Si t’i thoni një nëne se fëmija i saj ka vdekur

Nga Naomi Rosenberg

Si fillim duhet të marrësh pallton. Nuk më intereson nëse nuk të kujtohet se ku e ke lënë… Duhet ta gjesh. Nëse ka pasur shumë gjakderdhje dhe ti je përgjakur, duhet t’i kërkosh dikujt të të gjejë rroba të tjera. Vish pallton dhe shko në banjë. Shihu në pasqyrë dhe thuaji vetes atë që duhet t’i thuash asaj: duhet të përmendësh emrin e nënës dhe emrin e fëmijës së saj. Nuk mund ta anashkalosh këtë pjesë në asnjë mënyrë. Po ta tregoj unë më hollësisht: Po të ishte nëna ime duhet t’i thuash: “Znj. Rosenberg. Kam lajme të tmerrshme, shumë të tmerrshme. Naomi ka vdekur sot”. Ti, duhet ta thuash këtë me zë të lartë para pasqyrës derisa të mund ta thuash në mënyrë të qartë. Me sa zë të lartë? Me zë mjaftueshëm të lartë. Nëse për këtë të duhen më pak se pesë përpjekje, ti po nxitohesh dhe nuk po e bën si duhet.

Duhet të marrësh kohën që të duhet. Pas episodit në banjë, nuk duhet të bësh asgjë tjetër pa shkuar tek ajo për t’ia thënë lajmin e keq. Nuk duhet të bësh asnjë telefonatë, as nuk duhet të flasësh me ndonjë student mjekësie- mos e bëj atë grua të presë, ajo është e ëma. Kur të hysh brenda në dhomë, do ta kuptosh se cila është nëna. Po, unë jam shumë e sigurt për këtë. Jepi dorën dhe bëji me dije asaj kush je. Nëse ke kohë jepu dorën të gjithëve. Dhe po, ti do ta dish, do ta kuptosh nëse ka kohë. Nëse nuk ka karrige për tu ulur, kolltuqet kanë pjesë anësore. Nëse ke qenë ti që i ke telefonuar për ti thënë se i biri është qëlluar me armë, atëherë ti e ke bërë tashmë një pjesë të punës, por ende nuk e ke bërë të gjithën. Ti je gati ta bësh tani. Nuk mund ta lësh atë grua të presë. Ajo është nëna e tij. Tani do shpërthesh botën e saj. Por, ti duhet ta bësh. Drejtoju asaj me fjalë të ngjashme si: “Znj. Booker. Kam lajme të tmerrshme, shumë të tmerrshme. Ernesti vdiq sot”. Më pas, të duhet të presësh. Nuk duhet të ngrihesh në këmbë. Duhet ta lësh veten në peshën e frymëmarrjes ose në tempin e pulsit tënd, ndërsa shikimin, hidhe në lidhëset e këpucëve, por nuk duhet të ngrihesh.

Ti je aty për të. Ajo është nëna e tij. Nëse nëna, me vete, ka një djalë tjetër dhe ai po i bie murit me grushte ose po thyen karriget, nuk duhet të shqetësohesh. Ai që grushton murin a thyen diçka do të jetë më mirë se ai që hedh vështrimin përtokë dhe refuzon të qajë. Ai që grushton murin e thyen karriget do ta ketë shumë më e lehtë se sa motra që sheh lart dhe mbyll sytë e saj të mbushur me lot. Forcat e sigurisë janë tashmë jashtë dhomës dhe kur të dëgjojnë zhurmën e parë me zë të lartë, ata do ta dinë se duhet të hyjnë brenda. Jo, ti nuk t’u thuash asgjë atyre. Ata e dinë se çfarë është dhoma e familjarëve në Departamentin e Emergjencës përgjatë verës në veri të Filadelfias. Është gjithçka në rregull. Ata do të jenë të sjellshëm. Nëse nuk ka thyer karrigen tëndë, qëndro në të. Ti je këtu për të ëmën dhe ke shumë për të bërë ende. Nëse ajo grua që ka humbur të birin, të pyet për diçka, përgjigju për çfarë do të dijë. Ti nuk duhet ta gënjesh. Por mos i thuaj se u vra a se e vranë. Po, unë e di se e vranë, por ti nuk duhet tia thuash.

Ti duhet vetëm t’i thuash se ai vdiq; kjo është pjesa që ke parë dhe që ti di. Kur ajo pyet nëse ai ndjente dhimbje, ti duhet të jesh shumë e kujdesshme. Nëse ai nuk pati dhimbje, thuaja shpejt. Nëse ai pati dhimbje, mos gënjeni. Por dhimbja e tij ka kaluar tashmë. Megjithatë mos thuaj kurrë se ai ishte me fat që nuk ndjeu dhimbje. Ai nuk ishte me fat. Ajo nuk është me fat. Thellësia e marrëzisë së gjërave që ju mund të thoni ndonjëherë është e paimagjinueshme. Para se të ikësh, duhet t’ia thyesh asaj zemrën edhe një herë.

“Jo, më vjen shumë keq, por nuk mund ta shihni atë. Ka rregulla strikte kur një person vdes në këtë mënyrë, është policia që e sheh atë më parë. Nuk mund t’ju lejojmë”. Ah, ti nuk mund të thuash kurrë “trupi”. Ai nuk është një trup. Ai është djali i saj.

Ti duhet t’ia thuash asaj se po i jep pak kohë dhe se do kthehesh në rast se ajo ka pyetje, qofshin këto më shumë pyetje, ose pyetje për herë të parë. Nëse ajo nuk ka pyetje, mos i jep asaj përgjigje për pyetjet që nuk i ka bërë. Kur të largohesh nga dhoma, mos i bërtit ndonjë studenti mjekësie që ka një pyetje. Kur të mbërrish në shtëpi, mos i bërtit partnerit tënd edhe nëse i ka lënë çorapet në dysheme, sërish sot, nuk ka problem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *