Kur Lasgush Poradeci qante me psherëtimë për konkën e tij!

Maria Poradeci, e bija e poetit ka sjell në kujtesë një “pjesë ditari” të Lasgush Poradecit që mban datën 2 prill 1975. Në atë të mërkurë të viteve komuniste, ai tregon se si i morën konkën (qenushen) e tij të dashur sepse qe dhënë urdhër të pushkatoheshin qentë.

 Nga Lasgush Poradeci Tiranë, e Mërkurë 2 Prill 1975:

Sot nga ora 1 pas mesdite, ardhë m’a muar me zor, konkën t’ime shumë të dashur dhe shumë besnike, “Cucin” që të m’a vrasin (pushkatojnë). Ishte sekretari i Këshillit të Lagjes nr 1 me një polic dhe dy të tjerë me pushkë. Thanë: “Kemi urdhër t’i vrasim qentë!” Unë ju luta me 1000 të lutura të m’a lënë 2-3 ditë, të marr lejë të mos m’a vrasin. Ata nuk pranuan në asnjë mënyrë. E mbanja Cucin siç ish i lidhur, me rrypin e tij poshtë shkallëve, m’a rrëmbyen egërsisht. Megjithqë polici i tha sekretarit të m’a lenë këto 2-3 ditë, sekretari një individ zemër ashpër, dha urdhër të m’a marrin. Sbriti polici poshtë ne “Cuci” m’a mori megjith rryp dhe me gjith hallkën e rrypit prej së cilës i vinja rrypin “Cuci-t” kur e shëtisnja nga pak në mëngjes dhe më drekë nga ora 11-12-1. Passi m’a rrëmbyen “Cuci-n” në këtë mënyrë kaq të egër, zura të qaj, sbrita poshtë shkallëve ku e mbanja lidhur me rrypkën e tij elegante (që m’a dha Kostaqi i Frosës në Poradec) dhe m’u shkreh zemra dhe zura të qaj me lot për “Cuci-n”, puthnja peronën ku kapnja rrypin, puthnja safkën e ujit ku i shtinja ujë të freskët, putha 2-3 herë dhe shumë herë enën ku i shtinja të hajë “Cucit” dhe qanja me psherëtimë. Kaq shumë m’u dhemb “Cuci”.

lasgush qeniPasi m’a muarr Cucin dhe e vunë në karrocë dhe u larguan 60-70 hapa prej meje, u vesha shpejt dhe ju vajta pas dhe i gjeta në një rrugicë pranë shtëpisë s’ime, i-u luta me shumë të lutura përsëri, të m’a lenë pa e vrarë, i-u thashë të vete ne Sekretari i Komit. të Partisë së rrethit Manush Myftiu, do vete ne Sekretari i Kom, Ekz. të Rrethit, do vete në Seksionin e Shëndetsisë të marr leje për konkën (Cucin), por ata nuk m’a pranuan lutjen (nuk pranonte, prapë, Sekretari (Elem Haxhia). Ardha menjëherë në shtëpi, dhe megjithqë jam i sëmurë prej 17 Janarit gjer më sot i shtrirë në shtrat, u vesha dhe shpejt mora Marien me mua, vajta me autobus gjer në Kom. Ekz. E mora Marien se prej 17 Janarit s’jam ngritur prej shtratit, e mora shpirtin nër dhëmbë dhe u nisa i shoqëruar prej Maries, që po të rrëzohem rrugës i sëmurë siç jam, t’a kem Marien pranë. Vajta me Marien në Kom. Ekz. Më thanë Sekretari i Partisë (Manush Myftiu që është antar i Byrosë së Komitetit Central) nuk vjen këtu në zyrë, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv (Ndue Marashi) nuk priste, Zëv-kryetari (janë 4 zëv-kryetarë) nuk kish pritje. Poeti Pano Taçi, që ish poshtë në parterë, më tha, të vete në Seksionin e Shëndetsisë, po inspektori i Seksionit nuk kishte pritje sot të Mërkurën, kishte pritje të Martën edhe të Premten prej orës 1-2. Ika i dëshpëruar jashtëzakonërisht. Ardha në shtëpi. Kostandina më tha të vete ne Arkit. Petraq Kolevica që Petraqi t’i thotë nesër të Enten, inspektorit të Shëndetsisë, të më pranojë nesër të Enten. Petraqi, që është nënpunës në Komitetin Ekzekutiv, banon afër shtëpisë s’ime (nja 200-300 hapa larg).

Vajta ne Petraqi, me Marien, e ëma e Petraqit më tha se Petraqi është shtruar në spital para 1 jave. Do vete nesër të Enten ne Ministri i Shëndetsisë Doktor Llambi Ziçishti, të përpiqem për Cucin, t’i japë Ministri urdhër Seksionit të Shëndetsisë, të mos m’a vrasin Cuci-n. Shpresë s’kam, por, prapë do vete ne Ministri. Kur ardha prej Petraqit në shtëpi, sbrita të shoh vëndin ku e mbanja Cucin poshtë shkallëve; atje m’u mbush shpirti dhe shpërtheva në qarje e vajë, putha dyke qarë peronën ku lithnja Cucin me rryp, e putha peronën 3 herë dyke qarë, putha safkën ku i shtinja ujë të freskët e putha 3 herë, putha 3 herë edhe enën prej alumini ku i jipnja Cucit të hajë, edhe u ngjita prej shkallëve të Cucit për në kuzinë, ku kam shtratin tim. Hyra në kuzinë dyke qarë, mezi pushova. Pastaj mora Marien, vajta me Marien në rrugët ku nxirrnja pak Cucin që më vinte keq t’a mbaj vetëm lidhur. Përshkova me Marien rrugën prej shtëpisë s’ime gjer buzë lumit Lanë, shkova buzë Lanës, siç shkonja me Cucin kur e nxirrnja, vajta me Marien nëpër rrugët dhe rrugicat ku e nxirrnja Cucin, nja 20 ose 30 ose 60 minuta për dita, që të çmallem me rrugët ku shkonte Cuci. U këtheva pastaj në shtëpi, prapë zura të qaj se m’u mbush prapë shpirti dhe shkrojta këto rradhë për Cucin t’im shumë të dashur, shumë të dhemshur dhe shumë besnik. Sytë Cuci i kishte shumë të bukur, shumë të dashur, njerëzit theshin kur e baresnja Cucin, rrugëve: “sa i bukur”, edhe fëmija, edhe nuset, edhe burrat theshin sa i bukur. Cuci është leshator, i bardhë në roza, të gjithë theshin sa i bukur. Më vjen të pëlcas për dhimbjen e Cucit, po s’kam ç’bëj. Po rri këtë ditë me shpresë për nesër, që të vete nesër ne Ministri i Shëndetsisë, dhe të shoh a mos më pranojë inspektori i Shëndetsisë, me anën e ndonjë miku, ndonjë shkrimtari që t’a njohë inspektorin. Lasgush.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *