Nga Jonida Hitoveizi
Një bisedë për fotografinë, artin, femrën dhe shoqërinë. Fahredin Spahija ndalet në secilin imazh për tu ndalur tek “Koha e akullit” si teknikë e si domethënie, si shpërfaqje dhe si shprehje. Femra, burri, lypësi, e më pas nudoja- ashtu si edhe femra vijnë te brishta e jo vetëm fizikisht, por edhe nga ana emocionale për shkak të statusit të padrejtë në shoqëri. Spahija thotë se shpesh duhet hequr fotografitë që i ke shumë për zemër në dobi të theksimit të filozofisë konceptuale…
Në ekspozitën tuaj të fundit në Shkodër, hapur së bashku me Rozafa Shpuzën, ajo që një vizitor vëren qysh në fillim është kontrasti mes klasikes e bashkëkohores. Përse kjo thyerje mes dy botëve në një sallë të vetme?
Kontrasti është një nga elementet ma të rëndësishme të fotografisë, i cili na ndihmon të përjetojmë ekstremet tonike brenda një kompozicioni prandaj edhe dy ekspozitat tona bartin në vete në një farë mënyre kontrastin, dallojnë mes vedi, në rradhë të parë, konceptualisht. Në momentin kur u kuptuam që ta bëjmë një paraqitje të përbashkët në galerinë Arkapia të Shkodrës ne krijuam edhe konceptin kuratorial dhe vendosëm që të simulojmë një përballje mes klasikes dhe asaj siç e quani ju, bashkëkohores. Kjo ndarje apo thyerje ndihmon publikun të identifikoj autorët brenda punëve që janë ekspozuar por i ndihmon edhe të përjetojnë rrëfimet fotografike të secilit autor veç e veç.
Ekspozita dominohet nga femra nudo, por ju luani shumë me duart. Përse keni zgjedhur duart si dominante?
Nudo është pas portretit, tema që trajtoj më së shumti në artin tim fotografik dhe duart janë pothuajse pjesë e pashmangshme në shumicën e portreteve dhe nudove të trajtuara. Ato veç anës estetike në jetën e njeriut luajnë rrol të jashtëzakonshëm në interpretimit dhe komunikim. Ato si edhe sytë japin mesazhe të panumërta me anën e të cilave zbërthejmë karakterin e njeriut dhe kjo është arsyeja pse janë aq shumë të pranishme në artin tim fotografik.
Në fotot tuaja, të ngrira mes lakuriqësisë vihet re një lloj trishtimi, gati në gjithë portretet. Pse keni zgjedhur që trishtimin apo pamundësinë e femrës ta sillni përmes nudos?
Mendoj se trishtimi është pjesë e pandashme e njeriut gjatë gjithë historisë së tij dhe ai tek femra vjen edhe më i theksuar shkaku i brishtësisë fizike dhe emocionale dhe shkaku i statusit të padrejtë që shoqëritë që nga koha e primitivizmit e deri tek synimi i demokracive të avancuara, ia kanë imponuar. Në artin tim fotografik ky trishtim përfaqëson edhe peshën e mentalitetit brendashqiptar që kërcënon akoma lirinë e femrës shqiptare, e cila shpërfaqet me mosguximin e identifikimit të saj kur pozon lakuriq në funksion të artit.
Mes fotove vihet re edhe fytyra e një të pastrehu në Kosovë dhe një portret i vajzës suaj duke fjetur. Sa e vështirë është të ngrish momentin që do në një portret?
Portreti gjithmonë ka qenë epiqendra e interest tim fotografik dhe trajtimi i tij më sjellë emocione të veçanta pikërisht shkaku i delikatesës që mbart në vete. Në këtë ekspozitë kam sjellë katër portrete të trajtuara me teknikën e akullit dhe bashkë me nudot përbëjnë një cikël filozofik, pra ate që e theksuat edhe ju, të trishtimit. Të pastrehët dhe fëmijët bashkë me femrën janë pjesa ma e trishtuar e kolektivitetit tonë që po rrezikon të fundoset përveç nga pasojat e mentalitetit të moçëm që po tërheqim zvarrë si Krishti kryqin e rëndë, edhe shkaku i shoqërisë së kriminalizuar e cila po cenon sistemet tona ma vitale siç janë ato të arsimit, shkencës, kulturës, shëndetësisë dhe ekonomisë pa zhvillimin e të cilave asnjë shoqëri nuk mund të ngritet në këmbë të shëndosha.
Në ekspozitë dominojnë femrat, pse keni sjellë portretin e një të pastrehu mes tyre?
Ndonjëherë artisti bën gjëra vetëm me kriju pyetje apo dilema tek publiku. Një portret i një mashkulli me mjekërr të dendur përveç se përshtatet në filozofinë e konceptit kuratorial shërben edhe si thyerje e një logjike…
Ju keni përdorur një teknikë të veçantë në këtë ekspozitë, mund të na thoni procesin nëpër të cilin kalon gjithë fotografia deri tek përzgjedhja përfundimtare?
Pjekuria e çdo artisti dëshmohet me fazën eksperimentuese brenda artit të vet. Mendoj se deri para 4-5 viteve unë po kaloja fazën “fëminore” të artit tim fotografik. Ajo fazë karakterizohet me një dëshirë të madhe me fotografu çdo gjë pa patur kohë shumë me i sistemu fotografitë nëpër cikle të ndryshme. Kur e them këtë nuk do të doja të keqkuptohesha se po them diçka të pakëndshme. Secili artist i fotografisë ka nevojë ta kalojë këtë fazë që po e quaj “fëminore” sepse aty hidhen themelet e formësimit artistik të fotografit dhe ndjeshmërisë së tij për kompozicion. Do të thoja se kjo fazë që tek unë ka zgjatur mbi 15 vjet, është periudha më e begatshme në kuptimin sasior. Cikli me të cilin jam paraqitë në Shkodër vjen si rezultat i përvojës sime artistike jo vetëm në fushën e fotografisë por edhe si rezultat i studimeve të mia për grafikë. Teknika me të cilën kam realizuar fotografitë e ciklit “Koha e akullit” është gjetje origjinale. Deri tani kam realizuar dhjetëra fotografi të këtij cikli dhe ato që janë ekspozuar para publikut shkodran janë përzgjedhur duke u mbështetë në një filozofi. Natyrisht, përzgjedhja e fotografive për një ekspozitë është proces jo i lehtë por gjithmonë shumë interesant. Në fillim krijon një përzgjedhje të gjërë dhe pastaj varësisht nga numri i përcaktuar i fotografive për tu ekspozuar, bëhet eliminimi… Sa më shumë ngushtohet rrethi aq më i dhimbshëm bahet procesi. Shpesh duhet hequr fotografitë që i ke shumë për zemër në dobi të theksimit të filozofisë konceptuale…
Sa kohë kërkon procesi i “ngrirjes” së një fotoje?
Procesi i ngrirjes merr kohë varësisht prej kërkesave që kam karshi kompozicionit por edhe karshi strukturës që dua të nxjerr në pah. Puna bëhet me shtresa akulli duke e kontrolluar vazhdimisht rezultatin e krijuar. Eshtë proces që i gjason shumë teknikës së akuatintës në grafikë. Një teknikë që e kam mësuar si student i grafikës. Por në procesin e akullit pas fotografimit origjinali zhduket duke u shkri kurse në grafikë, pllaka ku është krijuar puna, mund të ruhet përjetësisht sepse është pllakë zinku…
Një fotografi e krijuar me këtë proces më merr prej 3 deri në 5 ditë punë.
Keni dëmtuar ndonjë punë të preferuar gjatë përpunimit?
Meqë është punë shumë delikate, herë pas here ndodh që më shkon huq i tërë mundi disa ditor. Kjo varet nga ndonjë gafë teknike por edhe nga mosinspirimi i mjaftueshëm për punë. Por asnjëherë nuk e marr si çështje tragjike ngase edhe dështimet janë përvojë në këtë proces.
Përse akulli si element dhe dhimbja apo trishtimi nga ana tjetër. A na bën vuajtja vërtetë më të akullt si njerëz, ju çfarë besoni?
Akulli në fotografinë time vjen si teknikë në rradhë të parë e pastaj edhe për të kriju atmosferën e caktuar. Teknika me akull me jep mundësi të pafundme kreativiteti për finalizimin e idesë. Pastaj, secila prej fotografive të mia mund të ketë rastin e komunikimit me publikun ku përshtypja apo ndjesitë mund të jenë krejtvsisht të ndryshme nga idea ime e përpunuar. Kjo gjë i jep sharmin e veçantë artit sepse kur të ekspozohet, ndahet nga autori dhe vazhdon jetën me publikun i cili e trajton ate në mënyrë unike.
Ju duket risk të guxosh me nudon në artin bashkëkohor kur në fakt dihet se nudo është zhanër i shumpërdorur e klasike?
Nudo nuk ka afat kalimtar dhe si e tillë do të trajtohet në çdo kohë e periudhë arti. Mund të ndryshojë vetëm mënyra dhe forma e trajtimit./Pasqyre.al