Një rrëfim ekskluziv i shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel; si e pret çdo vit shkrimtari nominimin prej Akademisë Suedeze; Rasti unik, letrat anonime që shkojnë në arkivin e Akademisë së Nobelit nga Shqipëria që flasin kundër Kadaresë, për të bllokuar dhënien e çmimit. Historia që tregohet për herë të parë e një prej letrave që është konsideruar grostesk….
Takimi me Kadarenë është gjithnjë një histori zbulimi. Shkrimtari e ka në natyrën e tij rrëfimin historik, konstatimin, ruajtjen e një memorieje absolute për njerëz, ngjarje, vende…Bota letrare në Shqipëri këtë vit është e përfshirë në festimin e 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit. Është quajtur viti i Kadaresë. Festimet vazhdojnë në Prishtinë dhe Tiranë, jo duke hedhur këngë e valle, por duke njohur veprën, duke kuptuar e zbuluar shkrimtarin. Po ky vit e ka sjellë shkrimtarin edhe më shpesh në vendin e tij. Ai është një rast unik. Ka “bashkëjetuar” me diktaturën dhe ka sjellë antropologjinë e saj kur ishte në zenit. I ka shpëtuar persekutimit, por jo censurës së veprës. Prej kohësh arkivat po zbulojnë e qartësojnë një situatë etike por edhe estetike mbi autorin dhe veprën, sidomos asaj që mbahet një nga veprat monument të krijimtarisë kadareane në diktaturë, “Dimri i vetmisë së madhe”. Për herë të parë, këtë vit, ky roman pati një edicion kritik nga studiuesi Metteo Mandala. Vepra në dorëshkrim, kaloi një aventurë gjyqësore, pasi deri para pak vitesh mbahej me forcë nga e veja e ish diktatori. Kadare është shprehur se kishte frikë mos e digjte, pasi ishte e vetmja kopje që ekzistonte në dorëshkrim. I vetmi në origjinal. Ndërsa ka vlerësuar punën e studiuesit arbëresh, Mandalasë, mbi dorëshkrimin në dëshifrimin dhe zbulimin e tekstit. “E kam shkruar dhe daktilografuar direkt dhe kam punuar mbi tekstet e daktilografuar. Ajo ishte kopje e vetme. S’ka tjetër. Mahnitem kur e shikoj, sa sa kam punuar, shkruar prishur e ndrequr. Ishte një tekst mjaft delikat. Donte shumë kujdes sepse për një fjali mund të të ikte gjithë libri…”, ka rrëfyer shkrimtari për këtë anë të errët, të panjohur të procesit të veprës, si kulturë filologjike që kryhet për herë të parë për një autor bashkëkohor të cilit i ka “ardhur” vepra nga diktatura, nëpër shumë procese “censure”, duke i shpëtuar kartonit.
Ky edicion kritik i “Dimrit të vetmisë së madhe” është vlerësuar si ngjarja e vitit, që ka përkuar me ditëlindjen e shkrimtarit. Por nga ana tjetër, botuesi ekskluziv i Kadaresë, “Onufri” brenda këtij viti boton dhe riboton 15 romane e novela në format të vogël, si një formë me e thjeshtë për lexuesin. Ky densitet veprimtarie letrare në 80 vjetorin e lindjes, merr me vete edhe përkimin tjetër me afrimin e ndarjes së çmimit Nobel. Para pak ditësh mediat ndërkombëtare kanë lançuar një listë me nominuesit e këtij viti, ku Kadare renditet sërish, edhe këtë herë në një listë të ngushtë, i pesti në kandidaturë për marrjen e çmimit.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë e ka propozuar sërish Kadarenë, në krye të këtij viti për të marrë çmimin Nobel në Letërsi. Drejtuesja e departamentit të albanologjisë në Akademinë e Shkencave, akademikja Floresha Dado, ka thënë se ai është një titull i merituar për shkrimtarin Ismail Kadare.
“Akademia e Shkencave dërgoi zyrtarisht, përsëriti edhe një herë tjetër, kërkesën në Komitetin e Nobelit të Akademisë Suedeze për t’i dhënë çmimin Nobel. Në këtë kërkesë ne kemi shtuar si argumente të tjera jo vetëm përmasat e jashtëzakonshme botërore që ka Kadare, faktin që vepra e tij është përkthyer në 45 gjuhë të botës, që për të kanë shkruar kritikë me vlerësime maksimale në vende të ndryshme të botës. Kadare është bërë pjesë e jetës shpirtërore të shumë popujve nëpër botë. Nuk e di se çfarë duhet të bëjë më shumë një shkrimtar për të marrë çmimin Nobel se sa të botohet në gjithë botën dhe të shkruajë vlerësime të larta për artin e tij kritikë të njohur nga gjithë bota, dhe që të marrë edhe shumë çmime të tjera të rëndësishme ndërkombëtare” –ka deklaruar Floresha Dado.
Dhe ja ku jemi, mbi 15 vite që pritet ceremonia e Nobelit për të tërhequr vëmendjen nga imazhi i Shqipërisë, përmes një shkrimtari. Kadare mësojmë se sot është larguar për në Paris, pas disa muajsh qëndrimi në Shqipëri, ku edhe kaloi një gjendje të vështirë shëndetësore duke iu nënshtruar një operacioni. Familjarët kanë deklaruar se gjendja e shkrimtarit tani është më mirë. Udhëtimi i tij drejt Parisit është itinerari i vazhdueshëm ku Kadare ndan jetën me Shqipërinë prej vitit 1991, kur u largua për të kërkuar azil në Francë, si rebelim ndaj udhëheqësit të atëhershëm Ramiz Alisë, të cilit i drejtoi edhe një letër publike ku shpjegonte dhe denonconte politikisht arsyet e largimit të tij nga Shqipëria.
Nga ana tjetër, duke qenë një emër që shpesh ka ngjallur reaksione të brendshme midis nostalgjikëve të diktaturës, atyre që ishin shkrimtarë e shërbëtorë të saj, Kadare ka mbajtur përsipër riskun e komprometimit të figurës së tij, duke u anatemuar për “shpëtimin” e tij nga persekucioni, pse nuk u bë kundërshtar i regjimit. Ndërsa vepra e shkrimtarit ka treguar të kundërtën, një lexim historik i shfrytëzuar për të kuptuar sistemin diktatorial.
Në këtë vështrim nominimi për Nobel i Kadaresë ka qenë motivuar gjithnjë, duke u përkrahur nga pjesa e shkrimtarëve dhe intelektualëve më me integritet. Ndërsa në një bisedë me shkrimtarin duket se kjo histori ka tjetër perceptim. Pyetjes sonë për këtë marrëdhënie kaq të gjatë me Nobelin, Kadare e ka marrë me indiferentizëm, si një process pothuaj i mbyllur për të, aq edhe zhgënjyes.
Ajo çfarë na bën t’i kërkojmë shkrimtarit drejtpërdrejt, gjatë bisedës tonë të lirë, lidhet me ironinë shqiptare për letrat anonime. Prej kohësh është folur se në Akademinë suedeze të Nobelit nga Shqipëria janë dërguar shumë letra anonime, me qëllimin për t’i bllokuar dhënien e çmimit. I vendosur në këtë situatë edhe vetë shkrimtari ka rrëfyer, ndoshta për herë të parë mbi këtë histori absurde, pothuaj unike në 100 vjetët e Nobelit.
Natyrisht Kadare ka një përgjigje për Nobelin, jo vetëm për të si shkrimtar. A do të ishte mirë të kishim një Nobel? Kadare thotë: “Po do të ishte imazh shumë i mirë për vendin tonë përballë prapësive. Do t’i kishte dhënë imazh, si vend i vogël me gjuhë të lashtë…”
Por për Kadarenë kjo është shndërruar në një gjë normale, ku çdo vit ai bashkë me emra të tjerë nominohen për Nobel, këtë e pohon edhe vetë shkrimtari duke thënë se bashkë me autorë të tjerë “jemi bërë tashmë si të shtëpisë me anëtarët e jurisë së Akademisë së Nobelit dhe Sekretarin e përhershëm të tyre…”
Shkrimtari ka treguar se ka dashur të shikojë Arkivin me letrat anonime të dërguar nga Shqipëria kundër tij, në Akademinë Suedeze. “Një ditë madje mua dhe Helenën na ftoi një prej tyre për drekë. Iu luta të hyja në Arkiv, doja të shikoja letrat anonime për mua, por refuzoi. Iu luta të më thoshte çfarë shkruanin, por ai më tha vetëm një rast që iu është dukur të gjithëve grotesk. Se ishte grotesk nuk do të thotë se nuk ishte marrë në konsideratë sado banal të ishte. Aq të çuditur me këto “anonime” shqiptare”, ka treguar Kadare. Jo pak herë ka ndodhur që në prag të çmimit Nobel, kur është përmendur emri Kadaresë ka nisur “fushatë” kundër të tij, në mënyrë absurde që ky çmim të mos mbërrijë në Shqipëri. Ndërsa ne, jemi njohur nga shkrimtari me një rast të përmbajtjes së një prej letrave anonime të shqiptarëve kundër shkrimtarit, që mbahet në arkivin e Akademisë Suedeze. Shkrimtari tha se i kanë treguar për një letër anonime ku mes të tjerash ishte shkruar se me veprën e tij, “sulmohet gjuha shqipe”, se Kadare nuk shkruan në gjuhën shqipe.
“Kjo ishte vërtet grosteske dhe e pakuptueshme”, thotë shkrimtari. Nxitur nga kjo ngjarje, Kadare ka treguar se botuesi i tij ekskluziv, në Francë botoi gjithë kolanën në gjuhën shqipe si dhe frengjishte, duke ua bërë dhuratë Akademisë suedeze.
(V.Murati-Mapo)