Ku ke qenë ti në 11 shtator?

Kjo ka qenë pyetja më e shpeshtë që amerikanët i bënin njëri-tjetrit për shumë kohë pas asaj dite të paimagjinueshme që ndryshoi Amerikën njëherë e përgjithmonë.
Unë atë shtator ndodhesha me punë në bazën ushtarake amerikane të Fort Polkut, në Luiziana, larg nga familja ime në Nju Jork.
Keto jane shënimet e para që mbajta atë mëngjes, të cilat i kam përfshirë në librin “Udhëtim në historinë e Amerikes”
Fort Polk, Luiziana, 11 Shtator, 2001.
Sot në mëngjes, lajmi i goditjes së Qëndrës Tregëtare Botërore në Manhattan me avione të grabitur nga terroristët shokoi gjithë bazën ushtarake në Fort Polk.
E tronditur vrapova ne Stacionin e Radios “Ballkan”. Tek dera u përplasa me Dorothin, shefen time e cila në vënd te “mirëmëngjesit” të zakonshëm, më pyeti:
-A fole me familjen në Nju Jork? A jane të gjithe mirë ?
Por ishte e pamundur të lidhesha me Nju Jorkun atë çast. Telefonat e bazës ushtarake ishin të gjithë të zënë nga njujorkasit.
-Kam nevoje të kontrolloj e-mailin, ndoshta kam ndonje mesazh nga im shoq, thashë me nxitim. Ajo më vuri dorën në sup.
-Shpresoj që gjithçka të jetë OK, dhe shtoi ,- në tavolinë të kam lënë lajmet e sotme, të lutem merru me to. Sot, para regjistrimit të intervistave do japim lajmin e sulmit terrorist mbi Nju Jork e Pentagon.
Baza përgatit trupat amerikane që shkojnë në Kosovë për ruajtjen e paqes. Oficerët amerikanë veprojnë në kushte të përafërta me ato që do të gjejnë në Kosovë. Janë “ndërtuar” fshatra identike me emrat e tyre origjinal. Improvizohen situata të ngjashme me ato të jetës në Kosovë në periudhën e tanishme politike. Serioziteti me të cilin trajnohen ushtarët amerikane për t’i përballuar me sukses këto situata është i mahnitshëm. Ata janë të rinj, prindër, djem nënash që shkojnë në Kosovë e Maqedoni për të ruajtur paqen e qetësinë në rajon.
Sot Amerika humbi qetësinë në shtëpinë e vet.
Ne, të Nju Jorkut, jemi edhe më të tronditur se të tjerët, pasi kjo gjëmë që ndodhi pak më parë, lidhet me jetën e familjeve tona, miqve e shokëve që njohim e që punojnë në Manhattan. Një vit më parë unë punoja vetëm dy blloqe larg WTC. Rrimë me zemër të ngrirë e shpresojmë të mos dëgjojmë të padëgjuarën, emra të afërmish, të njohurish, të cilët duke filluar nga dita e nesërme do të na mungojnë në jetën tonë. Midis tyre ka ndoshta edhe viktima të rastit, emigrantë të rinj që erdhën në Amerikë për një jetë më të mirë dhe terrorizmi u mori jetën mu në zemër të saj.
U lehtësova kur pashë mesazhin e tim shoqi. Më thosh se qe bllokuar në Manhattan dhe nuk ishte i sigurtë se kur do të bëhej e mundur të kthehej në shtëpi, në Bruklin.
U ula për të parë lajmet e CNN në internet. Sulmi terrorist qe shoqëruar me foto sipas fazave të ngjarjes. Ndjeva lotët të më shkisnin në mënyrë të pavetëdishme. Të gjithë kemi ardhur në këtë vend për një jetë më të mirë. Amerika na e dha këtë mundësi. Kjo është çfarë ndjejmë ne banorët e rinj të Amerikës sot. Shtetet, qeveritë, grupet ekstremiste mund të kenë ndjenja urrejtje për njëri tjetrin, por ështe jashtë çdo llogjike të vrasësh qindra e mijëra të pafajshëm. Fotografi terroristësh islamikë me armët e ngritura lart duke festuar “fitoren” kriminale, të paraqitura në internet nga CNN.
Na duhet të mbledhim veten, e puna vazhdon si më parë.
Në studion e radios hyn kapiteni Linsi i cili sëshpejti do shkojë në Maqedoni në përbërje të KFOR-it. Me kufjet në vesh është tërësisht i përqëndruar në përgjigjet e pyetjeve.
Pas pyetjes standarde” Cili është qëllimi i misionit tuaj ne Maqedoni”, e pyes se si e priti gruaja e tij lajmin e nisjes të të shoqit në Ballkan. Ai buzëqesh e përgjigjet, se, si në çdo familje, largimi nuk sjell ndonjë kënaqësi, por sigurisht gruaja e mbështet misionin e tij totalisht. “Eshtë detyra ime, për të siguruar paqe e qetësi në Ballkan, dhe unë duhet ta bëj atë ashtu siç duhet.”
Radioja është ushtarake, dhe nëpërmjet këtyre intervistave që ndiqen me monitor nga eprorët, të intervistuarit kalojnë provimin e trajnimit të tyre në Fort Polk. Zakonisht në këto raste ne i presim dhe tek dalin nga zyra, i pyesim miqësisht si dolën, por sot askush s’e ka mendjen. Të gjithë në zyra ndjekin lajmet e CNN. Presidenti paska qënë në Luiziana, para fluturimit në Nebraska. Në ekran intervista dëshmitarësh që kanë parë me sytë e tyre ngjarjen, shembjen e kullave të WTC. Përsëri fotografi nga ngjarja.
Zërat e spikereve të lajmeve kanë mbushur zyrat. Më rrëngjethet mishi. Thirrje njerëzish në panik. Komentet e krahasojne ngjarjen me goditjen e Pearl Harborit që shënoi hyrjen e Amerikës në Luftën e Dyte Botërore. Edhe kjo është e mjaftueshme për ta futur Amerikën në lufte të imponuar.
Dikush hyn në zyrë e thotë që një vajzë shqiptare, gjatë stërvitjes, pas marrjes se lajmit, kishte zënë të qajë me të madhe: Tre vetë nga familja e saj punonin në Qëndrën Tregëtare Botërore. Nuk dihet fati i tyre.
Heshtje varri. Mendja më shkon tek të njohurit e mi që punojnë në Manhattan. Kush tjetër punonte tek Kullat madhështore në Manhattan?
Koha e shkuar e kësaj folje është drithëruese.
Albana Melyshi Lifschin
Fort Polk, Luiziana, 11 shtator 2001

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *