillimi i një gjëje të madhe. Unë besoj se vdekja është fundi i një gjëje të madhe. Jeta në tokë është e rëndësishme. Le t’i japim kuptim kësaj jete, e të mos gënjejmë veten me gjëra, për të cilat nuk ka asnjë provë se ekzistojnë.
A do të vijojnë të tjerë materiale si ky të publikuar në kanalin tuaj në Youtube?
Po, herë pas here.
Faleminderit!
Faleminderit juve!