Ai shfaqet vite pas famës së treshes shqiptare: Arben Spahiu, Klodiana Skënderi (një dyshe dibrane kjo), e Tedi Papavrami. Ishin dikur këta emra me të cilët Shqipëria mburrej në botë, me lojën e tyre virtuoze në volinë.
Ishte një kohë kur pakkujt i shkonte ndër mend se vite më pas indivdë që nuk njohin as notat e krejt ordinerë, do quhen paturpësisht këngëtarë e do rrihen me njëri – tjetrin si të ishin përfaqsues bandash droge. Ndaj dhe nuk ka vend për ta njohur Elvin Hoxhën, atë që sot konsiderohet një ndër “paganinët” e botës.
Elvin Hoxha, një djalosh rreth të 20-tave me baba nga Shkodra dhe nënën nga Azerbaxhani është prej vitesh “xhevahiri” shqiptar i muzikës botërore.
Prej vitesh, Elvini që i vogël ka pushtuar skenat botërore me talentin e tij të veçantë.
Por sot ai mund të thuhet se është një nga artistët më të mëdhenjtë e botës.
Në një konkurs ndërkombëtar që u zhvillua në Shangai të Kinës me më të mirët e më të mirëve, Elvin Hoxha është renditur në 8 muzikantët më të mëdhenj të botës.
Një garë vërtet e vështirë, aspak komerciale dhe e gjitha “hard” që do të thotë se si do ta luajë secili të “tmerrshmin” Paganini me “capriçio-t” e tij.
Dhe Elvin Hoxha është vlerësuar si nga publiku, duhet thënë shumë i përzgjedhur, dhe nga juria tepër, po tepër kërkuese.
“Shanghai Isaac Stern International Violin Competition” është një konkurs jo-konvencional dhe për shoë, por një garë e tmerrshme ku instrumentistëve u “del qumështi i nënës”, e ku gjyqtarët spartanë nga konservatorët më të mëdhenj të botës, vlerësojnë dhe akordin më liliput.
Me një fjalë, në këtë konkurs përballen gjenitë e telave, “te çmendurit” e këtij arti elitar që nuk ka lidhje dhe nuk ndikohet nga listat e shitjes së muzikës komerciale që del nga qypat dhe organot që vetëm vegla muzikore nuk janë, por thjeshtë manjetofona modernë dhe ku instrumentistët janë kthyer thjesht në dixhej.
Konkursi i Shangait që financohet nga instustrialistët më të mëdhenj të botës, por edhe nga Pekini zyrtar, ka qenë një spektakël për Elvin Hoxhën, i cili në mënyrën më njerëzore dhe korrekte të mundshme ka vënë në dokumente edhe mbiemrin e mamasë së tij, Narmina Ganyiev, për të respektuar artin e prindërve, edhe ata instrumentistë që kanë sakrifikuar shumë për artin e të birit, njësoj si i ati i Moxartit që ne e njohim mirë nga filmat e shumtë.
Elvin Hoxha me Capricio nr. 5 të Paganinit tronditi sallën e Operas në Shangai me një performancë që u konsiderua nga pedagogu i “frikshëm” i konservatorit të Shangait me shprehjen: “të ngjeth mishtë”.
Elvini është djali i dy artistëve talentuar: Hajredin Hoxhës dhe Narmina Ganyiev.
Të dy janë artistë në Filarmoninë Kombëtare të Ankarasë.
Hajredini-Dini, siç i thërrasin, është një shkodran 24 karatësh që shumë vite më parë u ftua nga kolegët turq që të luante në Ankara dhe ata nuk e lanë më të kthehej.
Aty u dashurua dhe u martua me Narminën, një artiste nga Azerbaxhani dhe kështu u bënë pjesë në grupin internacional të artistëve të elitës kulturore të Turqisë, e cila jep koncerte në të gjithë cepat e globit.
Hajredin Hoxha është pjesë e një familjeje të njohur qytetare dhe intelektuale të Shkodrës, nga ku kanë dalë artistë të njohur të arteve vizuale, por edhe pedagogë shkencash dhe muzikantë.
Dini dhe bashkëshortja e tij, Narmina e kanë ndjekur Elvinin që në vogëli duke e shoqëruar në skenat e të gjithë botës, ku Hoxha i Shkodrës ka lënë nam prej vitesh.
Dhe për të, prej vitesh flasin qarqet mediatike dhe kulturore të të gjithë botës. Elvini është thirrur edhe nga Putin në Kremlin për të dhënë koncert.
Presidenti i Azerbaxhanit, Ilham Alijev e ka nderuar me shumë e shumë raste jo vetëm Elvinin por edhe familjarët e tij, duke vënë në dukje lidhjen normale të gjakut me vendin e tij. Dhe duhet thënë se familja e nënës së Elvinit është e njohur si pjesë e elitës kulturore azerbaxhanase.
Por absurdi është se vendi nga ku Elvin Hoxha ka rrënjët e mbiemrit të tij, Shqipëria nuk është kujtuar kurrë.
Madje edhe mbulimi mediatik ka qenë shumë sporadik. Dhe kjo vjen prej modës që në Shqipëri ka zënë rrënjë: ushqimi që vjen vetëm nga agjencitë e marketingut nga vendet e Europës Perëndimore dhe mediat e tyre.
Për qarqet tona kulturore të mangëta dhe të njëanshme vetëm në një anë të botës bëhet art, ndërkohë që teatrot madhështore gëlojnë nga Tokio, në Sidney, Pekin, Shangai, të gjithë kryeqytetet e famshme të ish-republikave sovjetike, Moskë, Shën Petërsburg, për të mbërritur në Ankara e Stamboll.
Në të gjitha këto skena “Paganini shkodran” ka tronditur publikun kulturor dhe ka marrë kritika pozitive nga media kulturore.
Por askush nuk e ka ftuar nga vendi i tij, pikërisht për ta treguar se e kemi tonin dhe muzikë nuk bën vetëm Bebe Rexha dhe Dua Lipa. Aq më tepër që Elvin Hoxha përfaqëson një zhanër që kur merr famë prek majat e artit.
Nuk i kanë thënë kot: “Paganini shkodran”.
Tesheshi.com