Kur Gabriel García Márquez vdiq në Mexico City në vitin 2014, kolumbianët e pikëlluar, në nder të tij, pikturuan nobelistin e tyre të dashur në muret përgjatë rrugëve. Me lëshimin e kartëmonedhave të reja muajin e kaluar, tashmë kolumbianët, mund ta kujtojnë çdo ditë Gabon e tyre (kështu e thërrisnin García Márquez me përkëdheli) përmes portofolit.
Portreti i Gabriel García Márquez, i cili fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1982, gjendet dy herë në pjesën e përparme të kartëmonedhës së sapodalë 50,000 COP. Imazhi i plotë, i rrethuar me një kaleidoskop me flutura, është referencë ndaj një teme në veprën e tij të vitit 1967, Njëqind vjet vetmi.
Kartëmonedha 50,000-she (e barabartë me $17 USD) është vlera e dytë më e lartë e lëshuar nga banka qendrore e Kolumbisë dhe ka 50 elementë dizajni kundër kopjimit, deklaroi guvernatori i bankës qendrore, José Darío Uribe, në një fjalim të datës 19 gusht.
Një nga elementët e sigurisë, është edhe një citim nga fjalimi i pranimit të çmimit Nobel, nga García Márquez, e printuar me tekst mikro. Thelbi i citimit në spanjisht shënon “një utopi të re dhe gjithëpërfshirëse të jetës,” shpjegoi Uribe. “Sot, ky mesazh, më shumë se çdo gjë, është akoma më urgjent sesa kur e deklaruam për herë të parë në Stockholm, në vitin 1982.”
Sipas Shtëpisë Botuese ONUFRI, García Márquez i bashkohet një grupi autorësh të shquar të jetësuar në kartëmonedha anembanë botës. Midis tyre janë Hans Christian Anderson në kartëmonedhën daneze 10 krona (1952-1975); James Joyce në kartëmonedhën 10 Paundëshe irlandeze (1993-1999); Charles Dickens në kartëmonedhën 10 Paundëshe angleze (1992-2003) dhe shkrimtari japonez Ichiyo Higuchi në kartëmonedhën 5,000 Yen që qarkullon ditët e sotme.