Galeria Kombëtare e Arteve Tiranë çel ekspozitën vetjake të piktorit Aleksandër Filipi, i cili bën pjesë në grupin e piktorëve modernë bashkëkohore shqiptarë. Duke filluar nga viti 1977 me diplomimin e tij në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, Filipi ka qenë gjithmonë I prirur në realizimin e tablove kompozicionale, duke realizuar tema historike, legjenda shqiptare dhe motive nga jeta e përditshme. Artisti Filipi ishte bashkëautor me artistët V. Kilica, A. Kostandini, A. Nebiu dhe J.Dobroniku në realizimin e mozaikut në Tirane me titull “Shqipëria”, për fasadën e Muzeumit Historik Kombëtar, Tiranë me sip. 440 m2 (1978-1981). Gjithmonë i figurshëm e me mjete komunikuese, Filipi në vazhdimësi mbetet një piktor i rëndësishem bashkëkohor i tablosë kompozicionale në Shqipëri, ku vendin kryesor e zë figura njerëzore. Veprat artistit Filipi janë ekspozuar në ekspozita e konkurse brenda dhe jashtë Shqipërisë, e janë gjithashtu pjesë e koleksioneve private në Shqipëri, Kosovë, Gjermani, Greqi, Itali, Francë, Venezuelë, Spanjë dhe SHBA. Vepra me titull ”Deklarimi i Aktit të Pavarësisë”, ndodhet në selinë e Kuvendit të Shqipërisë. Ekspozita do wordpress të paraqesë një koleksion prej 21 tablosh në teknikën e vajit, të cilat kanë si motiv kryesor peizazhin urban të Tiranës, si dhe disa kompozime nga jeta e kryeqytetit shqiptar. Punimet janë realizuar gjatë viteve 2011-2016. Kjo është ekspozita e dytë vetjake që artisti çel në Galerinë Kombëtare të Arteve pas 24 vitesh. Ekspozita hapet ditën e enjte 15 shtator në orën 19.00 dhe qëndron e hapur deri më 1 tetor.